Elon Musk dhe presidenti Italian, Sergio Mattarella, janë përfshirë në një debat në distancë. Shkak janë bërë komentet mbi vendimet e gjykatësve të Romës për kthimin e emigrantëve të paligjshëm nga qendrat e ndalimit në Shqipëri për në Itali.
“Mister X”, që mori nominimin për një rol të rëndësishëm në qeverinë e re amerikane të presidentit të zgjedhur, Donald Trump, kritikon zinxhirin e vendimmarrjes në Itali, ndërsa shpërndan informacionin e një përdoruesi në rrjetin e tij social që thotë se kufijtë e vendit europian do të mbesin hapur.
“Kjo është e papranueshme. A jeton populli i Italisë në një demokraci apo një autokraci e pazgjedhur i merr vendimet?”, u shpreh Musk.
Më herët Elon Musk shkruajti kundër vendimit të drejtësisë duke kërkuar largimin e gjykatësve që aktualisht po bllokojnë zbatimin e protokollit mes Italisë dhe Shqipërisë për menaxhimin e fluksit të emigrantëve të paligjshëm. Reagimi i presidentit Mattarella ishte i prerë.
“Italia është një shtet i madh demokratik dhe më duhet të ritheksoj, fjalët e thëna në një rast tjetër më 7 tetor të vitit 2022, që ‘di të kujdeset për veten në përputhje me Kushtetutën e saj’”, nënvizoi kreu i shtetit italian. “Kushdo, veçanërisht nëse, siç është paralajmëruar, do të marrë një rol të rëndësishëm qeveritar në një vend mik dhe aleat, ai duhet të respektojë sovranitetin e tij dhe nuk mund të marrë përsipër detyrën për t’i dhënë receta”, përfundoi Mattarella.
Reagim i ashpër ka ardhur edhe nga shoqata për mbrojtjen e anëtarëve të sistemit të drejtësisë në Itali, duke i përmendur që “ashtu siç kërkon të mbrohen kufijtë ndaj emigrantëve të paligjshëm, duhet të ketë kujdes që të mos shkelë kufirin e ndërhyrjes në çështjet e një shtetit tjetër”.