Kreu i PD, Lulzim Basha ka reaguar në lidhje me paketën e rezistencës sociale të prezantuar nga Kryeministri Edi Rama.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Basha shkruan se Rama po tallet me qytetarët siç bëri në pandemic. Ai e ka quajtur një lëmoshë ndihmën e miratuar nga qeveria teksa thotë se rritja e çmimeve prek të gjitha shtresat dhe do të zhysë në varfëri qindra mijëra familje.
Kreu i PD thotë se ka zgjidhje dhe se ia kanë propozuar qeverisë kohë më parë dhe i kanë kërkuar që të marrë masat.
Postimi i Lulzim Bashës:
Edi Rama vazhdon të tallet me qytetarët me gjoja paketa shpëtimi. Është e njëjta skemë siç bëri në kohën e pandemisë, ku shumica dërmuese e shqiptarëve u zhyten në mjerim.
Qeveria ka parashikuar të shpërndajë lëmoshë tek grupe të kufizuara, që po mbijetojnë, kur në fakt rritja e çmimeve prek të gjitha shtresat dhe do të zhysë në varfëri qindra mijëra familje.
Zgjidhje ka.
Ia kemi propozuar kohë më parë ku i kërkuam të marrë masa. Sepse shqiptarët janë aq të varfër sa nuk i përballojnë dot kostot shtesë për të përmbushur nevojat bazë.
Mjafton të shohësh vendet fqinje për të kuptuar se ka zgjidhje që ndihmojnë të gjithë qytetarët.
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka miratuar ligjin për uljen e akcizës për karburantet dhe Tatimit mbi Vlerën e Shtuar nga 18 në 10 %. Po kështu ka vendosur për uljen e TVSH-së për ushqime bazë nga 5 në 0 %.
Por ndërkohë që bën sikur po ndihmon qytetarët, në këtë kohë krize qeveria po programon më shumë taksa; do rikthejë taksën për Biznesin e Vogël dhe një sërë taksash të tjera që do ta rëndojnë edhe më shumë gjendjen.
Me lëmoshë nuk zgjidhet kriza, ajo vetëm thellohet më shumë.