Kandidati për Tiranën, Belind Këlliçi takon banorët e zonës së Don Boskos: Qëllimi është të pasqyrojmë realitetin dhe të jemi të vërtetë. Fitorja do të vijë bashkë me brezin e ri dhe bashkëmoshatarëve të mi.
Njerëz të zhgënjyer nga politika, të lodhur nga problemet e përditshme që nuk u jepet kurrë zgjidhje, të censuruar nga mediet, njerëz që emigrimi i fëmijëve i ka lënë vetëm, të papunë ose me të ardhura të ulëta, është kjo panorama që gjen sapo shkel në zonën e Don Boskos në kryeqytet.
Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës Belind Këlliçi takoi nga afër banorët e kësaj zone, dëgjoi shqetësimet e tyre e ndau me ta vizionin e tij për Tiranën e katër viteve të ardhshme.
Qytetarët kërkuan vërtetësi, zhvillim real e jo fasadë.
“Jam i kënaqur që një bashkëmoshatar i imi e merr këtë inicativë, do të doja që në katër vitet e ardhme Tirana të dilte përtej fasadës së krijuar. Problemet janë shumë të mëdha. Kam shpresë që në 4 vitet a ardhshme Tirana të ndryshojë, të hiqet maska dhe të jemi më transparentë” tha një qytetar.
Kandidati Këlliçi premtoi ndryshim e kërkoi besimin e tyre me votë.
“Qëllimi është të pasqyrojmë realitetin dhe të jemi të vërtetë. Vetëm nuk ja dal dot, do më duhet mbështetja e brezit të ri dhe e bashkëmoshatarëve të mi” u shpreh kandidati për Bashkinë e Tiranës.
Largimi i të rinjve përbën shqetësim për shumë prindër. Ata dëshirojnë që Tirana t`u ofrojë mundësi fëmijëve të tyre.
“Të shohim me shumë shpresë. Politika i zhgënjeu njerëzit. Duam që fëmijët nga jashtë t`i kthejmë këtu. Një djalë e kam në Zvicër, 20 vjeç dhe studion për inxhinieri, i them të mësojë shumë dhe të vijë. Kur të shohim ty që je kthyer marrim ne shpresë. Besoj shumë se do ja dalësh. Do kontribuojmë të gjithë” u shpreh një qytetare.
Qytetarët ngritën si problem censurën dhe papunësinë ndërsa Këlliçi pranoi se edhe atij shumë media ja kanë mbyllur derën.
“Kam dy shkolla kam ngelur pa punë. Botoj për mediat e huaja dhe marr lekë, në Shqipëri nuk marr lekë sepse klanet kanë pirë televizionet. U ndala qëllimisht për të respektuar si djalë, më ka pëlqyer mendimi dhe zhvillimi që ke” u shpreh një prej qytetarëve.
“Edhe unë kam këtë censurë që përballesh ti prandaj jam çdo ditë në rrugë me qytetarët e thjeshtë” u shpreh kandidati për Bashkinë e Tiranës Belind Këlliçi.
“Kam një motër të verbër. Ajo merr kemp, unë jo. Pension marr vetëm. Pensioni është 9 mijë e 700 lekë. Ujë e drita mos më pyet sa shkojnë, gati 8 mijë lekë” tha një qytetare.
“Lufto, pakënaqësitë e popullit do të të japin pushtetin. Njerëzit nuk duhet të kenë frikë, duhet të jenë vetvetja. Peshku qelbet nga koka, koka është është stërqelbur. Duhet të binden njerezit që kokën ta kthjellojnë, kokën e re jo të vjetrën” u shpreh një qytetar banor i zonës së Don Boskos.
Kandidati për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi kërkoi nga banorët që të mos kenë frikë, të mbështesin kandidaturën e tij në mënyrë që pas 14 Majit, Tirana t`ju rikthehet qytetarëve e të jetë në shërbim e ndihmë të tyre.