Situata dramatike që po kalon Italia me humbjen e madhe të jetëve njerëzore si pasojë e përhapjes masive të virusit COVID-19, ka prekur ndjenjat e shqiptarëve, të cilët janë solidarizuar me këtë dhimbje të madhe.
Natyrisht, arsyet janë të shumta, pasi dihen rrethanat historike nëpër të cilat është skalitur miqësia e dy popujve, por një rrethanë akoma më evidente është fakti i një numri të madh emigrantësh shqiptarë, të cilët u dyndën pas viteve 90, përtej Adriatikut, në kërkim të mundësive më të mira ekonomike. Kohët kaluan dhe shqiptarët u integruan në vendin fqinj, duke fituar respektin e vendasve si dhe duke u bërë shumë prej tyre individë të çmuar dhe me mjaft reputacion.
Mes këtyre, qëndron dhe familja fisnike e Eduart Ndocajt, ku falë punës së ndershme dhe edukatës me të cilën ishte brumosur, nga një emigrant i paligjshëm, Eduarti u shndërrua në një emër përfaqësues dhe emblematik për komunitetin shqiptar në emigracion.
Italia është humane dhe si të tillë e paraqet në statusin e saj, Dila Ndocaj, e ëma e Eduartit, e cila ka shprehur të gjithë ndjeshmërinë e saj njerëzore për situatën në të cilën ndodhet Italia, ku përmes një postimi në profilin e saj, me një përshkrim të aktualitetit që të ngjeth mishtë, ajo kujton vizitën e saj të fundit dhe bën krahasimin me atë çfarë po ndodh sot.
Dila Ndocaj, si një nga nënat e shumta shqiptare nuk mund të mos jetë mirënjojëse për vendin që hapi dyert për djemtë e tyre, ndaj dhe ajo na fton të gjithëve të lutemi për kapërcimin sa më parë të kësaj situate dhe rikthimin në normalitet.

