Sot në Gjykatën e Posaçme të Apelit po mbahet gjyqi për vendimin e formës së prerë ndaj kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.
Ai kërkon pafajësi në Apel, duke kundërshtuar dënimin me 2 vite burg dhënë nga shkalla e parë.
Trupa gjykuese përbëhet nga Daniela Shirka, Ilirjana Olldashi dhe Dhimitër Lara.
Në nisje të seancës avokatja e Belerit, Klodiana Gjyzari, kërkoi përjashtimin e Daniela Shirkës.
Për këtë kërkesë, gjykata do të shprehet pasi të dëgjojë palët.
Në sallë ndodhet gjithashtu ambasadorja greke në Tiranë Konstantina Kamitsi, familjarë, përfaqësues të ambasadës greke, Vangjel Dule si dhe Pandeli Kokaveshi, i cili kërkon pafajësi, pasi u dënua me 3 vjet shërbim prove nga shkalla e parë.
Kutojmë se Fredi Beleri u arrestua në ambientet e një lokali në Himarë, vetëm 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 Majit, pasi u kap në flagrancë bashkë më bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshi duke blerë vota. Beleri nuk ka mundur të marrë detyrën, pasi autoritetet gjyqësore nuk i dhanë leje për të kryer betimin. Për çështjet e tij është angazhuar edhe qeveria greke e cila e quan arrestimin e tij të paligjshëm e politik.