Edi Rama do të mbledhë të dielën në Durrës, Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, ku priten vendime të rëndësishme.
Pritshmëritë janë që në këtë mbledhje të caktohen drejtuesit politikë që që do të udhëheqin edhe fushatën elektorale në 12 qarqet e vendit.
Me shumë interes pritet se ç’do të ndodhë me qarkun e Tiranës, ku drejtues aktual është kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Me drejtorët dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt në qeli për aferën marramendëse “5D” dhe me hetimet e thelluara të SPAK mbi shpinë për inceneratorin e Tiranës dhe pasurinë, vendi i Veliajt si drejtues qarku nuk është aspak i sigurtë.
Rama do të duhet të vendosë nëse Veliaj tashmë është kosto për Partinë Socialiste dhe për atë vetë personalisht, apo mbetet një hambar votash që nuk duhet dorëzuar.
Një gjë është e sigurtë, vendimi i kryeministrit mund ta shtyjë përfundimisht në greminë atë që rëndom është konsideruar pasardhësi në PS, ose mund t’i japë frymëmarrje në momentin e tij më të keq.