Nga Agron PREBIBAJ
Në këto vargje të poetit Gjin Progni vlon klithma e dëshpërimit për realitetin soc-politik në Shqipëri, ku përvijohet rrebelimi individual për çfarë po ndodh në vendin tonë.
Ai e ndërton vargun edhe si akuzë, edhe si tonalitet, duke na shpërfaqur një realitet të trishtë.
Poeti merr disa simbole si kulla, kombi, dhe nuk është vështirë të kuptosh që, përmes tronditjes e plasaritjes së tyre, shfaqen kohërat e reja të mbisunduara nga ankthi, babëzia, indiferenca e klikave sunduese, pra çdo gjë shkon drejt shpërbërjes nëpërmjet vetëpushtimit djallëzor që i kanë brërë vetes këto elita të korruptuara.
Kështu, poeti duket se i bën thirrje ndërgjegjes së tronditur që nga vetja, por edhe atyre që e kuptojnë këtë realitet dhe ende nuk janë molepsur nga e keqja.
Mërgimi sot është një plagë e hapur për njerëzit këtu, një denomen social dhe politik, një fenomen i heshtur i ditpërditshëm, kur jeta pamundësohet në këto troje.
Dhe jeta pamundësohet jo për shkak të mungesës të burimeve të saj, as të resurseve natyrore, por për shkak të hajnisë, indiferencës, padrejtësisë, klimës së pasigurisë, psikologjisë së dobët të qëndresës kolektive, mungesës së reagimit dhe të solidaritetit me të dobëtin.
E gjithë kjo kuptohet nga vargjet sintetikë të Gjin Prognit, shkruar thjesht si një elegji dhimbjeje ku ndërtimi i simboleve nuk është vështirë të adresohet në njerëz të veçantë të nënkuptueshëm.
Këto vargje krijojnë atmosferën e një prag-ikjeje, një eksod biblik dhe poeti shpreh trishtimin e madh për këtë duke apeluar për frenimin e saj.
Kjo jepet nënkuptueshëm dhe me një dashuri të veçantë për atdheun.
Vargu buron së brendshmi nga kjo ndjenjë dhe kultivohet përmes mençurisë së fjalës dhe të mesazheve…
Poezi nga Gjin PROGNI
Arrati
Më është arratisur
Gjin Progni.
Mbi tavolin ka lënë
një letër:
Kullën e stërgjyshit
ma shembën,
aty po ndërtohet
një gradaçelë hajnie.
Teatrin e jetës
ma shembën,
aty po ndërtojnë
varrezë masive
për të gjallët e mi.
Zemrën e nënës
ma kanë kthyer në
det lotësh
për fëmijët mërgimtarë.
Shpresën time
e kanë kthyer në
sorrë,
që krrakat.
Ditët e mia
veç rrena hanë,
ndaj nuk shoh kurrkund
dritë.
Natën nuk flej,
por bëj luftë të pabarabartësh.
Dalin minj, morra, pleshta e stenica,
që lypin
me m’hangër
dhe atë pak njeri
që kam mbetë.
Do iki
të kërkojë kombin tim
emërmadh
ndër të vdekunit e gjallë,
meqënëse
ju të gjallët
keni vdekur
për së gjalli.