Aktivisti Adriatik Lapaj ka lexuar kërkesat që i kanë drejtuar qeverisë për uljen e çmimeve si dhe marrjen e masave për të përballuar krizën. Gjatë fjalës së tij, Lapaj pasi lexoi kërkesat, tha se qeveria Rama ka kohë deri të shtunën për të marrë masa dhe të dalë me një paketë të dytë. Ndryshe sipas tij ata do të dalin në një marshim kombëtar më të madh.
“Përmbledhje në Pika: Heqje e taksës së qarkullimit dhe pezullim i alternuar i barrës fiskale mbi çmimin e karburantit. Pezullim i TVSH-së për produktet e shportës bazë Përcaktimi dhe ngrirja e përkohshme e marzhit të fitimit në sektorin e hidrokarbureve dhe transparencë me publikun. Zgjerim i skemës së kompensimit dhe mbështetjes së fermerëve. Paketë reale ndihme për pensionistët, invalidët dhe familjet me ndihmë ekonomike deri tejkalimin e krizës dhe përcaktim i minimumit jetik. Hetim e mbikqyrje e koncesioneve dhe shpenzimeve që ndikojnë në buxhetin e shtetit, si dhe e operatorëve që mund të ndikojnë arbitrarisht në rritjen e çmimeve. Deri të shtunën i lëmë afat qeverisë që të shqyrtojë kërkesat për të dalë me një paketë të dytë,” tha Lapaj.