E pse s’po martohesh?! -Po ja, mukajeti, jo sot, jo nesër! Si nuk e kuptojnë njerëzit se jo çdo pyetje idjote duhet t’ja drejtojnë personit përballë? A thua ti se martesa është një kafshatë bukë, që ta hash e të mos bësh naze deri në mëngjes. E pikërisht, mendimet e këtilla, që vajza duhet të martohet para të 25-ave bëjnë që shumë martesa të jenë të pa lumtura, të përfundojnë në divorc, të përjetojnë dhunë e disfata nga më çnjerëzoret, vetëm për hir të fjalëve të botës.
Por unë nuk jam ajo! Nuk mund të jem unë e pa lumtur për hir të askujt. Më fal mam, por mos më detyro. Mos më vë para zgjedhjeve të cilat unë as nuk i konsideroj dhe mos tento të ma mbushësh mendjen me çdo të thotë bota. E di pse mam?! Se ti më ke treguar se vajzat ja dalin vetë, që nuk janë pronë e privatizuar e askujt dhe që zgjedhjet e jetës janë individuale. Unë jam ajo, e çmendura, rrebelja, Era kundër botës për të treguar se limitet e mia i di unë dhe po unë i paguaj zgjedhjet e mia…..
Lërini vajzat të lira, lërini të gabojnë, lërini të provojnë dhe dështojnë, të rrëzohen e ngrihen, të qeshin e qajnë.
Mos i ndrydhni, mos i detyroni, mos i dhunoni, mos i braktisni, mos i presiononi. Jepini mundësinë të kënaqen me veten, të dinë të jetojnë vetë pa nevojën e një burri në krah. Nuk jam kundër burrave, jam kundër maskilizmit që përdoret në shoqërinë shqiptare që për pak kripë më tepër hedhur në gjellë, duhet të të nxihet trupi. Kur do të jemi për barazinë, për jetën dhe për të ardhmen?
Çfarë është martesa fundja?! Një kontratë e përbashkët mes dy njerëzve për të ndarë fatuarat? Apo në rastin e kulturës shqiptare, do martohem që nusja t’ju bëjë “hyzmet” prindërve dhe të rrisë fëmijët. E pa drejtë, se dashuria nuk ka kushte dhe as detyrime. Më vjen keq që shoh fytyra të pa lumtura çdo ditë, që shoh foto të bukura në rrjetet sociale, por zemra të gurta dhe mungesë të theksuar dashurie. Ne nuk kemi nevojë për një burrë, ne kemi nevojë të duam veten, të dimë çfarë duam dhe të mendojmë e veprojmë për egoizmin personal që të mos nëpërkëmbemi dhe as shihemi si objekt seksual për tu argëtuar.…..burri pastaj është një aksesor shtesë!/InfoPressAlbania (Era Dushi)