Në 11 shkurt 1991, Spartak Ngjela do të takohej me jetën e tij, në ditën e parë në liri. “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare”, një botim i shtëpisë botuese “UET Press” është një dëshmi e kësaj lirie në të tre volumet e saj. Kjo vepër nuk është thjesht rrëfimi i kujtimeve, por është një analizë e thellë politike, sociale dhe filozofike e shoqërisë shqiptare në momentet e saj më të rëndësishme historike. Në një meditim të gjatë ekzistencialist, filli i jetës së një individi arrin t’i japë një shpjegim dhe shoqërisë së tij, të cilën e ka parë nga lart, nga brenda burgut dhe si pjesë përbërëse normale e saj.
_________________________
Nuk kishte kaluar as një javë qëkurse isha liruar nga burgu, kur në Tiranë u hap lajmi se studentët e Universitetit të Tiranës, do të hynin në grevë urie për t’i hequr Universitetit emrin Enver Hoxha. Ata në fakt kishin kapur një paradoks të madh, dhe unë e dija nga brenda se iniciatori i asaj greve ishte Gramoz Pashkoja. Dhe kishte shumë të drejtë. Partia Demokratike deri atëherë nuk kishte marrë ende guximin për të goditur Enver Hoxhën, me përjashtim të një artikulli që kishte bërë Gramoz Pashkoja, sepse gjithë pjesa tjetër e lidershipit të Partisë Demokratike ishte e strukur dhe nuk shprehej. Pashkoja në fakt e kishte kuptuar i pari se me Ramiz Alinë nuk mund të ecej më, por e shihja se nuk kishte një skemë për ta çuar deri në fund ketë arsye, e cila në fakt ishte e vetmja arsye politike e atyre momenteve, sepse populli po kërkonte me ngulm goditjen e Enver Hoxhës. Pashkoja e dinte mirë se ashtu nuk mund të ecej, dhe donte që si fillim ta shkëpuste përfundimisht Partinë Demokratike nga Enver Hoxha.
“Ju jeni ende me statutin e Partisë së Punës”, i thashë unë ditën që u takuam, më 12 shkurt, dhe i shtova se ende nuk po e godisnin Enver Hoxhën, “domethënë se jeni ende nën sqetullat e Ramiz Alisë”, i shtova më pas, dhe prita përgjigjen e tij. Ai ma pohoi këtë, dhe më tha ndërkaq se kjo duhej bërë me anë të studentëve. “Janë që të gjithë përkrahësit e mi”, më tha me njëfarë kënaqësie, dhe unë e besova. Pas disa ditësh shpërtheu greva; dhe prandaj që ishte e kuptueshme se nga Partia Demokratike atë po e përkrahte vetëm Pashkoja. Asnjëri nga ata nuk e kishte përvojën e një politike kundërshtare, kurse Gramoz Pashkoja e kishte këtë përvojë, sepse vetë kishte qenë kundërshtar qëkurse ishte student, por, ishte rritur në rrethe politike të senjorisë së vjetër të Partisë së Punës, dhe vijimisht kishte dëgjuar për përplasje politike, kombëtare e ndërkombëtare që pat bërë ajo senjori; kishte pasur kontakte që shumë i vogël me politikën italiane dhe atë ndërkombëtare dhe i dinte gjithashtu mirë të gjitha përplasjet që ishin bërë në botën komuniste dhe në Luftën e Ftohtë.
Të gjithë këto dallohej se e kishin nxjerrë shumë hapa më përpara sesa lidershipi tjetër i Partisë Demokratike, por koha tregoi se këto nuk ishin të mjaftueshme për karrierën e tij, por që, në fakt ishin të mjaftueshme për atë moment që e kishte kuptuar se duhej goditur me çdo kusht Enver Hoxha. Kurse, për sa i përket Ramiz Alisë, Pashkoja, ashtu siç e kam analizuar, ndihej ende me ngërçin e mospranimit që ai po i bënte në këtë politikë opozitare, të cilën e kishte nisur për interesin e vet. S’ka gjë, thosha me vete, sepse e dija që ashtu do të fillonte politika brenda tyre kush e kush të ndahej më shumë nga Ramiz Alia dhe nga Partia e Punës dhe do të niste realisht politika moderne në Shqipëri. Ndërkohë, në krye të Partisë Demokratike kishte ardhur Sali Berisha, të cilin unë e dija që atëherë që ishte dërguar nga Ramiz Alia, që të neutralizonte studentin Azem Hajdari dhe të shkatërronte grupin intelektualist të Gramoz Pashkos. Kjo tani është bërë e qartë edhe e dokumentuar, por analiza e kap veten këtu, te fakti që kuptohet se, nga të gjithë ata, për vetë specifikën e rrethit të tij familjar të privilegjuar, vetëm Pashkoja kishte qenë i pakontrolluar nga Sigurimi i Shtetit dhe nga Partia e Punës. Dhe Pashkoja po vepronte me shumë hile deri në këto moment, edhe pse nuk e mori dot drejtimin e Partisë Demokratike, sepse në fakt, nuk e kishte lënë Sigurimi i Shtetit, dhe një kompromis naiv i Aleksandër Meksit me Sali Berishën. Meksi, në fakt, ishte thirrur në atë parti nga Gramoz Pashkoja, dhe të gjithë mendonin se ai do ta vijonte bashkëpunimin me të; por kjo nuk ndodhi; sepse kompromisi Meksi – Berisha erdhi pikërisht në momentet e votimit.
Por ishte ky kompromis e cili realisht e la gjithmonë atë parti në primitivizëm dhe në një tendencë antiintelektualiste. Meksi, siç duket u mbështet te Berisha nga frika e brendshme që kishte, sepse e shihte që Berisha ishte i përkrahuri i Partisë së Punës, i gazetës “Zëri i Popullit”, Sigurimit të Shtetit dhe Ramiz Alisë, gjë e cila, po ta shihje me vëmendje në ato moment, ishte një e vërtetë që dallohej hapur. Në fakt, aty ishte bërë kompromisi i dy njerëzve që nuk kishin fare lidhje me shtetin, dhe që nuk e kishin forcën bindëse për të ndërruar sistemin, sepse, kush më pak dhe kush më shumë, nuk e njihnin atë. Megjithatë, realisht unë e shihja gjendjen se ishte brenda politikës, dhe lufta e brendshme politike që po spikaste në atë parti, do ta çonte gjendjen domosdoshmërisht te ndarja nga Partia e Punës. Sa më shumë përkrahje politike që të kishte Partia Demokratike në popull, aq më kurajozë do të bëheshin liderët e saj, e sidomos Berisha dhe Meksi, të cilët realisht ishin më të tremburit. Pashkoja e kishte bërë me kohë ndarjen nga Partia e Punës dhe nga regjimi i Tiranës, dhe unë e dija këtë, sepse më kishin ardhur në burg e më kërkonin të dhëna për të, pasi donin që ta arrestonin për agjitacion e propagandë. I gjithë grupi i Sigurimit që e hetonte këtë çështje, erdhi tek unë në Burgun e Ballshit gjatë vitit 1978, për të më bërë presion, duke më nxjerrë në pah thënie që i dinim vetëm unë dhe Gramoz Pashkoja, dhe menjëherë e konstatova se ato që po më thoshin ata, ishin të sakta dhe kishin qenë që të gjitha pikëpamjet e mia. Unë ndërkohë e njihja mirë teorinë e hetimit, dhe prandaj mbeta në mpakjen që të jep mendimi se këto thënie kaq të sakta ose i kishte deponuar Pashkoja nën arrest, ose na kishin përgjuar, ose ndonjë spiun i Sigurimit kishte penetruar “miqësisht” dhe i kishte marrë nga Pashkoja.
Por, tek po më lexonin një sërë thëniesh që kishin qenë të miat, u binda në fillim se Pashkon duhej ta kishin arrestuar dhe kishte dhënë deponimet e tij si i pandehur. Megjithatë, duke i qëndruar filozofisë time, i dëbova që të dy ata që më erdhën e po më kërkonin pohimin tim për ato që kishin të shkruara, por kjo më kishte mbetur në mendje, derisa e sqarova përfundimisht nga vetë Pashkoja, i cili më tha se, një ish e dashura e tij, me të cilën ishte prishur, ishte thirrur nga Sigurimi dhe kishte rrëfyer gjithçka që ky i kishte thënë në lidhje me bisedat tona përgjatë vitit 1975. Sido qoftë, ajo që më duhej mua ishte fakti që Pashkoja nuk ishte kundërshtar për ndonjë qejfmbetje nga regjimi i vjetër, por vetëm se nuk mund të pranonte sistemin. Ishte kohë disi e vështirë, sepse punizmi që, në fakt, ishte në një ikje të shpejtë dhe të frikshme nga skena, po i bënte të gjitha përpjekjet që të mbijetonte me anë të opozitës së re që vetë kishte formuar. Gjithçka ishte e qartë, se edhe Sigurimi po mbetej mbrapa në këtë lojë, ngaqë kuptohej se i kishte marrë masat me spiunët e vet që të ishte i pranishëm në Partinë Demokratike. Që në fillim e pamë sesi në Durrës ishte hedhur me përparësi Minush Jero, të cilin e shpallën edhe kryetar të degës së partisë për Durrësin. Në Tiranë gjithashtu pashë shumë të tillë, e po kështu edhe në qytetet e tjera të vendit. Gjithçka ishte e rrethuar, dhe unë e kuptoja mirë se loja ishte që, me anë të opozitës, Ramiz Alia të gjente para, e asgjë më shumë. Ai e dinte se ajo do të ishte vijimisht një opozitë e kontrolluar prej tij dhe e përkrahur nga një popull i gënjyer, por Perëndimi nuk po ia varte aspak. Në Amerikë Alia kishte dalë shumë keq, sepse i kishte gënjyer; dhe vijonte të gënjente, duke dashur që të gënjente këdo. Mendoi që me anë të Sali Berishës të dominonte opozitën, dhe i dha urdhër “Zërit të Popullit” të mos e prekte në mënyrë që të informonte partinë se ai ishte i tyre. Dhe partia e besoi.
Nga brenda Sigurimit e konstatova se e gjithë lufta ishte me Pashkon. Për të dominuar atë intelektualisht, Azem Hajdari dhe vetë Berisha iu drejtuan për ndihmë Neritan Cekës, të cilin, edhe me shtysën e Ramizit, e bindën që të hynte në Partinë Demokratike. Azemi, siç ma ka pohuar vetë, i shkoi edhe Rexhep Mejdanit, por ky nuk i pranoi. Nga të gjithë këta të Ramizit, më të gatshmit kishin qenë Sali Berisha dhe Neritan Ceka, kurse Sigurimi e kishte besimin te Berisha dhe te frika që paraqiste si natyrë Aleksandër Meksi. Analizat që i kanë dërguar Ramizit kështu ishin, dhe Sigurimi ka qenë i sigurt me Partinë Demokratike, deri në fund të shkurtit, dhe nisi të prishej kur nisi greva e urisë së studentëve, e cila solli dhe rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës.
Nga analiza që bëja unë, e kuptoja se i pari që do të shkëputej nga Ramizi do të ishte Sali Berisha, por ndërkohë konflikti i tij me Pashkon vijonte. Asnjëri nga ata nuk e kishte idenë se çfarë donte të thoshte opozitë. Ndërkaq i kisha thënë Pashkos se, nuk ka rëndësi se kush e ka formuar opozitën, sepse, pasi ajo del në skenë, fillon lufta për pushtet e patologjisë së brendshme, ajo që mbart gjithmonë në vetvete krijesa me krijuesin politik. Por nga të gjithë ata që shihja si më të predispozuar për t’u shkëputur nga Ramiz Alia më dukej Berisha, sepse ai sikur po e kuptonte që, për të fituar duhej goditur Enver Hoxha. Kur Pashkoja godiste, ai trembej, por menjëherë e kuptoi edhe ai se duhej goditur Enver Hoxha për të bërë karrierë. Kam përshtypjen se Berishës i ka ikur frika e vet proverbiale kundrejt regjimit të vjetër të Tiranës, kur ka parë talljen e madhe që po i bënin studentët Enver Hoxhës botërisht në sheshin e madh të Qytetit të Studentit. Ai në këto momente e kuptoi se Enver Hoxha kishte marrë fund dhe i duhej rënë. Por në këtë kohë, Berisha kishte fituar shumë terren në Partinë Demokratike, sepse qenia kryetar ia kishte mundësuar këtë gjë, dhe ai filloi ta shfrytëzonte këtë, në një kohë që dallohej se kishte edhe përkrahjen e fqinjëve, e sidomos kishte filluar që të mbështetej në një lob zonal në Partinë Demokratike e cila, deri në ato çaste që ky nisi ndarjen Veri – Jug, nuk e kishte pasur në natyrë të saj. Por nga mënyra sesi po sillej Sali Berisha, kuptohej se, aty brenda po luhej një lojë e cila, mund ta sillte gjendjen si në vitin 1924. Kishte një fraksion të brendshëm që nxitej nga Berisha, por kishte edhe një ngërç antiintelektual që vinte si pasojë e faktit që ishin të pakët ata që e njihnin Perëndimin si histori, si treg dhe si parlamentarizëm. Kishte aty liderë të ardhshëm që deri atëherë nuk kishin lexuar ende një kushtetutë, madje as edhe atë shqiptaren. Gjithsesi, gjendja kuptohej se vërtitej brenda faktit që dilte nga pyetja: a do të vijonte Ramiz Alia dhe Partia e Punës ta kontrollonin opozicionin shqiptar? Isha i sigurt që do të vinte kjo shkëputje, sepse kështu kishte ndodhur gjithmonë. Shembulli më klasik ishte ai i Ataturkut, i cili, i dominuar nga forca kundërshtuese e Perëndimit, mendoi të lejonte një opozitë aktive në Turqi. Prandaj, thirri njeriun e tij më të afërt, më të kontrolluar dhe më të bindur dhe i kërkoi që të strukturonte dhe të hidhte në veprim opozitën turke. Dhe ai ashtu bëri, e formoi opozitën; por shumë shpejt u shkëput nga kontrolli i Ataturkut.
Në fakt, kishte filluar lufta për pushtet, që nuk ka lidhje me atë kontrollin e parë, por me dëshirën e brendshme, ajo e cila e kishte futur në politikë dhe që sigurisht se është në thelb lufta e patologjisë së pushtetit. Por koha e solli, që, pikërisht këtë shef opozite, që ishte dhe një nga miqtë e tij më të afërt, Ataturku e dënoi me varje. E pra kjo ishte gjendja, sepse, në ato çaste, nuk po mund të kuptohej sesi do të përfundonte edhe në Shqipëri shefi i opozitës, nëse ky do të shkëputej nga Ramiz Alia. Opozitarët, të cilët në vitin 1946 tentuan të shkëputeshin nga Enver Hoxha dhe nga Partia Komuniste Shqiptare, përfunduan në plumb; prandaj sigurisht që kishte sërish gjasë që edhe kjo opozitë të përfundojë në plumb; sikurse kishte përfunduar në fakt edhe opozita e vitit 1924. Shqipëria kishte nisur rrugën e saj demokratike me vrasjen e opozitarëve, dhe, frika që duhej të ishte e pranishme që atëherë, ishte pikërisht kjo: a mos vallë edhe në këtë rast, një kthesë e re e Partisë së Punës dhe e Ramiz Alisë, do ta dërgonte në plumb edhe këtë opozitë. Në fakt, kjo frikë ndihej në liderët e saj, ndonëse e dinin që ishin të kontrolluar dhe të lejuar nga Ramiz Alia. Por disa ditë pas Pashkos, pas dy apo tri ditësh, takova Arben Imamin. E kuptova që në krye të herës se ishte me Berishën dhe kundër Pashkos, sepse ditën që i bëra vizitë në shtëpi, ishte pikërisht darka e 13 shkurtit, kur ishte zgjedhur kryetar partie Sali Berisha. Imami ishte shumë i gëzuar, dhe më tha se, nëse Meksi nuk do të kishte hyrë në lojë, do të kishte fituar Pashkoja. Ai vërtet ishte i gëzuar, por unë që e kisha informacionin se përse qe bërë ajo lidhje midis Berishës dhe Meksit, dhe sesi ishte dërguar Sali Berisha në Partinë Demokratike, e kuptova se ajo parti nuk mund të kishte të ardhme. Megjithatë e kuptoja se Imami nuk ishte politikan, dhe nuk po e kuptonte se përse luftohej grupi i Pashkos. Ai e shihte kundravënien ndaj Pashkos thjesht sepse ai ishte shumë më i ditur, më perëndimor dhe shumë më i afërt me shtypin e huaj, kurse Berishën e shihte si një fshatar që nuk ndiente ndonjë diferencë kundrejt tij, madje në shumë aspekte e ndiente edhe si inferior, sepse ky ishte një regjisor teatri, kurse Berisha një mjek, e asgjë më shumë; ky ishte lindur e rritur në Tiranë, kurse Sali Berisha ishte një i ardhur nga malësitë e thella të Tropojës. Por edhe Imami, pavarësisht se nuk më shprehej, unë e kuptoja se e dinte që Sali Berisha ishte prioritar për Ramiz Alinë. Fillova të rrija shumë me Imamin dhe mendova se do të vinte një kohë që ai do të shkëputej nga ajo rrymë retrograde që spikaste në partinë e tyre, sidomos të një tendence për të krijuar një ndarje Veri – Jug, të cilën ai ma tha i pari.
Kurse Pashkoja vijonte rrugën e tij, duke qenë përfaqësuesi më në zë i opozitës në Perëndim, sepse, ata të tjerët nuk ishin në gjendje që të artikulonin dot qoftë dhe konceptet më të përgjithshme perëndimore. Pashkoja, në të vërtetë, ishte një njohës shumë i mirë i tregut dhe, gjithashtu, edhe një njohës shumë elokuent i letërsisë, muzikës dhe filozofisë perëndimore. Të gjitha këto, dhe mënyra fluente që kishte në anglisht dhe në frëngjisht, e kishin shkëputur nga të gjithë të tjetër, e sidomos nga Berisha. Por ky vijonte luftën në mbështetje të “Zërit të Popullit”, gazetë kjo e cila ishte hedhur e gjitha në luftë kundër Pashkos, grupit të tij dhe Azem Hajdarit, gjithashtu. Por nuk thoshte asnjë fjalë kundër Sali Berishës. Në fakt unë e dija nga brenda që në ato ditë, sepse ishte bërë kompromisi që kam shpjeguar midis tij dhe Ramiz Alisë e Xhelil Gjonit, pikërisht për të neutralizuar goditjen e “Zërit të Popullit”. Më pas e konstatova vetë sesa frikë e paskësh pasur “Zërin e Popullit” Sali Berisha. Në atë ditë që ishte thirrur nga Ramiz Alia dhe që ishte bindur prej tij për t’u bashkuar me studentët që ishin ngritur në protestë, këtë i kishte kërkuar Ramiz Alisë: të mos prekej nga “Zëri i Popullit”. Dhe Alia, me një nënqeshje të brendshme, ia kishte pranuar kërkesën me hapësirën e babaxhanit komunist, që i premton se gazeta e tij nuk do të ishte kundër figurës së Sali Berishës. Në fakt, të gjithë komunistët ishin të tremburit e mëdhenj të asaj gazete, sepse ajo ishte magjia e shkruar e vetë persekucionit.
Nga ajo gazetë kishte dalë i gjithë mllefi antiliri dhe qe shfaqur e sistemuar e gjithë ligësia Hoxha. Koha është gjithmonë e pamëshirshme kur është fjala për histori, dhe prandaj është filozofikisht e vërtetuar se historia përsërit gjithmonë vetveten. Kjo vjen nga fakti se psikologjia e një shoqërie të caktuar nuk mund të ndryshojë aq shpejt, sepse ajo reziston edhe deri me shekuj. Kjo ishte arsyeja që unë në ato çaste isha i sigurt që përballë gjendjes politike shqiptare kishte vetëm dy rrugë: ose opozita do të linçohej nga Ramiz Alia dhe Sigurimi i Shtetit, sapo që këta ta shihnin që situata ishte kthyer sërish në favor të tyre; ose, do të kishte një çarje të brendshme si luftë midis Perëndimit dhe Orientit. Për këtë isha i sigurt, prandaj, duke biseduar me Arben Imamin gjeta plotësisht mbështetjen e tij. Më pëlqente mendimi i tij, dhe e shihja se shpejt mund të kishim bashkë një sistem të përbashkët të menduari. Ishte koha kur shoqëria shqiptare qe më shumë e tulatur dhe e shqetësuar për faktin si do të ishte e ardhmja e saj, sesa ishte e predispozuar për të besuar te “demokracia dhe çudibëria me anë të tregut të lirë”. Dhe kjo ishte normale të ndodhte kur mendoje sesi kishte rrjedhur historia e saj në 45 vjetët e fundit. Persekucioni i tmerrshëm e kishte çuar gjendjen në mesjetë dhe, ashtu siç e kam analizuar, ishte krijuar një urrejtje e cila, tani, për faktin se ekzistonte, do të përplasej mes krahëve të kundërt të saj, sepse ndërkohë vetë persekucioni ishte duke u liruar nga burgjet dhe nga internimet. Ishte koha kur shqiptarët po fitonin të drejtat, por askush nuk po pyeste sesi do të pajtoheshin urrejtjet që ishin të gjalla: midis persekutorëve dhe të persekutuarve.
Ishte një gjendje e cila po kuptohej që në ato ditë të ftohta shkurti se ishte shumë delikate për t’u trajtuar, dhe sidomos nga politika e re që po vinte në Shqipëri nëpërmjet opozitës së saj. Ishte delikate si gjendje, sepse, vetë opozita duhej të ishte tolerante dhe shumë pragmatike, në mënyrë që të dinte të bënte përzgjedhjen e saj për të goditur imoralitetin politik që kishte sjellë persekucionin, shtypjen dhe heqjen e të drejtave të një shtrese të gjerë shoqërore e cila, tani, me të drejtë kërkonte shpagimin për atë që i ishte bërë. Pikërisht këtu dukej se do të fillonte përplasja midis moralit si drejtësi shoqërore, dhe poetikës si dëshirë për pushtet. Si do ta përdorte politika opozitare këtë kontradiksoin tragjik, i cili sërish mund ta hidhte shoqërinë në të njëjtën gjendje, por me një kahe të ndryshuar? Koha kërkonte njerëz të mëdhenj që e njihnin mirë historinë perëndimore, që e njihnin mirë periudhën e denazistizimit në Gjermani dhe, që e njihnin mirë gjithashtu edhe historinë europiane të të gjitha diktaturave ose tiranive; që e njihnin moralin kristian dhe sensin e së drejtës dhe të ligjit perëndimor. Mbi të gjitha, duheshin njerëz që të dinin të kuptonin se në atë kohë që kishte ardhur, çfarëdo lloj pushteti individual absolut, do ta keqësonte sërish gjendjen shoqërore dhe do t’i detyronte realisht shqiptarët që të largoheshin nga Shqipëria. Dhe, të gjitha këto, e gjithë kjo analizë, që mbart me vete dyshim dhe skepticizëm, realitet dhe histori, ndihej realisht nga e gjithë elita e atëhershme shqiptare, dhe madje, nga e gjitha shoqëria, kudo ku jetonte. Sepse ishin të shumtë ata që takoja e nuk besonin në një të ardhme europiane të Shqipërisë.