Shpetim Axhami, kryetar i PLL
Rendi dhe siguria nuk arrihen me thjesht ndryshime emrash; kërkohet një reformë e thellë dhe rrënjësore. Kjo përfshirë rikthimin e Xhandarmarisë Kombëtare dhe shkëputjen e segmenteve të policisë të lidhura me krimin dhe korrupsionin, duke mos anashkaluar depolitizimin e saj.
Partia Lëvizja e Legalitetit
Rritja e krimit dhe pasiguria në vend po përshkallëzohen vazhdimisht. Strukturat policore shtetërore janë treguar të paafta në luftën kundër krimit dhe në garantimin e rendit dhe sigurisë. Për këtë arsye, ashtu si në të kaluarën, ndryshimet e emrave dhe lëvizjet paralele në strukturat drejtuese të policisë janë bërë të zakonshme.
Megjithatë, për PLL këto veprime janë thjesht “tymnaja”, të cilat nuk sjellin përmirësime të qëndrueshme në punën e policisë.
Për sa kohë që është provuar se segmente të policisë bashkëpunojnë me elementë kriminalë dhe banda të strukturuara, të cilat shpesh përdoren nga qeveria gjatë zgjedhjeve, nuk ka asnjë mundësi reale që policia të luftojë krimin me vendosmëri dhe vullnet.
PLL beson gjithashtu se rikthimi i Xhandarmarisë Kombëtare, depolitizimi i policisë, dhe trajnimi i 200 specialistëve të lartë akademikë në SHBA, Gjermani dhe Turqi, do të përbënin hapin e parë drejt një reforme thelbësore. Këta specialistë duhet të kenë imunitet të pacenueshëm, përveçse në rast të shkeljeve të rënda, të cilat do të gjykoheshin nga një gjykatë. Kjo do të siguronte që forcat e rendit t’i shërbejnë qytetarëve me përgjegjësi dhe integritet.