Kjo ishte nga ngjarjet më të spikatura që ndikuan në rënien totale të regjimit komunist në Shqipëri.
Më 20 shkurt 1991, dhjetëra dhe mijëra qytetarë u ngritën për të shembur simbolin e komunizmit, pak muaj pasi regjimi i vjetër që po jetonte ditët e tij të fundit kishte lejuar pluralizmin politik.
Rrëzimi i bustit të diktatorit u nxit nga greva e urisë e ndërmarrë nga disa qindra studentë për t’i hequr universitetit emrin e tij.
Në fakt, revolta popullore kishte nisur me protestat e studentëve në fund të dhjetorit për t’u shpërndarë më pas në çdo qytet të vendit.
Busti u rrëzua në një kohë kur vendi ndodhej në një situatë të rënduar politike. Kishte vetëm dy muaj që ishte themeluar Partia Demokratike dhe ishte shpallur dita e zgjedhjeve të para pluraliste në Shqipëri më 31 mars 1991.
20 shkurti është caktuar si Dita e Kujtesës Kombëtare për martirët dhe viktimat e regjimit komunist.
Kjo shënoi edhe fundin e diktaturës në Shqipëri.
Pamjet e atij momenti në sheshin “Skënderbej” bënë xhiron e botës dhe e vunë edhe një herë Shqipërinë në fokus të zhvillimeve ndërkombëtare.