Nga, Dr. Rovena VATA
Mirdita është një bashkësi e gjerë krahinore, e cila dallohet nga krahinat e tjera me të cilat kufizohet, jo vetëm nga emri, nga shtrirja gjeografike, nga ndërgjegjja e përkatësisë së banorëve të saj, por edhe nga mëvetësia e dukurive në etnokulturën e saj.
Në aspektin fiziko-gjeografik, Fani si njësi etno-kulturore përfaqëson njërin nga 12 bajraqet e Mirditës dhe zë pjesën më të madhe të pellgut ujëmbledhës të Fanit të Vogël, në gjysmën veriore të tij. Një vend që shtrihet në të dy anët e luginës, e cila ndodhet me Malin e Zepës në Lindje, e malit tjetër të lartë të Munellës në Perëndim. Në pjesën veriore krahina nuk e ka të vështirë të lidhet me pellgun ujëmbledhës të Drinit dhe përkatësisht me njësinë etno-kulturore të Lumës, të Hasit dhe më gjerë.
Krahina e Fanit të Mirditës, lidh bashkë dy personalitete të rëndësishme të kombit shqiptar At Gjergj Fishtën dhe pajtimtarin e madh të kombit Anton Çettën dhe jo vetëm.
Vendorigjina e Legjendave të Kombit, Gjergj Fishta dhe Anton Çetta, janë Domgjoni e Xhuxha e Fanit Mirditë, dy fshatra, të vendosur përballë njëri-tjetrit, në krahinën e Fanit në Mirditë, që i ndan lumi i fanit të vogël. Gjyshi i Gjergj Fishtës me emrin fillestar Zef Ndok Paci, është Simon Ndoc Paci, i cili u largua në vitin 1800 nga Domgjoni dhe u vendos në Zadrimë. Gjyshi i Anton Çettës, është Mark Çetta, i cili u largua në vitin 1884 nga Xhuxha dhe u vendos në Prizren. Domgjoni i shtrirë rrëzë malit të Munellës, e Xhuxha e shtrirë rrëzë malit të Zepës, dy male me bjeshkë madhështore në Mirditë. Domgjoni e Xhuxha e Fanit në Mirditë, shquhen për trashëgiminë historike e kulturore, në asete dhe objekte historike dhe kulturore, siç është qyteza dhe Gurra e Lashtë në Domgjon, gurra e vetme në Ballkan e këtij lloji, pa asnjë paralele në Shqipëri, e shpallur monument kulture e mbrojtur mbi 35 vite. Xhuxha e Fanit të Mirditës është vendorigjina e Pajtimtarit të Madh të Kombit, Anton Çetta.
Gjyshi i Anton Çettës është larguar në vitin 1884, në moshën 24 vjeçare nga Xhuxha dhe është vendosur në Prizren. Anton Çetta ka pajtur mbi 1800 gjaqe e mbi 30 mijë konflikte mes shqiptarëve në Kosovë. Trojet e të parëve të Anton Çettës janë në Xhuxhë, ku gjenden shkrime e figura të rralla parahistorike, me mesazhe të koduara tejkohore, të konsideruara nga arkeologët si vlerë e rrallë historike dhe arkeologjike, pasi nuk është gjetur asnjë tjetër e ngjashme dhe nuk figuron asnjë pllakë tjetër e ngjashme në Muzeun Historik Kombëtar.
Shpella e Batos në Xhuxhë Fanë, Mirditë, kujtojmë faktin historik që ku ishte një ndër gjeneralët më të rëndësishëm të Ilirisë, që udhëhoqi kryengritjen kundër romakëve, që njihet si Kryengritja e Madhe Ilire në vitet 6-9 pas. K.
Sipas historianit romak Tit Levi, të fundit që u nënshtruan ishin fis ilir i Pirustëve, që banonte në territoret e krahinës së Mirditës dhe në luginën e Matit. Por edhe pas pushtimit të Ilirisë nga romakët, pirustët ruajtën një lloj autonomie dhe nuk paguanin taksa.
Krahina e Fanit të Mirditës është një vend legjendash, pas të cilave banorët janë të lidhur brez pas brezi, që nga Qyteza e Gurra e Lashtë në Domgjon, e deri te Shpella e Ilirit Bato e rrethi i Qytezez në Xhuxhë e deri te Guri me shkrime e figura parahistorike, janë fakte e vlera të rralla të trashëgimisë parahistorike dhe historike-kulturore të krahinës së Fanit, trashëgimi që u pasurua me figurat kombëtare At Gjergj Fishta dhe Anton Çetta, me origjinë nga Domgjoni dhe Xhuxha e Krahinës së Fanit Mirditë, ku në krahinën e Fanit me 26 prill 1911 u ngrit Flamuri i Parë për Pavarësinë e Shqipërisë, me vendim të Kuvendit Ndërkrahinor të Veriut të Shqipërisë, mbledhur në Kishën e Shmarkut në Fanë, nën drejtimin e arbëreshit Terenc Toçi. Ky kuvend hapi rrugën e Pavarësisë së Shqipërisë, me 28 nëntor 1912.
Ajo çfarë përbën identitetin e një populli janë: zakonet, gjuha, bindja, origjina, tradita ose lidhjet e tyre familjare të përbashkëta. Grupet e ndryshme të popujve dallohen nga njëri-tjetri nga gjuha, gjeografia dhe etnia. Gjeografia dhe historia janë të përziera dhe përbëjnë pikat kyçe në ndarjet demografike të krahinave, ku për ta konkretizuar sjellim ndërmend vargjet e Lahutës së At Fishtës, ku shkruante:
“Un kam ruejtë gjuhën shqiptare,
un kam mbajtë doke e kanu,
e as pare, as për timare,
gjak e t’ Parëve s’i kam mohu”.
(Gjergj Fishta: “Lahuta e Malcís”,f. 110).
Kush ka lexue ndonjiherë kângët e popullit tonë dhe mâ vonë lexon Lahutën e Fishtës, gjen vazhdimisht frazë e vargje, të cilat beson se kan dalë nga buzët e nji kângtari të malit, siç është kënga “Kulshedra”, në “Lahutën e Malcís” së Gjergj Fishtës.
“Une jam vetë ajo Orë e Shalës:
Motër un me at Orë t Merditës,
Qi veron mbi bjeshkët t’Mundelles”
(Gjergj Fishta: “Lahuta e Malcís”, f. 267).
Çka i mahniste pa masë etnografët dhe vizitorët e huaj në Shqipërinë e Veriut në fillim të shekullit të kaluar, ishte pikërisht struktura e patundur fisnore dhe patriarkale e shoqërisë në malësi, një sistem shoqëror i mbështetur tek zakonet fisnore të trashëguara brez pas brezi, sidomos sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit.
E ku vetë At Fishta do shkruante:
“Gjak e vjamë, der’ n’ kupë të gjunit
bukë Shqiptarit mbas kanunit”.
(Gjergj Fishta: “Lahuta e Malcís”, f. 120).
Muza dhe lexuesi i mundshëm i Fishtës është ai malësor që jeton me poetin në të njëjtin mjedis ku ai shkruan; malësori i Fishtës dhe i lahutës janë të lidhur me malin dhe gjithçka që ai ka: Kanunin, dheu dhe gjuha e të parëve, zakonet, doket, lahutën, çiftelinë, vetëtimën, duvakun, bajrakun, por mbi të gjitha me vendorigjinën, Domgjonin, Mirditën, malin e Munellës, të shprehur më së miri në kryeveprën e tij poetike “Jerina ase mbretnesha e luleve”.
Nuk âsht
Zânë, as âsht Hyjneshë;
Veç se âsht Vashë lé në Shqypní,
T’ cillen Lulet per Mbretneshë
E kan zgjedhë e vû m’ seli:
Njomë si bryma mbí rudina.
E i thonë êmënit JERINA.
Pa
ndigjo, moj njomzja e ahit,
Moj bel-holla, rritë nder molla,
Orë e Madhe e Dukagjinit,
M’ Bigë të Shalës qi m’ a shkon veren:
Edhè ti, moj rrezja e bardhë,
Moj shtat-rrituna në mjaltë,
Zanë e madhe e Vizitorit,
Me at zojë Oren e Trojanit:
Ardhun shtatit kjo si “ltina”,
Njethë si bryma mbí ledina,
Si ajo bora krés s’ Cukalit,
Ka’ i bje rrezja per mbas malit,
Kúr të marrë dielli me dalë:
Falmeshndet Ora e Mirditës,
Falmeshndet un u kam çue,
Qi nper gurra të Mundelles
Më shkon vera tue u freskue:
Se né Lulet na çojn fjalë,
Në log t’ tyne na me dalë…
(Gjergj Fishta: “Jerina ase mbretnesha e luleve”).
At Gjergj Fishta nga Domgjoni i Mirditës u mëkua nga uji i Gurrës së Lashtë dhe madhështia e mitit të malit të Munellës, të gjitha tiparet dalluese të shoqërisë shqiptare janë të pranishme të vepra fishtjane, një sistem shoqëror i mbështetur tek “Lahuta e Malcís”: traditat e varrimit, besimet, mikpritja bujare e fiseve, plaga e gjakmarrjes, një perceptim i mprehtë i nderit mashkullor, besnikëria absolute ndaj fjalës së dhënë.
Ku vetë Gjergj Fishta në “Lahutën e Malcís” në këngën e gjashtëmbëdhjetë shkruan kështu:
“Kû me vedi u a kem’ prû:
Kur t’urdhnoni me u rreshtue.
Edhe trimat rreth janë vû.
Nja mbas mbas njâ’ i e rend mbas rendit,
Me Llesh Gjonin m’ krye të vendit:
Asht Gjomarkajsh e i bje prija
Derë mâ t’vjetër s’ka Shqypnija”.
(Gjergj Fishta: “Lahuta e Malcís”, f. 268).
At Gjergj Fishta në Lahutën e Malcís në këngë e pesëmbëdhjetë, të titulluar “Kasneci” do shkruante kështu:
“Djaloçi i kallxon Mbretit ushtrin Shqiptare: 2000 djelm nga Dukagjini nën Mar? Lulen e Shalës; 3000 Mirditas nën Prekë Bibë Dodën; nji numer i panjohun Shkodranësh nën Hodo Begun; Shkrel, Vukël, Nikç e Kelmend, ka nji per shpi, nën Bajraktarin e Hotit, Qun Mulen. Si mos të mjaftojshin këta-shton kasneci-Mati e Kruja, thonë u paska çue fjalë të parëvet se per se shpejti do t’u a mrrijnë me djelmët e vet, nën Toptanin”.
Malësori i lahutës së Fishtës kishte tipare që e dallojnë nga banorët e zonave të tjera, ai kishte tiparet e malit në të cilin jetonte, shpesh Fishta shprehej se malësorët e Leknisë banojnë në vende të egra.
Moré i
britën Lekët p’r’i heri.
Ndore t’uej! përgjegji i mjeri,
brimet t’ Lekëve ka’ u trishtu’,
“huata” n parzme q’ia ki’n vu.
Se i
Mirditas kam qillu’,
lé në Mnelë, n’ Bajrak të Spaçit,
ndejë me shpí n’ anë t’ Kalivaçit,
Po a thue ti jé, kumbarë Marku?
po i thotë Beci, tue iu afrue;
kumbarës dorën ka shtërngue,
e ç’janë falë faqe për faqe,
si âsht zanati ndër bajraqe
(Gjergj Fishta: “Lahuta e Malcís”, f. 304-305).
Vepra e Fishtës bashkon në vete letërsinë heroike, letërsinë etnike e letërsinë fantastike, të tria si trashëgimi të veprave të mëdha. Gjergj Fishta e ndoqi dhe e thelloi këtë traditë të pasur në letërsinë tonë, duke i dhënë atë dimension e thellësi që nuk e kishte pasur deri atëherë. Këtë e bëri sidomos me veprën “Lahuta e Malcís”.
Në këngën të titulluar: “Kulshedra” Fishta do shkruante:
“Un jam vetë ajo Ora e Shalës:
Moter un me at Orë t’ Merditës,
Qi veron mbi bjeshkë t’ Mundelles”.
(Gjergj Fishta, “Lahuta e Malcís”, f. 267).
Arsyen pse veproi në këtë mënyrë Fishta e thotë vetë në parathënien e Kanunit të Lekë Dukagjinit, të mbledhur nga Shtefjën Gjeçovi etë botuar më 1933: “Folklora” âsht pasqyra e kthjelltë e psihes së komit; âsht rrasa mermerit, me të cillen historija zgavrron t’endunt e të shendunt e popujvet, âsht cehja e pashterrhme e gjuhsís e letërsís komtare.
Nisur nga kjo parathënie e At Fishtës mund të themi se Anton Çetta e zbatoi fare mirë këtë mendim fishtjan, pasi ai gjithë jetën e kaloi me punën në terren, duke njohur pikërisht psiken e kombit, atë rrasën e mermerit. Këtij intelektuali të shquar i përket merita të jetë ndër nismëtarët që u mor me studime të kësaj fushe, duke trajtuar temën e kulturës popullore dhe ndikimet e traditës folklorike në përgjithësi.
Mblodhi dhe boti tregime popullore, baladat si vepra të poetëve anonimë popullorë shumë të vjetra që kanë jetuar ndër shekuj ë transmetimin gojor të popullit para se të kenë filluar të shënohen; gojëdhënat popullore me përmasa legjendare dhe legjendat tradicionale që përbëhen nga faktet historike që kanë gjallëruar gjatë shekujve. U frymëzua nga poezia popullore dhe zbuloi shpirtin dhe vendin e rapsodit popullor shqiptar në Kosovë e më gjerë në trojet shqiptare.
Duke i njohur dhe botuar në vepra të veçanta zakonet e popullit tonë të cilat zbulojnë ndjeshmërinë e tij dhe konsiderohen si një dëshmi e rëndësishme, arriti të krijojë një domethënie dhe atmosferë të veçantë. Prandaj, nuk është për t’u çuditur kur në vitin 1990 filloi lëvizja e pajtimit të gjaqeve dhe ngatërresave në Kosovë, duke u vënë në krye të kësaj lëvizje, e cila u shndërrua në një aksion të madh gjithëpopullor dhe me rëndësi të madhe kombëtare, duke u bërë zëri i popullit, kthehet në botën e atmosferës ë mitit dhe legjendës, sinonim i paqes dhe jetës, i respektit dhe dinjitetit ndër shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe më gjerë.
Më së miri të gjithë punën e Pajtimtarit Anton Çetta e përligj, kjo thënie e tij: “Duhet të jemi trima të urtë. Kombi shqiptar kurrë nuk ka qenë më unik, pas këtij bashkimi kombëtar, nuk ka fuqi që mund ta gjunjëzojë këtë popull”.
Mark Çeta gjyshi i Anton Çettës, një ndër burrat më në zë të kësaj familje të dëgjuar atdhetare. Mark Çetta kishte lindur në vitin 1860, në Xhuxhë të Fanit. Ai u rrit dhe u edukua me frymën atdhetare dhe me urrejtjen kundër pushtuesit turk, që me pushtimin e egër vazhdonte ta synonte pushtimin e Mirditës dhe gjithë territoreve shqiptare. Në vitin 1884, në moshën 24 vjeçare, Marku largohet nga vendlindja dhe vendoset në Prizren. Pikërisht në Prizren, pas një periudhe të shkurtër kohore, ai martohet me Gjysten, bijën e një familje të njohur të Prizrenit.
Nga martesa e tyre Marku dhe Gjystja kishin pesë fëmijë, përkatësisht dy djem e tre vajza. Djali i parë ishte Kola, ndërsa i dyti Lazri (i ati i Anton Çettës).
Falë përkushtimit të babit Mark Çettës fëmijët e tij qenë të edukuar dhe të arsimuar shumë mirë. U shkolluan edhe në kolegje franceze. Megjithatë, më i përparuari, jo vetëm në fushën e dijes, por edhe në fusha të tjera, ndër fëmijët e Mark Çettës ka qenë Lazer Çetta. Ai lindi në Mirditë, më 1 shkurt të vitit 1895.
Lazër Çetta u martua në vitin 1917 me Agen nga Gjakova, njohje kjo e bërë në kohën kur Lazri ishte sekretar i Komandës së xhandarmërisë në Gjakovë. Pas tre vjetësh lindi në këtë qytet djali i parë i Lazër Çettës Antoni. Ai lindi në Gjakovë më 3 janar 1920.
Nga viti 1984, Qyteza dhe Ujësjellësi i Domgjonit (Gurra e Lashtë), mbajnë statusin “Monument Kulture i Kategorisë së I-rë.
Mendohet që Ujësjellësi dhe Qyteza e Domgjonit, janë ndërtuar në Antikitetin e Vonë, fillim shek. VI.
Me sa duket, fortifikimi i Qytezës u ndërtua mbi gjurmët e një vendbanimi më të hershëm, në periudhën e Justinianit I-rë,i cili në kohën e dyndjeve sllave, ndërtoi apo rindërtoi një sërë fortifikimesh ne territoret e Ilirisë.
Në kontekstin historik kjo përshkon me tradicionin e njohur, pasi fisi ilir i Pirustëve, që ka banuar edhe në këto treva, ka qenë i njohur për përpunimin e mineralit të bakrit.
Duke parë teknikën e ndërtimit dhe veçoritë arkitektonike të ujësjellësit, specialistët e kanë vlerësuar si ndër më të rrallët në vendin tonë. Ujësjellësi ka ardhur pothuajse i pa dëmtuar deri në ditët tonë. Janë të nevojshme ekspeditat e organizuara arkeologjike për të dhënë një profil më të qartë të fortifikimit, planimetrinë e tij, etj, si dhe ndërhyrjet restauruese e konservuese.
Sipas arkeologut Apollon Baçe: “Ndërtimi i qendrave të banimit në shekujt e parë të erës sonë, në terrene të rrafshtë, përdorimi i tullave dhe llaçit hidrolizës i dha një shtytje ndërtimit të ujësjellsave. Ujësjellësi i Qytezës së Domgjonit nis në malin e Munellës, ku uji pasi mblidhet prej një prite të vogël përcillet në një kanal nëntokësor. Në mesin e ujësjellësit gjendej pusi i kontrollit, në të cilin të fut nga sipër një portë e vogël. Pusi cilindrik, 12 m i thellë dhe 2.5 m i gjerë është punuar me muraturë guri. Një palë shkallë helikoidale të shpien në pusetën në taban, nëpërmjet së cilës kalohej në brendi të kanalit të ujësjellësit të punuar po me muraturë guri. Ujësjellësi ishte ndërtuar me njohuri të plota teknike. Kalimi i tij nëpërmjet tunelesh të hapura në shkëmb si dhe vetë konstrukti i pusit të kontrollit, dëshmojnë qartë përvojën e punimeve në terrene shkëmbore, për të cilën popullsia vendase pirustë, çmohej në tërë botën antike. (Historia e Arkitekturës Shqiptare, botim i vitit 1979).
Sipas arkeologut Nikollë Doda: Pusi i kontrollit fillon me një hyrje jo të madhe në sipërfaqe të tokës. Nga këtu nisen 23 këmbë shkallë të gurta, që vazhdojnë në trajtën e spirales në faqen e brendshme të pusit, të cilat përfundojnë me një platformë në të cilën ndodhet puseta e kontrollit me përmasa 0.92×0.90 m dhe vetëm 50 cm më poshtë kësaj platforme kalon tuneli i ujësjellësit. Tuneli ka gjerësi 0.95 deri në 1 m, ndërsa lartësia e tij lëviz 0.80 deri në 1.30 m.
Pjesa më e madhe e tunelit është e hapur, me galeri horizontale të veshura me mure dhe nga sipër të mbuluara me qemer. Duke gjykuar mënyrën e ndërtimit të pusit të kontrollit dhe sidomos të tunelit të ujësjellësit, konstatohet qartë se ndërtimi i tij është kryer nga një popullsi me tradita në hapjen e galerive nëntokësore.
Vendbanimi i fortifikuar që në traditën vendase njihet si “Qyteza”, ishte vendosur në fshatin e sotëm të Domgjonit, në perëndim të luginës së Fanit të Vogël.
Në luginën e Fanit ka kaluar rruga e hershme dhe e rëndësishme Lezhë-Prizren. Një degë e saj nëpërmjet luginës së Fanit të Madh dilte në Fushë-Arrës, ku bashkohej me rrugën Shkodër-Prizren. Ndërsa dega tjetër nëpërmjet luginës së Fanit të vogël dilte në Lumë (Kukës) për të arritur në Prizren dhe më pas drejt trevave të tjera të Dardanisë. Përgjatë kësaj rruge janë ndërtuar kala dhe vendbanime të fortifikuara, si: kalaja e Matrizës në Rubik, fortifikimi “Kalaja e Teutës” në perëndim të Tenës, fortifikimi mbi “Kepin Llesh” në veri të Gëziqit, kalaja e Meshurdhit në mes fshatrave Simon e Gëziq, “Maja e Kalasë” në Blinisht, kalaja e Andërfajt në Konaj, qyteza e fortifikuar e Domgjonit, etj.
Disa prej këtyre fortifikimeve kanë pasur funksion mbrojtës e kontrollues të luginës. Referuar vendgjetjeve të shumta arkeologjike, përgjatë luginave të Fanit të Madh, Fanit të Vogël, e më gjerë, pos fortifikimeve që janë ndërtuar kryesisht në shekujt e parë të erës sonë, ka pasur edhe shumë vendbanime të hapura.