Autori i këngës shumë të dashur për publikun, Naim Gjoshi ka rrëfyer për Report Tv, se nga e gjeti frymëzimin dhe detaje të pathëna më parë.
Kënga ‘Mora Fjalë’, është kthyer tashmë në himnin e Kombëtares kuq e zi, sidomos pas sukseseve të jashtëzakonshme të ekipit tonë kohëve të fundit.
“Unë këngën e kam shkruar në vitin 2000. Kam qenë në Prekaz para se ta shkruaja këngën, kam parë shtëpinë e Adem Jasharit. E kjo më ka kujtuar eposin e veriut te cikli i Mujit dhe Halilit. Dhe pata dëshirë ta bëja këngën për Adem Jasharin. Ndodh që në vitin 2000 një këngëtar nga Drenica më thotë që t’i bëja një këngë për Adem Jasharin. Këngën e kam shkruar për një orë. Dhe pastaj papritur, Perëndia më dha fjalët e më dha vargjet. E këndova vetë pasi e shkrova dhe ia kam çuar me zë këngëtarit nga Drenica. Pas një viti që doli në treg, e ka pëlqyer dhe këngëtarja Shkurte Fejza, e cila ka shkuar së bashku me producentin te këngëtari nga Drenica dhe e ka marrë ajo pastaj këngën. Me Shkurtën kënga ka marrë të tjera përmasa.’ tha Gjoshi.











