(Letër, babit tim…)
Heu’ për dreq është e vështirë të masësh forcën e asaj që ndjen dhe kurajon e asaj ç’ka duhet me ta shpreh… Me ndjenjën e pathyer nga dashuria për ty, në kartë disa fjalë kam vendos me ti’ gdhend. Po të shkruaj sepse nga të gjithë që japin një dorë ndihme në këtë botë, ti merr më pak lavde dhe falënderime për atë çka ti bën.
Nuk daton asnjë ditë feste apo datë lindje, por është një ditë e zakonshme si gjithë ditët e tjera me rrjedhën që i rrëmben rutina. Thjesht unë du’ të të falënderoj sepse e tëra që kam dhe shpresoj të jem është karshi punës dhe modelit tënd të palodhur ashtu siç do vajzë do donte të falënderonte babën i cili gëzon të admirueshmin model si ti. Fort i dashur baba, ti dite të ndërtoje sensin e një familje e cila nuk konsiderohet si një gjë e rëndësishme por si gjithçka për të cilën duhet të jetosh dhe luftosh.
Ti dite të ndërtosh artin e kohës në familje, që kjo kohë është e shenjtë dhe duhet mbrojtur dhe respektuar. Më mësove se familja është gjëja më e rëndësishme në këtë jetë; se familja është zbukurim dhe nuk është pronë që thjesht e zotëron por nëse e shohim si lule ashtu siç kënaqemi me të ashtu kemi edhe përgjegjësi për të pavarësisht se cili është roli ynë.
Fort i dashur baba, më mësove se familja ashtu si degët në një dru, ne të gjithë rritemi në drejtime të ndryshme, megjithatë rrënjët qëndrojnë aty, se lumturia vjen nga shërbimi bujar dhe se njeriu udhëton botën për të kërkuar çfarë i duhet dhe kthehet në shtëpi për ta gjetur; se familja është busulla e cila na udhëheq, inspirimi për të arritur lartësi të mëdha dhe ngushëllimi kur ligështohemi…
Më mësove të gdhend në mendjen time se ajo çka është e pandryshueshme, çfarë do të jetë dhe do të mbetet janë vizionet dhe vlerat e përbashkëta. I dashur baba dije se, pavarësisht se e quaj veten të rritur unë kam dhe do të kem gjithmonë nevojë për ty sepse edhe pasi një ditë të krijoj kështjellën time, dije se vajza kurrë nuk e lë shtëpinë e babës. Fort i dashur baba, ti ke dizenjuar një familje duke ushqyer dëshirat dhe ndjenjat e pjesëtarëve të saj, kështu që barrierat e krijuara nga frika e së panjohurës ti i ke zëvendësuar me besimin që rrjedh nga të diturit se je dhe duhet të jesh i dashur pavarësisht nëse ke suksese apo nëse dështon.
Fort i dashur baba, të jam borxhlie në këtë jetë, sepse krijove një botëkuptim familjar ku marrëdhëniet e saj i krijove edukative, ku njerëzit në të nuk kanë nevojë të jenë të përkryer por në të vërtet ata duhet të jenë të sinqertë të dashur,mbështetes, duke njohur humanitetin e përbashkët i cili na bën të gjithë ne’ të cënueshëm. Fort i dashur baba, i vetmi shkëmb i fortë e i pacënueshëm pavarësisht stuhive që kanë rrahur jetën tënde, të tillë imazh është për mua e gjithë ekzistenca jote.
Babi im më mësove që të jesh pjesë e një familje do të thotë të jesh pjesë e një diçkaje të mrekullueshme ku do dashurosh edhe do ndjehesh e dashuruar. Ti ke qenë dhe do mbetesh udhëzuesi im drejt realitetit . Ti me ke faktuar se nëse rrjedh nga një strukturë e fortë familjare, nuk është me rëndësi se çka kalon në jetë.
Më rrite me një fëmijëri të sigurt dhe normale, pa abuzime dhe pa trauma e rrethuar nga një familje që më mësoi të punuarin fort në rrjedhën e një dinjiteti, morali dhe edukimi që nuk duhet të rreshtë kurrë pavarësisht diplomave dhe kualifikime të shumta, sepse jeta është një shkollë që nuk e njeh kufirin e dijes dhe të të mësuarit. Fort i dashur baba, je dashuria ime më e madhe, heroi im, shkëmbi im i sigurt, mësuesi im, shoku im më i mirë. Të dua me gjithë forcën e dashurisë që ndonjëherë njeriu ka ndjerë për njerinë…
Vajza jote, |
Rovena Dokollari|