Për të dytin ditë me radhë ka dështuar dëshmia e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj në komisionin hetimor parlamentar për hetimin e koncesioneve në shëndetësi, teksa sot në mesnatë i përfundon afati komisionit.
Deputetët e mazhorancës dhe opozitës kanë debatuar me orë të tëra për shkak se opozita kërkon zgjatjen e afatit të komisionit dhe thirrjen si dëshmimtar të kryeministrit Edi Rama dhe sipërmarrëses Vilma Nushi, e cila është përfituesja e koncesionit të check up-it, teksa socialistët po i mbrojnë në bllok ata.
Por, ndërkohë, këto dy ditë të “lirisë”, Ilir Beqaj duket se i ka shfrytëzuar në maksimum për ngrënie dhe pirje, si dhe për takime speciale në Kryesinë e Kuvendit, siç është denoncuar nga opozita. Madje në orët e para të mëngjesit të sotëm, Ilir Beqaj shëtiste i lirë në Kryesinë e Kuvendit, duke u futur dhe në sallën ku po mbahej mbledhja e komisionit dhe duke kërcënuar deputetët e opozitës.
Rasti është denoncuar nga kryetarja e komisionit, deputetja e PD-së, Albana Vokshi, e cila në një postim në rrjetet sociale shkruan se as Garda dhe as Policia nuk veprojnë ndaj Beqajt.
Siç shihet edhe në videon e mëposhtme, pasi Beqaj kërcënoi deputetët, Vokshi urdhëron Gardën dhe Policinë për ta çuar atë sërish në qeli. Por, sipas deputetes demokrate, edhe pas këtij skandali, Policia e Burgjeve, refuzoi të largonte Ilir Beqajn për ta kthyer në burg.
Vokshi shkruan më tej se Parlamenti ka rënë dhe se është në duart e atyre që i japin leje dhe garanci Ilir Beqajt të fusë mjete të forta, hunj e drunj në Kuvend, të shëtisë i lirë në çdo ambjent, e të kërcënojë deputetët e opozitës.
Postimi i plotë:
SKANDALI NË PARLAMENT!!!
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në ambientet e Parlamentit në orët e para të mëngjesit!
Ilir Beqaj, pas takimeve private me deputetët e PS, shëtit i lirë, hyn brutalisht në sallën ku po zhvillohej mbledhja e Komisionit Hetimor duke guxuar të kërcënojë deputetët e opozitës!!!
As Policia dhe as Garda nuk veprojnë!
Edhe pas këtij skandali, Policia e Burgjeve, refuzoi të largonte Ilir Beqen për ta kthyer në burg, edhe pas urdhërit nga Kryetarja e Komisionit. Në pritje të urdhërit të Plarent Ndrecës i cili tentoi të rifillonte mbledhjen e Komisionit.
Praktikisht, Parlamenti ka rënë!!! Është në duart e atyre që i japin leje dhe garanci Ilir Beqes të fusë mjete të forta, hunj e drunj në Parlament, të shëtisë i lirë në çdo ambjent, e të kërcënojë deputetët e opozitës.
E gjitha, që Edi Rama dhe Vilma Nushi të mos dëshmojnë para Komisionit Hetimor!!
Opozita nuk do të bëjë asnjë hap pas!! Do të bëjmë transparencë! Do të denoncojmë! As Rama e askush nuk do të gëzojë asnjë qindarkë të vjedhur nga paratë e shëndetësisë./Boldnews/