Bashkimi Europian u bëri thirrje vendeve anëtare për masa të koordinuara kundër përhapjes së koronavirusit si dhe zgjatje të ndalimit të udhëtimit deri më 15 maj. Pas kësaj date Brukseli thotë se do të vendoset mbi vlerësimin e situatës epidemiologjike.
Komisioni Europian u kërkoi vendeve anëtare që të zgjasin ndalimin e udhëtimit deri më 15 maj.
“Përvoja e shteteve anëtare dhe vendeve të tjera të ekspozuara ndaj pandemisë, tregon se masat e marra për të luftuar përhapjen e virusit, për të qenë efektive, duhet të zgjasin më shumë se 30 ditë”, tha Komisioni nëpërmjet një deklarate.
Komisioneri, Margaritis Schinas, përgjegjës për nxitjen e mënyrës europiane të jetesës, theksoi se deri më tani, shtetet anëtare, kanë zbatuar me sukses masat e nevojshme për të luftuar pandeminë.
“Megjithëse ne tashmë mund të shohim rezultatet e para, nevojitet një shtyrje e kufizimeve të udhëtimit për të vazhduar me uljen e përhapjes së sëmundjes. Ne nuk mund ta hapim derën, derisa ta sigurojmë shtëpinë”, tha Schinas.
Kufizimi i udhëtimit, si dhe ftesa për ta zgjatur atë, i referohet zonës së ashtuquajtur “BE plus”, e cila përfshin të gjitha shtetet anëtare të BE-së, anëtarët e Shengenit, si dhe katër vendet: Islandën, Lihtenshtajnin, Norvegjinë dhe Zvicrën.
Komisioni Europian bën thirrje për një qasje të koordinuar, pasi beson se masat mund të jenë efektive, vetëm nëse zbatohen nga të gjitha vendet në të njëjtën periudhë dhe në mënyrë unike.
Deklarata e KE-së thekson se çdo zgjatje e mëtejshme e kufizimeve të udhëtimit përtej 15 majit do të vendoset më vonë, dhe do të bazohet mbi një vlerësim të situatës epidemiologjike.