TIRANË– Kandidati i dalë nga primaret për Bashkinë e Vaut të Dejës deputeti Zef Hila ka marrë dhe mbëhstetjen e grupit që mbështet Enkelejd Alibeaj në këtë zonë. Kështu në një postim në rrjetet sociale ata bëjnë me dije se pas diskutimeve kanë dalë në përfundmiin se Hila është e vetmja figurë që bashkon demokratët dhe merr besimin e qytetarëve në këtë bashki. Sipas njoftimit propozimi do i dorëzohet Enkelejd Alibeajt, Jorida Tabakut dhe Gazment Bardhi.
Deputeti Zef Hila doli fitues nga procesi i primareve i mbajtur nga Partia Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha. Hila mori 743 vota, ndërsa kandidati i dytë Kolë Shaba mori 117 vota. Me daljen zyrtarisht si kandidat në këto zgjedhje Hila sipas Kodit Zgjedhor do të dorëzojë mandatin e deputetit të fituar në zgjedhjet e 25 prillit. Duket se kjo lëvizje e grupimit që mbështetet deputetin Enkelejd Alibeaj në këtë degë vjen në një kohë që regjistrimi i PD në këto zgjedhje vendore është në “ngërç”. Ky veprim duket si një hap bashkimi mes demokratëve në bazë dhe pse në qendër PD vijon të jetë e ndarë.
POSTIMI:
DEKLARATË E KRYESISË SË PD VAU DEJËS
Pas informimit nga kryetari i degës z. Gentian Ndoj mbi diskutimet e zhvilluara nga Kolegji i Kryetarëve në datën 6 Mars 2023, dhe në vijim të diskutimeve të zhvilluara, Kryesia e Degës së PD Vau Dejës mbështet plotësisht thirrjen e organeve drejtuese për të dalë me një kandidat unik në zgjedhjet vendore të 14 Majit 2023.
Duke pasur në konsideratë deklaratën e kryetarit në detyrë z. Enkelejd Alibeaj që në këtë proçes do të merren në konsideratë si kandidaturat e dala nga proçesi i primareve të organizuara në vitin 2021, ashtu edhe proçesi i primareve të organizuara në vitin 2022 nga Komisioni i Rithemelimit, konstatojmë se deputeti i zonës z. Zef Hila, është kandidatura e vetme që ka marrë mbështetjen me votë në të dy këto proçese.
Prandaj, në emër të PD Vau Dejës shprehim vullnetin tonë të plotë për të mbështetur z. Hila si kandidat unik të të gjithë demokratëve të Vau Dejësit për zgjedhjet vendore të 14 Majit. Për shkak të kontributit dhe mbështetjes së tij në zonë, jemi të bindur se z. Hila është një kandidaturë fituese.
Këtë propozim, Kryesia e PD Vau Dejës do t’ia përcjell me shkrim z. Enkelejd Alibeaj, znj. Jorida Tabaku dhe z. Gazment Bardhi, si përfaqësues të organeve drejtuese të PD-së. Mbetemi të bindur që vullneti i strukturave drejtuese të PD Vau Dejës do të respektohet, në funksion të fitores së bashkisë dhe bashkimit të demokratëve.