📍Aleanca trelaterale Vuçiç-Rama-Zaev Ă«shtĂ« destabilizuese dhe antishqiptare


Nga Sali BERISHA

Bashkëpunimi rajonal është i dobishëm dhe i domosdoshëm po vetëm kur ai bëhet midis shteteve sovrane dhe të barabarta. Ky bashkëpunim zgjeron liritë themelore të qytetarëve të vendeve të rajonit, i shërben njohjes më të mirë, mirëkuptimit midis njerëzve dhe fuqizimit të shkëmbimeve ekonomike-kulturore midis vendeve.

Por efekt absolutisht të kundërt kanë aleancat bi- apo trelaterale rajonale, ato kërcënojnë paqen, stabilitetin veçanërisht në rajone që sapo kanë dalë nga konflikte të egra. Një aleance e tillë është dhe aleanca trelaterale e Presidentit të Serbomadhisë Vuçiç me argatët apo çirakët e tij Rama&Zaev.

Kjo aleancë u themelua në Novi Sad, ku Vuçiç në prani të Ramës dhe Zaev lançoi idenë e vjetër të Mini Shengenit rajonal. Por mungesa e Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjes, e shndërroi samitin e Novi Sadit në Samitin e Vuçiçit apo të padronit dhe dy çirakëve të tij, të cilët me praninë e tyre në atë samit shpallën Vuçiçin si promotor të integrimeve rajonale, de facto si udhëheqësin e rajonit. Kjo aleancë është e tëra në funksion të Aleksandër Vuçiçit, dhe kryekëput kundër Kosovës dhe defaktorizimit të rolit të saj si vend i pavarur në rajon, për llogari të Serbisë.

Samiti i Zotërisë me dy shërbëtorë në Novi Sad fshiu Kosovën, po për interesa absolute të Vuçiçit dhe serbomadhisë së tij, jo vetëm nga tryeza e bisedimeve, por në një provokacion shumë të rëndë dhe nga harta e Ballkanit. Në këtë kontekst Beogradi ditën e Samitit publikoi hartën e Samitit për rajonin, në të cilën Kosova paraqitej si pjesë e Serbisë dhe Edi Rama në mediat e tij, por edhe në rrjetin e tij personal të fb publikoi hartat e Beogradit për rajonin, në të cilat Kosova paraqitej pjesë e Serbisë.

Pas këtij Samiti themelues, fantazma e aleancës trelaterale përçarëse Vuçiç-Rama-Zaev kaloi edhe në Shkup dhe Tiranë, duke ndezur po për llogari të padronit Vuçiç dhe në një akt të mirëfilltë antishqiptar, antikombëtar luftën e ftohtë të Tiranës ndaj Prishtines.

Edi Rama, mikpritësi i Samitit, me urdhër të padronit të tij, nuk kurseu rrufetë ndaj kryeministrit të Kosovës dhe rezultati i vetëm i Samitit të Tiranes ishte kjo luftë antikombëtare e Edi Ramës ndaj Kosovës. Marrëveshja e Uashingtonit ku Serbia dhe Kosova u ulën në Shtëpinë e Bardhë në prani të Presidentit Trump si palë të barabarta, u duk se i dha fund aleancës trelaterale të Novisadit dhe e shndërroi marrëveshjen e Novi Sadit apo Mini Shengenin në një marrëveshje midis shteteve të barabarta të rajonit.

Por samiti i fundit trelateral virtual Vuçiç-Rama-Zaev ishte një shkelje e hapur e marrëveshjes së Uashingtonit dhe rikthim te traktati i Novi Sadit, i cili injoron ekzistencën e shtetit të pavarur të Kosovës dhe vendos hegjemoninë e Serbisë në rajon. Përveç kësaj, aleanca trelaterale Vuçiç-Rama-Zaev është destabilizuese dhe antishqiptare sepse ajo në një farë mënyre është kundër edhe shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.

Duke përfituar nga kjo aleancë, partitë politike të etnisë maqedonase hartuan rezolutën në përgjigje të problemeve që kanë me Bullgarinë, në të cilën injorohet tërësisht ekzistenca e etnisë shqiptare në atë vend. Unë uroj që kundërshtitë midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë të zgjidhen sa më shpejt, por vlerësoj se me rezolutën e fundit, partitë e etnisë maqedonase u sollën sikur në atë vend jetojnë vetëm ato dhe jo edhe shqiptarët.

Përveç këtyre, Aleanca trelaterale e Mini Shengenit gjysma-gjel Vuçiç-Rama-Zaev, në të cilin nuk marrin pjesë tre vendet e tjera, sepse nuk dëshirojnë të nxisin serbomadhinë në rajon, vetvetiu ushqen dhe gjallëron nacionalizmat rajonalë. Si përfundim mund të thuhet se rajoni ka nevojë jo për Aleanca gjithëperfshirëse dhe jo bi- apo trelaterale. Historia ka provuar se hegjemonia serbe në rajon, apo dominimi i Ballkanit nga Beogradi, nxit destabilizm dhe konflikte.