Reshjet e dendura të shiut kanë përfshirë edhe qytetin e Fierit. Deri tani nuk raportohet për dëme, ndërsa shiu vijon, dhe është shoqëruar me breshër e vetëtima.
Më problematike situata ka qenë në Lushnje, ku reshjet kanë mbuluar rrugët kryesore të qytetit, duke e bërë të vështirë kalimin e qytetarëve dhe automjeteve. E njëjta situatë është paraqitur edhe në qytetin bregdetar të Durrësit, ku shirat kanë qenë me intensitet të lartë. Edhe në Berat ka pasur mjaft reshje të dendura shiu dhe breshëri, të cilat nuk kanë sjellë ndonjë problem me qarkullimin në rrugë.
Në vijim, sipas “MeteoAlb”, mesdita dhe kryesisht pasditja do të sjellin shpeshtim të vranësirave, të cilat do të gjenerojnë rrebeshe shiu në pjesën më të madhe të vendit tonë. Nuk do të mungojnë edhe stuhitë afatshkurtra e të izoluara të breshrit. Orët e mbrëmjes përmirësojnë përkohësisht kushtet e motit në vendin tonë.