Gazeta belge “L’Echo”, shkruan se Francesco Becchetti, ka kërkuar nga gjykata e shkallës së parë, konfiskimin e aseteve të Shqipërisë në kompaninë Eurocontrol.
Në shkrimin e gazetarit Nicolas Keszei, thuhet se Bechetti ka marrë dritën jeshile për të marrë asetet e Shqipërisë, nga kjo kompani, deri në këto momente në shifrën e 170 mijë eurove.
Shqipëria, është një nga 41 anëtaret e këtij institucioni europian, i cili ka për detyrë mbledhjen e tarifave të paguara nga kompanitë e fluturimeve, për fluturime të kryera në territore të ndryshme. Në rastin konkret, bëhet fjalë për pagesat që Eurocontrol i bën Albcontrol-it shqiptar.
“Duke qenë se ky konfiskim është bërë në dhjetor 2020, shuma e bllokuar deri sot nuk është shumë e lartë. Sipas lajmeve të fundit, bëhet fjalë për një shumë rreth 170 mijë euro. Shuma e ulët, shpjegohet me krizën shëndetësore, që ka ndalur shumë fluturime. Por, siç na kujton Hakim Bourlabah në një tjetër arbitrazh ku u dënua Rumania, që të kompensonte vëllezërit Micula, konfiskimi i aseteve në Eurocontrol, bëri të mundur ngrirjen e 11 milionë eurove“, thuhet ndër të tjera në shkrimin e gazetës belge, duke krijuar dyshimet se me përmirësimin e situatës në sektorin e aviacionit, shifra mund të rritet ndjeshëm.
Qeveria shqiptare nuk është dakord me këtë vendim dhe do ta apelojë, për shkak se konsideron se pagesat që Eurocontrol i bën homoleges, Albcontrol, kanë imunitet dhe për këtë arsye nuk mund të konfiskohen.
Megjithatë, nga ana e qeverisë shqiptare, nuk ka patur asnjë transparencë sa i përket procesit të arbitrazhit me Bechettin.
Kryeministri Rama, ka deklarur se nuk mund të shprehet lidhur me këtë proces, për shkak se është i detyruar të ruajë konfidencialitetin, por ai mohon kategorikisht, që Shqipëria të ketë humbur ndonjë proces arbitrazhi me Bechettin.
Pak muaj më parë, një shkrim të “Der Standard”, thuhej se Bechetti dhe të tjerët, kanë filluar të kërkojnë konfiskimin e aseteve të Shqipërisë në Austri, sepse qeveria shqiptare refuzon të pagujë paratë e gjyqit të humbur. Në shkrim sqarohej, se edhe pse qeveria pretendon se procesi është në apel, sërish paratë duhet të paguhen.
“Disa banka austriake dhe kompani energjitike kanë marrë së fundmi emaile të pazakonta. Një firmë ligjore i ka pyetur nëse kanë asete të Republikës së Shqipërisë. Arsyeja është një arbitrazh që investitorë italianë kanë nisur kundër Shqipërisë në vitin 2015 dhe kanë fituar. ICSID i ka akorduar 100 milionë euro në prill 2019. Për shkak se qeveria në Tiranë, refuzon të pajtohet me vendimin, asetet shqiptare të cilat nuk janë të mbrojtura nga konventat diplomatike mund të konfiskohen në mbarë botën“. thuhet ndër të tjera në shkrimin e medias austriake.
Por kryeministri Edi Rama, e quajti këtë shkrim si “skandaloz” dhe “të pavërtetë”.
“Shkrimi është bazuar në të pavërteta. Është shkrim skandaloz. Di që deri tani që flasim, për gjyqet që nuk kanë mbaruar, për të cilat jemi në kushte konfidencialiteti, nuk bëj dot koment. Ato që kanë mbaruar, ne i kemi fituar me Bechettin. Nuk është e vërtetë që çështja është në atë kornizë të shkruar nga ajo gazetë, që është në fakt, një gazetë e respektueshme“, tha Rama.
Prej kohësh Avokatura e Shtetit refuzon të japë informacion lidhur me proceset e Shqipërisë në Arbitrazh, madje presidenti i Republikës, Ilir Meta, është detyruar të kërkoje shpjegime publikisht, gjatë një konference për shtyp, me argumentin se autoritetet nuk kanë pranuar t’i japin informacion.
Procesi i Bechettit është një rast mjaft i njohur në Shqipëri, që ka bërë bujë, për shkak të shifrës jashtëzakonisht të lartë të cilën qeveria rrezikon të paguajë, e cila do të ishte një katastrofë për buxhetin, veçanërisht duke marrë parasysh edhe pasojat e tërmetit dhe pandemisë. Rasti është i bujshëm edhe për faktin se Bechettit i’u konfiskua televizioni në mënyrë brutale dhe se pati ndërhyrje të politikës.
Kujtojmë, se një nga personat që e ka kërcënuar Bechettin personalisht dhe drejtëpërdrejt, është kryebashkiaku Erion Veliaj, për shkak se Agon Channel, kishte dërguar gazetarë në dasmën luksoze me qindra të ftuar vip, të Veliajt me Ajola Xoxën, në kalanë e Gjirokastrës.
Media prestigjioze britanike, “The Independent”, ka publikuar edhe një mesazh që Erion Veliaj ka shkruar në formë kërcënimi për drejtuesit e televizionit.
“Unë nuk e kuptoj përse po ma bëni këtë,” shkruajti Veliaj në mesazh. “Po më detyroni të bëhem armiku juaj! E gjithë qeveria do të jetë armike e [Bechettit] pa ndonjë arsye“, thuhet në mesazhin e Veliajt.
/TPZ.al/