Partia e Lirisë i është drejtuar me një shkresë Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda dhe ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha, ku u kërkojnë informacion për arrestimin e presidentit të PL, Ilir Meta.
Në një deklaratë, Sekretari i Përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi thotë se duan të kenë informacion se kush janë emrat e punonjësve të pretenduar të policisë, të cilët kryen sipas tij aktin e rëndë ndaj Ilir Metës.
Këto dy institucione sipas tij duhet të kthejnë përgjigje brenda datës 7 nëntor.
“Të na vini në dispozicion brenda datës 07.11.2024 emrat e të gjithë skuadrës së pretenduar policore që më datë 21.10.2024 ekzekutuan Urdhrin për ekzekutimin e vendimit nr. 125, datë 20.10.2024, së Gjykatës së Posaçme e Shkallës së parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, lëshuar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndaj Z. Ilir Meta, në kundërshtim të hapur me nenin 28 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenin 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke trajtuar Presidentin e Partisë së Lirisë dhe ish-Presidentin e Republikës së Shqipërisë në mënyrë degraduese dhe poshtëruese; 2. Emrat e personave që kanë urdhëruar dhe kanë udhëhequr këtë operacion kriminal”, tha Tedi Blushi.