Nga Marsela LEKLI, psikologe
Fillimi i një “Viti të Ri”
Një i vrarë, katër të plagosur!!! Një ngjarje që ndodh në mesin e ditës, në një kafene, në një nga qendrat më të populluara të kryeqytetit. Përtej këtij përshkrimi të dhimbshëm, i denjë për vende në konflikte të armatosura, kjo e sotmja është kronikë e një shoqërie të traumatizuar dhe të plandosur në bjerrjen totale të vlerave të saj.
Fillimviti 2022, me ngjarje të tilla që pasqyrojnë egërsinë e realitetit në të cilën jetojmë, është klithma dhe kuja e një shoqërie të zhytur në pashpresshmëri dhe që vegjeton në dramën e regresit mesjetar ku jeta është në zgrip të hicgjësë. Të vrarët shtohen dita-ditës, thjeshtë ndryshojnë motivet në komunikatat e policisë.
Starti i këtij viti vjen tek shqiptarët me panoramën e trishtë të vrasjeve dhe humbjes së jetëve njerëzore, duke traumatizuar shoqërinë tonë me “sensacione” që artikulohen zakonshëm në mediat tona, duke dëshmuar parditshmërinë e këtij fenomeni.
Kjo është një traumë e shoqërisë tonë. Deri kur do të tolerojmë papërgjegjshmërinë insitucjonale për rivendosjen dhe krijimin e mekanizmave konkretë në funksion të rendit dhe sigurisë publike ndaj komunitetit.!!