Përballja me Çekinë është ndoshta më e rëndësishmja e këtyre kualifikueseve, por duke qenë se kombëtarja kuqezi ka edhe dy përballje të tjera, ish-sulmuesi Altin Rraklli këshillon që të enjten në mbrëmje futbollistët e përfaqësueses nuk duhet ta konsiderojnë si finale.
“Do të jetë 2 ose 3 fish më e vështirë. Çekia nuk do bëjë ato gabime që bëri në ndeshjen e parë”, tha ai.
Sipas Rrakllit do të jetë një përballje më së shumti fizike, pasi teknikisht Shqipëria qëndron më lart.
“Do jetë përballje fizike, duhet t’i përgjigjemi fizikisht si në Çeki. Nga ana teknike jemi më lart”.
Sa i përket rezultatit, besimi i Rrakllit, është i palëkundur.
“Do fitojmë sepse Çekia besoj që do gabojë”.
Të enjten në mbrëmje e gjithë vëmendja do të jetë në Air Albania, ndërsa ata tifozë që nuk kanë patur mundësi të shkojnë në stadium do të mund ta shohin ndeshjen në ekranin e televizionit Klan.