Shqipëria është një vend i ekspozuar ndaj fatkeqësive natyrore. Vendi jone renditet ndër vendet me risk të lartë ekonomik ndaj një shumëllojshmërie rreziqesh. Rreth 86% e territorit të saj ku gjenerohet mbi 88.5% e PBB, është e ekspozuar nga dy a më shumë fatkeqësi natyrore. Humbjet ekonomike të shkaktuara nga këto fatkeqësi midis 1974-2006, janë llogaritur mesatarisht në 68.7 milionë USD në vit, ose rreth 2.5% e PBB.
Sistemi i emergjencave civile në Shqipëri ka evoluar me kohën por në mënyrë jo lineare. Progresi është shoqëruar herë pas here me ndalesa bile edhe me hapa prapa. Vlerësimi i Rreziqeve nga Fatkeqësitë i vitit 2003 dhe Plani Kombëtar i Emergjencave Civile, 2004 (PKEC-04) përbëjnë dy hapa të rëndësishëm që hodhën bazat e këtij procesi, ndërsa një numër projektesh të sponsorizuara nga Banka Botërore, OKB dhe BE, midis viteve 2010 e 2014, të fokusuara në vlerësimin dhe ngritjen e kapaciteteve qenë hapa të rëndësishëm përpara, të cilat gjithashtu ofruan informacion të rëndësishëm në mënyrën se si ky sistem funksionon në Shqipëri dhe ç’mbete për të bërë në të ardhmen.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenet 170 e 174 adreson çështjet e emergjencave dhe fatkeqësive, aktet që nxirren dhe masat që merren në raste të tilla. Gjithashtu janë miratuar “Ligji për Emergjencat Civile” dhe “Plani Kombëtar i Emergjencave Civile”.
Në lidhje me kuadrin ligjor implementimi i ligjeve është një sfidë e madhe, për shkak të një numri faktorësh, përfshi financimin. Sidoqoftë autoritetet shqiptare po ndërgjegjësohen për nevojën e formulimit të qasjeve të reja afatgjata për reduktimin e rrezikut. Sfida kryesore është konsolidimi i kuptimit për të lidhur “reagimin” (kur fatkeqësia ka ndodhur) me “reduktimin e rrezikut”. Kjo duhet gjithashtu të përfshihet në planet afatgjata të zhvillimit të vendit.
Për përballimin e emergjencave civile në vitin 2018 Këshilli i Ministrave ka parashikuar një fond prej 479 milionë lekësh, afërisht 4.5 milionë dollarë. 1.8 milionë dollarë prej këtij fondi përbëhet nga zëri shpenzime kapitale, ndërkohë që në funksion të përballimit financiar të situatave të emergjencës është parashikuar pjesa tjetër prej afro 2.8 milionë dollarësh.
Për herë të parë, Fondi i Emergjencave Civile i akordohet Ministrisë së Mbrojtjes, e cila nga 1 janari eshte institucioni përgjegjës për përballimin e tyre. Buxheti për emergjencat civile këtë vit është rritur me rreth 2 për qind krahasuar me një vit më parë, duke shkuar në vlerën e 305 milionë lekë. Sipas drejtorit të emergjencave civile ky fond nuk është përfundimtari pasi në rastet e emergjencave të paparashikuara përdoret para nga fondi rezervë i shtetit.
Tërmeti i 26 nëntorit që ka “gjunjëzuar” Shqipërinë, do ta detyrojë qeverinë që të rishikojë sërish buxhetin për t’iu ardhur në ndihmë të prekurve, pasi ka shpallur zyrtarisht gjendjen e jashtëzakonshme. Në arkën e shtetit, sipas aktit normativ të muajit Tetor, në fondin e emergjencave civile i cili përdoret për qëllime të tilla janë në dispozicion 643 milionë lekë, ndërsa në fondin rezervë dhe kontigjenca, janë 3.3 miliardë lekë. Në rastet e fatkeqësive natyrore, si ajo që goditi Shqipërinë, mund të preket edhe fondi rezerve, por që në këtë situatë është i pamjaftueshëm për të përballuar faturën e lartë të dëmeve që la pas tërmeti, çka do të bëjë që qeveria të ndërmarrë një tjetër akt normative dhe të vendosë në dispozicion fondet e nevojshme, sikurse veproi pas tërmetit të 21 Shtatorit, ku u akorduan 6 milionë dollarë.
Ndërsa lajmi i keq, për vitin 2020, është se fondet në të dy këto zëra janë përgjysmuar. Në projektbuxhet për emergjencat civile janë parashikuar 315 milionë lekë, ndërsa fondi rezervë është parashikuar në vlerën e 1.7 miliardë lekëve, çka e bën edhe më të pafuqishme qeverinë për të përballuar fatkeqësi natyrore të këtyre përmasave, dhe ndoshta është koha për të reflektuar në këtë drejtim. Ende nuk ka një vlerësim të dëmeve dhe një faturë, por duket se përmasat në pasoja janë më të mëdhatë e 4 dekadave të fundit, ku dhjetëra banesa janë shembur dhe kanë pësuar dëmtime të renda, dhe qindra qytetarë kanë mbetur në qiell të hapur.
Buxheti 2019
Emergjencat civile 643 milionë lekë
Fondi rezervë, kontigjenca 3.3 miliardë lekë
Buxheti 2020
Emergjencat civile 315 milionë lekë
Fondi rezerve 1.7 miliardë lekë
Tërmeti i 26 Nëntorit nxori zbuluar paaftësinë e Emergjencave Civile për të përballuar fatkeqësitë natyrore. Këtë e pranon edhe vetë qeveria shqiptare, kur në qershor të këtij viti hartoi projektligjin e ri për Mbrojtjen Civile.
Në relacionin që shoqëronte këtë draft, deklarohej se Shqipëria renditet në vendin e parë në Europë, si më e ekspozuara ndaj fatkeqësive natyrore, si pasojë e pamjaftueshmërisë së kapaciteteve përballuese.
Por pavarësisht mungesës së pranuar të kapaciteteve, qeveria nuk ka investuar në asnjë moment në këtë fushë. Përkundrazi, buxheti për Emergjencat Civile sipas Ministrisë së Financave që prej vitit 2010 ka ardhur ndjeshëm në rënie.
Madje edhe me rishikimin e buxhetit 2019 pas tërmetit të 21 Shtatorit, fondet për këtë zë u reduktuan në vend që të shtoheshin, duke e bazuar aftësinë për të përballuar katastrofat, vetëm tek ndihmat e huaja.
Por edhe nga 643 milionë lekë të alokuara, pjesa më e madhe e fondeve shkon për shpenzime korrente, thënë më thjeshtë: për paga dhe faturat e energjisë dhe telefonisë. Ndërkohë që investimet në mjete të specializuara mungojnë.
Një situatë e ngjashme paraqitet në të gjitha institucionet e tjera që shërbejnë si linjë e parë në përballimin e situatave të tilla. Sipas “Open Spending Albania”, 1.11 milionë dollarë janë shpenzuar gjatë këtij viti për Institutin e Përgatitjes së Qenve, ndërkohë që këto njësi mungonin në terren. Ashtu siç mungonin pajisjet e zjarrfikësve, mjetet e ushtrisë apo makineritë e bashkive.
Burimet financiare Bazuar në Ligjin aktual “Për emergjencat civile”, buxheti i shtetit është “burimi kryesor financiar për planifikimin dhe menaxhimin e emergjencave civile”, ndërsa MB dhe ministritë e tjera detyrohen të kenë një buxhet vjetor për emergjencat. Janë katër lloj buxhetesh për emergjencat: buxheti për emergjencat i MB, buxheti për emergjencat i pushtetit lokal, buxheti i rialokuar (për emergjencat) i ministrive të linjës dhe “Fondi rezervë” i Qeverisë.
Pjesa dërmuese e fondit në këto lloj buxhetesh është e alokuar për parapërgatitje dhe masat rikaveruese post-emergjencë. Në buxhetet e ministrive të linjës të dedikuara për zhvillim e trajnim, ka gjithashtu fonde që (të paktën në letra) shkojnë për RRF. Sidoqoftë, në terma të përgjithshme, burimet financiare në Shqipëri, të dedikuara për RRF janë shumë të kufizuara, sidomos në nivel pushteti lokal.
Nga ana tjetër, në legjislacionin aktual, nuk ka përcaktim të qartë për madhësinë/përqindjen e buxhetit të shtetit (ministrive) që shkon për RRF&MC. Në projekt-ligjin e dërguar për miratim, kjo pjesë është përmirësuar ndjeshëm, duke bërë përcaktimin e qartë që ministritë e linjës dhe institucionet e tjera qendrore duhet të kenë një buxhet të ndarë për Mbrojtjen Civile në nivel 0.3 deri 1 për qind të buxhetit të tyre (nuk përcaktohet ç’pjesë e tij shkon për RRF).
Projekt-ligji përcakton gjithashtu, jo vetëm nevojën që pushteti lokal të mbështetet me fonde nga ai qendror në rast fatkeqësish, por edhe detyrimin e pushtetit lokal për të përdorur për këtë qëllim të ardhurat e veta. Në nivel bashkie, 3% e buxhetit të vet, planifikohet për të kompensuar qytetarët nga dëmet prej fatkeqësive natyrore, një shumë kjo mjaft më e ulët se përcaktimi në projekt-ligj që kompensimi i popullsisë së prekur nga fatkeqësia natyrore duhet të shkojë deri 40%.
Më sipër u soll një pasqyrë e sistemit të menaxhimit të emergjencave civile në Shqipëri, duke bërë edhe analizën dhe evidentuar disa nga sfidat me të cilat ndeshet dhe problemet e brendshme që ka ky sistem aktualisht. Përveç kësaj, kjo analizë nuk mund të lejë pa përfillur një numër gjetjesh të rëndësishme të evidentuara nga institucione të tjera, që janë marrë me sistemin shqiptar të emergjencave civile, duke aplikuar ndaj tij të ashtuquajturën “Analiza SWOT”. Në esencë ajo konsiston në vlerësimin dhe vënien në balancë të anëve të forta e të dobëta, boshllëqeve dhe oportuniteteve të një sistemi. Si qasje metodike, ajo ka një aplikim të gjerë, në ndihmë të vendimmarrësve për gjetjen e zgjidhjeve më të përshtatshme për një problem të caktuar.
Dobësitë/mungesat Institucionet shqiptare të angazhuara me RRF&MC, konceptualisht dhe praktikisht kanë adoptuar një qasje “reaktive” në vend të asaj “proaktive”. Në këto kushte ato fokusohen më shumë në reagim dhe më pak (ose aspak) në komponentët e tjerë si “zbutja” (e efekteve) “parandalimi”, apo “rikaverimi”. Masat zbatuese përbëjnë një nga problematikat kryesore në lidhje me menaxhimin e krizave. RRF nuk është integruar ende siç duhet në politikat qendrore, sektoriale e lokale. Gjithashtu ekziston hendeku midis detyrimeve ligjore dhe obligimeve të marra përsipër nga ministritë e linjës apo institucione të tjera në lidhje me RRF&MC, kurse komunikimi midis tyre ose me DPEC vijon të mbetet problematik.
Janë një numër masash në kuadrin e RRF&MC që rezultojnë të vjetruara apo të papërshtatshme si: a)teknikat parashikuese, b) masat mjedisore, c) trajnimi/ndërgjegjësimi për parandalim e mbrojtje nga fatkeqësitë, d) përfshirja e komuniteteve lokale e vullnetarëve, e)mekanizmat e tregut (përfshi dhe tregun e siguracioneve) për të amortizuar e mos lejuar shtimin e efektit të fatkeqësive. Problematike mbetet gjithashtu mungesa e sistemeve të paralajmërimit të hershëm, pa ndërprerje (24 orë/7 ditë) dhe mungesa e edukimit në shkolla për përballimin e fatkeqësive (në të gjitha ciklet).
Anët e forta & Oportunitetet Shqipëria ka një kuadër ligjor dhe politikash që me gjithë mangësitë ofron një bazë për përmirësime të mëtejshme në kuadrin e RRF&MC. Studimi i rreziqeve natyrore i ndërmarrë në 2003 dhe Plani Kombëtar i Emergjencave Civile, i vitit 2004 (PKEC-04) japin informacion të rëndësishëm cilësor e sasior (statistikor) për kërcënimet nga fatkeqësitë si dhe për rolet dhe përgjegjësitë e institucioneve shqiptare.
Qeveria po tregon një ndërgjegjësim në rritje për masat parandaluese të riskut, megjithëse ka shumë për të bërë për vënien në jetë të tyre. Vlerësimi në rritje nga nivelet më të larta vendimmarrëse i Reduktimit të Rreziqeve nga Fatkeqësitë (RRF) krahas masave reaguese për Mbrojtjen Civile (MC) përveç të qenit pozitiv në vetvete, ka gjetur edhe mbështetjen dhe sponsorizimin nga aktorë ndërkombëtarë (Banka Botërore) me programe të veçanta si fuqizimi i sistemeve monitoruese hdro-meteorologjike, adoptimi i Euro-kodeve për ndërtimet, futja e sistemeve të siguracioneve, etj.
Mbi të gjitha, vlen të evidentohet fakti që fatkeqësitë e viteve të fundit (kryesisht përmbytje e zjarre) me gjithë dëmet (në ekonomi por për fat të mirë jo në njerëz) kanë evidentuar një farë kapaciteti të institucioneve dhe popullsisë shqiptare për t’i përballuar ato. Mësimet e nxjerra prej tyre, si dhe një aftësi në rritje e institucioneve për të bashkëpunuar e mbështetur njëri-tjetrin e kundërpërgjigjur ndaj emergjencave, përbëjnë një bazë të mirë për sfidat e kësaj natyre në të ardhmen.
Nga ana tjetër, ky proces, do të lehtësojë e bëjë më të pranueshëm (nga një numër aspektesh) çdo kontribut shqiptar ndaj vendeve të tjera, të prekura nga fatkeqësi të kësaj natyre. Duke pasur parasysh stadin aktual të kapaciteteve shqiptare për nevojat e RRF&MC, si në aspektin institucional ashtu dhe në atë operacional, Shqipëria e ka të pamundur të menaxhojë e vetme një katastrofë madhore. Bile, duke e parë problemin nga pikëpamja “kosto-përfitim”, kjo nuk është as e këshillueshme. Nisur nga ky konstatim, si dhe nga fakti që fatkeqësi të kësaj natyre janë “ndërkufitare” në shtrirjen dhe efektin e tyre, zgjidhja më racionale është një bashkëpunim më i mirë me vendet e tjera të rajonit dhe me organizata ndërkombëtare (OKB, NATO, BE, Banka Botërore, etj).
Në mënyrë të posaçme, një qasje rajonale në “bashkimin dhe shkëmbimin” e kapaciteteve do të bënte që masat e RRF&MC të ishin jo vetëm më efektive por edhe me kosto më të ulët për secilin nga vendet e rajonit. Deri tani, bashkëpunimit rajonal në fushën e RRF&MC i ka munguar niveli i duhur i “pronësisë”. Përjashtuar disa iniciativa të sponsorizuara nga OKB, BE apo Banka Botërore, pjesa tjetër e organizimeve rajonale kanë rezultuar më shumë për formë. Në përgjithësi atyre u mungojnë mekanizmat e nevojshëm për të pasur efekt të ndjeshëm në fatkeqësitë natyrore.
Bashkëpunimi rajonal për emergjencat civile mund të fuqizohet nëpërmjet takimeve ndërinstitucionale, planifikimit dhe stërvitjeve të përbashkëta dhe shkëmbimit në mënyrë të vijueshme të informacioneve dhe raporteve. Në esencë, çdo aktivitet i kryer në fazën para emergjencë që krijon besim, miqësi e lidhje profesionale midis personelit e institucioneve kyçe në këtë fushë, shkon në dobi të një reagimi e menaxhimi rajonal efektiv ndaj fatkeqësive. Pavarësisht lidhjeve etnike e kulturore midis Shqipërisë e Kosovës, të cilat kanë nxitur një bashkëpunim bilateral në rritje në një numër fushash, deri tani, bashkëpunimi në fushën e emergjencave civile, pavarësisht nga hapat përpara, ka qenë nën nivelin e pritshëm dhe nuk i ka shfrytëzuar të gjitha potencialet e mundshme. Për shkak të lidhjeve të sipërpërmendura, por edhe të afërsisë gjeografike, e cila mbart mundësinë që e njëjta fatkeqësi të prekë njëkohësisht të dy vendet, është me rëndësi dhe përfitim reciprok thellimi i bashkëpunimit midis të dy vendeve në të gjithë spektrin e Reduktimeve të Rreziqeve nga Fatkeqësitë dhe Mbrojtjes Civile.
Në Japoni, “edukimi rreth fatkeqësive” nuk është një lëndë konkrete e vetme për dallim nga “aritmetika” ose “gjuha japoneze.” Edukimi rreth fatkeqësive në Japoni përfshin: mësimin rreth mekanizmave të shpërthimeve vullkanike dhe tërmeteve, motin, etj., në leksionet për “studimin e natyrës”; mësimin rreth reduktimit të rrezikut gjatë fatkeqësive natyrore, rolin e policisë, shërbimin e zjarrfikësve, aktivitetet e komunitetit për reduktim të rrezikut nga fatkeqësitë, etj., në leksionet për “lëndët shoqërore”; si dhe mësimi rreth rëndësisë së jetës dhe frymës së ndihmës së ndërsjellë në leksionet e “etikës” dhe “mësimit të integruar”. Për më tepër, nxënësit zakonisht mësojnë për reduktimin e rrezikut gjatë fatkeqësive nëpërmjet stërvitjeve emergjente, të cilat i parapërgatisin ato për raste të zjarreve dhe fatkeqësive, së bashku me stërvitjet për evakuim të cilat shkollat duhet t’i realizojnë sipas ligjit në Japoni.
Japonia ka një sistem autonom lokal me një strukturë tre shtresash që përbëhet prej pushtetit qendror, vetëqeverisjes lokale dhe komunave, nën të cilat vetëqevrisjet lokale dhe komunat hartojnë një plan lokal për menaxhim me fatkeqësi për çdo rajon në pajtim me Planin themelor për menaxhim me fatkeqësi të Këshillit qendror për menaxhim me fatkeqësi pranë pushtetit qendror. Ligji i sapo rishikuar themelor për Kundërmasa gjatë fatkeqësive e rekomandon hartimin e “planit të komunitetit për menaxhim me fatkeqësi” për çdo komunitet, një zonë edhe më e vogël se sa një komunë, e cila paraqet zonën më të vogël administrative dhe pritet nga ajo të hartojë një “plan lokal për menaxhim me fatkeqësi.” Plani i komunitetit për menaxhim me fatkeqësi parasheh aktivitete që duhet të ndërmerren në vendngjarje ose në nivel të komunitetit, gjatë një fatkeqësie.
Në Qytetin Kobe, plani i komunitetit për menaxhim me fatkeqësi hartohet për çdo Komunitet të mirëqenies së sigurtë gjatë fatkeqësive.
Duke marrë parasysh sa shpesh bien tërmete në Japoni, të gjitha godinat kanë njëfarë mbrojtjeje nga lëkundjet. Shtëpitë në Japoni ndërtohen sipas një kodi strikt ndërtimi që mbështetet nga ligji. Ligjet vlejnë edhe për shkollat dhe godinat shtetërore. Thuhet se 87% e ndërtesave në Tokio i kalojnë tërmetet pa problem.
Disa struktura ndërtohen që të jenë fleksibël në rast lëkundjesh dhe disa ndërtohen me Teflon, që i lejon të lëvizin bashkë me lëkundjet. Ndërtesa të tjera bëhen me baza gome të fryrë a me lëng që thithin lëkundjet. Kulla e famshme e Tokios, Skytree imiton formën e tempujve pagoda, që i kanë mbijetuar tërmeteve shekujve të tërë.
Me gjithë progresin e Shqipërisë në menaxhimin e emergjencave civile, është e domosdoshme të bëhet më shumë për përsosjen e legjislacionit, koncepteve doktrinore dhe planeve zbatuese, për përmirësimin e rolit dhe kontributit të çdo institucioni me përgjegjësi ligjore ndaj emergjencave civile, fuqizimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe krijimin e kapaciteteve të nevojshme për të përballuar një spektër të gjerë fatkeqësish natyrore apo të shkaktuara nga njeriu.
Fatkeqësitë e viteve të fundit, me gjithë dëmet e shkaktuara, kanë evidentuar një farë kapaciteti të institucioneve dhe popullsisë shqiptare për t’i përballuar ato. Mësimet e nxjerra prej tyre, si dhe një aftësi në rritje e institucioneve për të bashkëpunuar e mbështetur njëri-tjetrin e kundërpërgjigjur ndaj emergjencave, përbëjnë një bazë të mirë për sfidat e kësaj natyre në të ardhmen. Në përpjekjet për kompletimin dhe përsosjen e kapaciteteve kombëtare në interes të RRF&MC, Shqipëria duhet të reduktojë gradualisht pjesën ushtarake të tyre.
“Demilitarizimi” i kapaciteteve dhe masave të RRF&MC do t’u krijonte institucioneve të tjera qendrore apo lokale, me detyrime ndaj emergjencave civile, hapësirën e nevojshme për të luajtur sa më mirë rolin e tyre para dhe gjatë fatkeqësisë. Nga ana tjetër, ky proces, do të lehtësojë e bëjë më të pranueshëm (nga një numër aspektesh) çdo kontribut shqiptar ndaj vendeve të tjera, të prekura nga fatkeqësi të kësaj natyre. Duke pasur parasysh stadin aktual të kapaciteteve shqiptare për nevojat e RRF&MC, si në aspektin institucional ashtu dhe në atë operacional, Shqipëria e ka të pamundur të menaxhojë e vetme një katastrofë madhore. Bile, duke e parë problemin nga pikëpamja “kosto-përfitim”, kjo nuk është as e këshillueshme.
Nisur nga ky konstatim, si dhe nga fakti që fatkeqësi të kësaj natyre janë “ndërkufitare” në shtrirjen dhe efektin e tyre, zgjidhja më racionale është një bashkëpunim më i mirë me vendet e tjera të rajonit dhe me organizata ndërkombëtare (OKB, NATO, BE, Banka Botërore, etj). Në mënyrë të posaçme, një qasje rajonale në “bashkimin dhe shkëmbimin” e kapaciteteve do të bënte që masat e RRF&MC të ishin jo vetëm më efektive por edhe me kosto më të ulët për secilin nga vendet e rajonit. Deri tani, bashkëpunimit rajonal në fushën e RRF&MC i ka munguar niveli i duhur i “pronësisë”. Përjashtuar disa iniciativa të sponsorizuara nga OKB, BE apo Banka Botërore, pjesa tjetër e organizimeve rajonale kanë rezultuar më shumë për formë.
Në përgjithësi atyre u mungojnë mekanizmat e nevojshëm për të pasur efekt të ndjeshëm në fatkeqësitë natyrore. Bashkëpunimi rajonal për emergjencat civile mund të fuqizohet nëpërmjet takimeve ndërinstitucionale, planifikimit dhe stërvitjeve të përbashkëta dhe shkëmbimit në mënyrë të vijueshme të informacioneve dhe raporteve. Në esencë, çdo aktivitet i kryer në fazën para emergjencë që krijon besim, miqësi e lidhje profesionale midis personelit e institucioneve kyçe në këtë fushë, shkon në dobi të një reagimi e menaxhimi rajonal efektiv ndaj fatkeqësive.
Pavarësisht lidhjeve etnike e kulturore midis Shqipërisë e Kosovës, të cilat kanë nxitur një bashkëpunim bilateral në rritje në një numër fushash, deri tani, bashkëpunimi në fushën e emergjencave civile, pavarësisht nga hapat përpara, ka qenë nën nivelin e pritshëm dhe nuk i ka shfrytëzuar të gjitha potencialet e mundshme. Për shkak të lidhjeve të sipërpërmendura, por edhe të afërsisë gjeografike, e cila mbart mundësinë që e njëjta fatkeqësi të prekë njëkohësisht të dy vendet, është me rëndësi dhe përfitim reciprok thellimi i bashkëpunimit midis të dy vendeve në të gjithë spektrin e Reduktimeve të Rreziqeve nga Fatkeqësitë dhe Mbrojtjes Civile.