Demokratët e qarkut të Lezhës konfirmuan në bllok listën e kandidatëve që kaluan filtrin në fazën e dytë të komisionit të ngritur në PD për seleksionimin e kandidatëve për deputetë dhe kryetar bashkie.

Në degën e Lezhës, nga 1850 anëtarë me të drejtë vote, ushtruan të drejtën e tyre për të votuar 1138 persona, ose ndryshe 61.5% e anëtarësisë. Demokratët e degës së Lezhës konfirmuan në bllok të 16 emrat që kishte çuar komisioni i ngritur në PD. Po kështu, edhe dy degët e tjera të qarkut të Lezhës, dega Mirditë dhe dega Kurbin, konfirmuan në bllok emrat e sjellë nga komisioni i seleksionimit. Lezha bëhet kështu qarku i 6-të, i cili zgjedh kandidatët e PD-së për të vijuar garën në listën e selisë blu në zgjedhjet e 2021-shit për deputetë dhe për zgjedhjet lokale. Sot nuk do të ketë votime, por pritet që të dalin emrat e kandidatëve në qarkun e Durrësit që synojnë të jenë pjesë e ekipit të kryedemokratit Basha për të shkuar në zgjedhjet e ardhshme.

PROCESI
Pas përfundimit të procesit të konsultimit me anëtarësinë, kandidatët e konfirmuar i nënshtrohen vlerësimit përfundimtar të komisionit në fazën e tretë. Anëtarët e komisionit votojnë bazuar, kryesisht, në vlerësimin e performancës politike të kandidatit dhe mundësinë e maksimizimit të votës. Pas këtij vlerësimi përfundimtar, lista me kandidatët që kalojnë fazën e tretë i dorëzohet për vendimmarrje finale Kryesisë së Partisë Demokratike.
Votimi i konsultimit të anëtarësisë ka përfunduar në qarkun e Kukësit, Dibrës, Gjirokastrës dhe Beratit dhe në qarkun e Lezhës, ndërsa sot dalin emrat për qarkun e Durrësit. Procesi po ndiqet nga afër nga Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, dy nënkryetarët, Edi Paloka dhe Edmond Spaho, Sekretari Organizativ, Sahit Dollapi dhe Sekretari i Burimeve Njerëzore, Ervin Minarolli. Procesi i zgjedhjes së kandidatëve që do të jenë në listën e një partie po praktikohet për herë të parë në vendin tonë. Përzgjedhja e potencialeve në PD nisi në qershor të këtij viti ku u morën fillimisht propozimet e anëtarësisë.
Demokratët propozuan në tërësi 3600 emra, por komisioni i posaçëm në PD kaloi në fazën e dytë 1000 kandidatë. Ndërkohë, këtyre iu kërkua që të plotësonin një formular vetëdeklarimi, i njëjtë me atë të dekriminalizimit. Pasi u verifikuan dokumentet, komisioni vlerësoi si të përshtatshëm 400 kandidatë. Ndërkohë, këta po ballafaqohen me anëtarësinë. I gjithë procesi pritet të përfundojë në mes të tetorit.











