Kryeministri Edi Rama tha se nga e hëna do të nisë riatdhesimi i të gjithë shqiptarëve që kanë mbetur jashtë vendit, dhe nuk mund të ktheheshin më për shkak të pezullimit të fluturimeve.
Kreu i qeverisë u shpreh se ka marrë qindra mesazhe, ku shqiptarët kërkojnë të kthehen në shtëpi, qoftë edhe duke paguar fluturimet, por qeveria ka vendosur që riatdhesimi i tyre të bëhet falas.
Rama ritheksoi apelin e tij për durim, dhe shtoi se në kohë lufte të gjithë duhet të japin diçka nga vetja, duke iu referuar pagesës së energjisë elektrike, që kurrsesi nuk mund të hiqet.
“Po bëhemi 14 copash përditë dhe përnatë që të mos lëmë vetëm asnjërin prej jush, që nga ndihma mjekësore dhe te ajo ushqimore, e deri te ata që nuk kthehen dot në shtëpi për shkak se kanë mbetur në vende të ndryshme të kontinentit.
Dreqi e mori futeni mirë në kokë që jemi në luftë dhe secili duhet të shtrëngohet, jemi në luftë dhe qeveria mbahet nga të ardhurat, ne falëm kamatvonesat, dhe kjo e dobëson nuk e forcon OSHEE-në, mospagesa e energjisë do ta rrënonte tërësisht OSHEE-në, do të na çonte në një gropë të zezë.
Duke u kthyer te njerëzit që kanë mbetur jashtë shtetit, të hënën nisin misionet e riatdhesimit, ku do të kthejmë në vend të gjithë ata që kanë mbetur jashtë vendit, do ti sjellim pa pagesë”, u shpreh Rama.
Kujtojmë se pa pak ditëmë parë kreu i qeverisë kishte deklaruar në një studio televizive se shteti nuk kishte mundësi të kthente shqiptarët në vend, por duket se i gjendur para një presioni të jashtëzakonshëm nga qytetarë të shumtë Rama ka ndërruar mendje.
Do të jetë “Lasgushi” ai që do të kthejë shqiptarët në shtëpitë e tyre në këtë situatë të vështirë tha Rama.
“Ne s’kemi një shkop magjik e s’jemi një shpi e pasur, edhe se me thënë të drejtën as në shtëpitë më të pasura të Ballkanit s’po shoh të bëhet ndonjë mrekulli e vecantë për këta njerëz të kapur befasisht”, tha Rama, që duket se tashmë tonet i ka më të qeta, se ditët e para kur përmendte vetëm fjalët, të vdekur, arkivol apo makina ushtrie.