Nga Skender Doçi
Situata politike dhe demokratike, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë nuk është në nivelin e mundësive që mund të ishte normalisht dhe realisht. Dallimi mes dy shteteve shqiptare është se, në Shqipëri situata ndodhet e tillë katërcipërisht si rrjedhojë e zhvillimeve politike të brendshme, ndërsa në Kosovë në një masë të madhe zhvillimet politike kanë qenë të kondicionuara edhe nga faktorë të tjerë jo të brendshëm, për të cilët s’është nevoja të zgjatemi pasi dihen nga të gjithë.
Ngjarja e fundit në Kosovë, ku Haga kërkon për të dëshmuar dy politikanë kryesorë (njëri edhe president) me akuzën “për krime lufte” .
Është i ndërgjegjshëm dhe besimplotë çdo shqiptar, ashtu edhe politika ndërkombëtare se, nuk qëndron as parimisht, as juridikisht, as moralisht një akuzë e tillë për asnjërin nga drejtuesit e UÇK-së.
E pretendojnë një gjë të tillë, e lobojnë dhe e inciojnë kriminelët e vërtetë dhe xhelatët e lirisë së popujve që ishin nën juridiksionin e Jugosllavisë dhe dihet botërisht se është: sistemi shtetërorë ultranacionalist dhe shovinist i Serbisë me në krye xhelatin e ballkanit Sllobodan Millosheviç. Pesha më e madhe e krimeve të këtij shteti post-fashist (Serbia) për gjithë Evropën e pasluftës së dytë botërore ranë mbi shtetin e Kosovës dhe të Bosnjës. Ka vdekur Sllobodani, por ka ndryshuar shumë pak Serbia dhe shteti serb. Akoma më pak, kanë ndryshuar epshet e tyre gjakpirëse ndaj shqiptarëve me një qëllim final “shfarosjen etnike të çdo shqiptari anembanë Kosovës”.
Këtë e dinë mirë të gjitha shoqëritë demokratike dhe përfaqësuesit e tyre politik, kryesisht në Evropë dhe Amerikë. Të cilat mbi bazën e principeve të tyre për lirinë dhe të drejtën, dhe më fuqinë e tyre ushtarake e zbrapsën njëherë e përgjithmonë planin ogurzi të Serbisë. Këtu nuk është aspak qëllimi të lë pas dore rolin historik që luajti UÇK për çlirimin e Kosovës, sikurse theksoj se, faktori determinant në çlirimin e Kosovës ishin vendet anëtare të NATO-s, dhe nderkombetarizimi i qeshtjes së kosoves nga njeri ndër liderët pacifist të evropës Ibrahim Rugova.
Kurrë kombi shqiptar nuk ka pasur garant më të mëdhenj, për mbrojtjen e lirisë dhe territoreve të veta, duke u krijuar një klimë dhe terren i sigurtë për zhvillimin e demokracisë dhe vlerave tona kombëtare.
Për gjatë njëzet viteve, zhvillimet në Kosovë kanë qenë pozitive, falë edhe vëmendjes e mbikqyrjes dashamirëse të Evropës dhe Amerikës për Kosovën, por në një masë jo të vogël edhe si rezultat i interesave gjeo-politike dhe strategjike të aleatëve dhe miqve tanë perendimorë.
E thënë ndryshe, kombi shqiptar me ndihmën e faktorit ndërkombëtarë, fitoi në fund të shekullit të XX, atë që kishte humbur në fillimet e tij, dhe nuk ishte pak, ishte gjysma, e cila, ndoshta me kohën, mund të fshihej edhe nga harta si territor shqiptar i banuar nga një popullsi autoktone shqiptare. Pikërisht këtë synonte Serbia, dhe për hir të së vërtetës, po ta bënte Amerika dhe Evropa “një sy qorr e një vesh shurdh” gjasat ishin jashtëzakonisht të mëdhaja.
Sot për sot, përgjegjësia, misioni, apo më mirë “barra” e politikanëve dhe politikës kosovare nuk është aspak e lehtë.
Dëshiroj të theksoj këtu një koncept parimor, të cilin e kam shprehur edhe në kohën kur diskutohej plani ogurzi i këmbimit të territoreve, i cili për fatin e mirë të shqiptarëve, dhe prapë më ndihmën e komunitetit ndërkombëtar, tani është veçse një ëndërr e keqe dhe e kaluar si e tillë.
Në asnjë vend, dhe për më tepër në Kosovë (ku problematika është shumëdimensionale dhe e koklavitur), nuk i kërkohet as nuk është detyrë e një politikani të caktuar, apo e një klase politike (momentale në kontekstin historik) të zgjidh të gjitha çështjet e ngatërruara dhe të koklavitura për një shekull. Kjo nuk është as në përgjegjësinë historike të një brezi të vetëm. Ajo që ka të bëj me përgjegjësinë dhe historinë e një politikani apo të një klase politike të caktuar është, shfrytëzimi maksimal i rrethanave dhe faktorëve që favorizojnë përmbushjen e interesave kombëtare, qoftë në aspektin kohor, qoftë në atë strategjik që është akoma me i rëndësishëm.
Ajo që historia nuk do të ta falë është gabimi, me kalimin e kohës harrohen faktorët, rrethanat, arsyet dhe dëshira (për mirë) në të cilin ti e bëre dhe ngelet “gabimi historiK” për të cilin ti në vend të asaj përpjekjes diletante për të mbetur në histori nëpërmes zgjidhjes totale, vendit tënd i ke bërë një “tradhëti” historike. Dihet se këmbimi i territoreve me agresorin, kur në lojë është e gjitha pjesa jote, për të cilën agresori nuk ka një vendim historik mbi përkatësinë e këtij territori, dhe ti si zgjidhje ofron një vendim për zgjidhje, ku dakortësoheni për t’i ndarë përgjysëm, kjo padyshim që është tradhëti kombëtare, pasi atij i çertifikove gjysmën, për të cilën brezat e ardhshëm nuk mund të kenë as pretendimin më të vogël.
Këtu pa dashur të mohoj kontributin e mbretit Zog, sjell në vemendje, mbështetjen që i kërkoi Serbisë, përkundrejt një haraçi shumë të madh kombëtar që i kërkoi Serbia, për të ardhur Zogu në pushtet. E thënë ndryshe, i kërkonte ndihmë për të rrëzuar nga pushteti një shqiptar tjetër i cili është nga figurat më të ndritura që ne kishim, Fan Noli, një shteti, cili para vetëm 11 vitesh na kishte rrëmbyer gjysmën e territoreve.
Pastaj krejnohej “mbreti”se, i dhashë vetëm një pjesë të vogël të haraçit, Shën-Naumin. Tani, pas një shekulli pyesim, më mirë që fitoi Zogu e dha Shën-Naumin, apo të vazhdonte Noli e sot të kishim edhe Shën-Naumin????.
Me mirë të fitonte Balli kombëtar në vitet 44-45, e të rreshtoheshim në krahun e vendeve demokratike perendimore, të cilat nuk kishin pretendime territoriale mbi vendin tonë, apo më mirë që fituan komunistat dhe u rreshtuam në krahun e vendeve komuniste, nën patronazhin politik të Jugosllavisë, e cila tridhjetë vite më parë na kishte rrëmbyer gjysmën e kombit (pa hyrë këtu te zhvillimet e mëvonshme).
Pastaj në vitin 48 apo 49 vjen agresioni grek në jugun e Shqipërisë, nga një vend jashtë “internacionales komuniste” dhe deri më sot, nuk di të jetë gjetur një prononcim, rozolute apo kontestim i asnjërit nga vendet e inernacionales komuniste ku aderonim ne, theksoj edhe një herë faktin se vendi agresor Greqia, nuk bënte pjesë në internacionalen dhe prapë kalohej në heshtje. Tani llogariteni vetë se ku u rreshtua Enver Hoxha dhe sa i përmbushi rreshtimi i tij interesat kombëtare????
Pa u zgjatur, e gjitha kjo tregon ndarjen dhe dallimin e madh, që egziston midis “historisë dhe interesit të personit” me “historinë dhe interesin e kombit”. Pikërisht këtë kanë kuptuar personalitetet e kombeve që kanë lulëzuar për gjatë dy shekujve të fundit. E kanë vendosur vendin e tyre në binarët e interesit kombëtar, e jo duke vendosur kombin në binarët e interesit apo emrit personal.
Kthehemi tek situata e fundit në Kosovë.
Prokurori special për krime lufte, ka dorëzuar akt-padinë pranë gjykatës ndërkombëtare, për dy nga figurat politike të Kosovës. Kryeministri Hoti deklaron i pari bojkotimin e takimit të Uashingtonit. Më ngjan jo-diplomatike ky në cilësinë e kryeministrit nuk duhet ta bënte pasi, situata nuk zhvillohet rreth personit të tij. Secili nga faktorët e tjerë lëre të bëjë zgjedhjen e vet, qoftë nga ata që janë mbikqyrësit e takimit qoftë anëtarët e delegacionit të Kosovës, pasi situata e krijuar nuk kishte lidhje të drejtpërdrejtë me objektivat për të cilët organizohej takimi në Uashington.
Nga ta dimë ne se, situata e krijuar në mënyrë të papritur nuk është rrjedhojë e lobimit serb për të minuar takimin dhe fajtor për këtë të mbetet pala shqiptare. Jo se u bë nami por lëvizja dhe prononcimi i Hotit nuk ishte më e mira për rrethanat ishte poshtë nivelit mesatar në fushën e diplomacisë. Ishte me karakter lokal dhe deri diku qëndrim në funksion të interesit personal të atij apo dikuj tjetër rreth tij. Mendoj se ishte e nxituar e jo në koherencë me diplomacinë e kohës. Mund të shërbejë si një presion politik në miniaturë mbi prokurorin special dhe gjykatën.
Aq më tepër që, thirrja e drejtuesve politik dikur drejtues të uçk nga gjykata për krime lufte nuk është risi në Kosovë. Aq më tepër, Hoti si kryeminister i Kosovës duhej të paraqitej para opinionit ndërkombëtar si një prurje me dimensione dhe koncepte të reja, larg çengelave të inskenuara nga Serbia kohë pas kohe dhe për më tepër të shprehte vullnetin pozitiv, pasi takimi ishte bërë nul për mos pjesëmarrjen e anëtarëve të delegacionit nga Kosova.
Politika shqiptare dhe kosovare duhet ta kenë të qartë se, nuk është përmasa dhe ndikimi për të shtuar njohjet e shteteve të tjera për Kosovën si shtet i pavarur as të ndalojë mos-njohjet e atyre që e kanë njohur.
Diplomacia dhe lobimi serb, nuk pushojnë së gjeturi metoda ftohëse dhe minuese të politikës kosovare me faktorin ndërkombëtar. “Arma” e tyre mund të fillojë të jetë efikase, prandaj në përgjigje të saj duhen mentalitete dhe vizione të reja, politike dhe diplomatike.
Dua të theksoj se, rrëzimi i Qeverisë Kurti ishte një veprim shumë i nxituar, nga pikëpamja politike kombëtare, pavarësisht proçedurave demokratike, nuk është më e drejtë, më e gjetur dhe më e justifikuar, rrëzimi i një kryeministri, se sa shkarkimi i një ministri nga kryeministri, në çfarëdolloj rrethane qoftë ai.
Mendoj se dy qeveritë, e Prishtinës dhe ajo e Tiranës, ndodhen në një terren politik dhe demokratik të venitur, për çuarjen përpara të kauzave të mëdha me karakter kombëtar dhe demokratik. Kur ndodh kjo, deklaratat me natyrën e një “patriotizmi reciprok”, ku në themel kanë më shumë ndere të ndërsjellta politike-personale dhe për konsum të brendshëm elektoral, sesa interesat strategjike kombëtare, të cilat kërkojnë frekuenca të mirëkordinuara me miqtë e mëdhenjë euro-atlantik, që për fat ndodhen në krahun tonë.
Skender Doçi
26 Qershor 2020