Nga Denada DAPELLARI
Sa janë të varur adoleshentët nga rrjetet sociale?
Ne jetojmë në botën e rrjeteve sociale ku përditshmëria jonë lidhet shumë me informacionin që kërkojmë të marrim herë pas here. Varësia e adoleshentëve është në nivel më të lartë sesa tek fëmijët, kjo për arsye se vetë kureshtja e adoleshentëve i bën ata të hulumtojnë më shumë në botën virtuale. Duhet të jemi më specifik në ndarjen midis varësisë dhe kalimit të shumë orëve në rrjetet sociale për shkak të punës. Angazhimi në forma të ndryshme në mediat sociale është një aktivitet rutinë që sjell përfitime te fëmijët dhe adoleshentët qoftë në përmirësimin e komunikimit, lidhjeve shoqërore madje edhe rritjen e aftësive. Faqet e mediave sociale si Facebook dhe MySpace ofrojnë mundësi të shumta të përditshme për lidhjen me miqtë, shokët e klasës dhe njerëzit me interesa të përbashkëta.
Për shkak të kapacitetit të tyre të kufizuar për vetë-rregullim dhe ndjeshmërisë që kanë ndaj presionit të bashkëmoshatarëve, fëmijët dhe adoleshentët mund të gjenden në rrezik gjatë lundrimit dhe eksperimentimit në mediat sociale. Përdorimi me intensitet të lartë i mediave sociale i ekspozon fëmijët ndaj disa sjelljeve si: ngacmimi kibernetik, dërgimi i mesazheve me përmbajtje eksplicite, ekspozimi ndaj përmbajtjeve të papërshtatshme, diskriminimi etj.