Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky u ka drejtuar një tjetër kërkesë për ndihmë aleatëve perëndimorë për të ndaluar sulmin brutal të Rusisë. “Këtë mëngjes ne po mbrojmë shtetin tonë të vetëm. Si dje, forcat më të fuqishme në botë po shikojnë nga larg”, tha Zelensky në fjalimin e tij drejtuar kombit këtë mëngjes.
“A ishte Rusia e bindur nga sanksionet e djeshme? Ne dëgjojmë në qiellin tonë dhe shohim në tokë se kjo nuk mjaftonte”, shtoi ai, duke nënkuptuar se forcat ruse kanë vazhduar bombardimet edhe pasi perëndimi njoftoi ato që i quajti “skanksione” shkatërruese ndaj Moskës zyrtare.
Udhëheqësi ukrainas ka konfirmuar sulmet e shumta raketore të raportuara sot para agimit. Zelensky tha se sulmet filluan në orën 4 të mëngjesit të së premtes me orën lokale, duke shtuar se sulmet e Rusisë kishin shënjestruar objekte ushtarake dhe civile.
Rusia nga ana e saj pretendon se ka goditur vetëm infrastrukturën ushtarake, por mediat ndërkombëtare shkruajnë se kryeqyteti Kiev ka parë shpërthime këtë mëngjes.
Herët këtë mëngjes, në orën 07.30, para se të kërkonte ndihmë nga shtetet e fuqishme të botës, presidenti Zelensky u foli sërish qytetarëve të tij përmes një video-mesazhi në gjuhën ukrainase dhe ruse.
Ai i bëri thirrje Rusisë për armëpushim.
“Rusia do të duhet të flasë me ne herët a vonë se si t’i japim fund armiqësive dhe të ndalojmë këtë pushtim” tha ai, duke shtuar se “Sa më shpejt të fillojë biseda, aq më të vogla do të jenë humbjet e Rusisë.”
Presidenti ukrainas bëri të qartë se nuk kishte ndërmend të largohej nga kryeqyteti dhe se e dinte se ishte objektivi numër një i Rusisë tani.