Nga Elona CASLLI
Një koment i Redin Hafizinë një foto timen bashkë me Ilirian Agolli, do të më nxiste ta vishja me shkronja mendimin tim.
Redin Hafizi përshëndet nga larg Ilirian Agollin, duke i rikujtuar këtij të fundit, kohën e largët të protestave. Çfarë ka ndodhur në të vërtetë?! Ku ka gabuar shoqëria shqiptare në harkun kohor 1990- 2019?! Gjendemi në një udhëkryq tragjik në këtë vit që po mbyllet dhe ky është një fakt i pamohueshëm. Shqipëria është e gjunjëzuar.
Për gjunjëzimin e saj jemi të gjithë dëshmitarë dhe njëkohësisht jemi të gjithë përgjegjës. Hipokrizia më e madhe do të ishte po t’ia hidhnim fajin dy ose tre individëve të vetëm. Një sistem nuk rri në këmbë nga një njeri i vetëm, por nga një bashkësi njerëzish që e mbështesin këtë të fundit. Dhe nuk duhet harruar që mbështetja më e mirë për një sistem të gabuar është qoftë heshtja, qoftë indiferenca.
Mbështetja për një udhëheqës apo për një tjetër, në shumicën e rasteve, për fat të keq, bazohet gjithmonë tek një interes personal. Interesi personal për fatin tonë të keq, në përgjithësi përkthehet me përvetësimin e diçkaje që nuk na takon. Interesi personal nuk është një e drejtë e mohuar por një privilegj i pamerituar. Dhe pikërisht se kemi marrë diçka që nuk na takon, mbetemi peng. Mbetet peng fjala, mbetet peng qëndrimi, mbetet peng kundërshtia kundër udhëheqësit dhe mbërrijmë në këtë pikë.
Vetëm merita mund të të dhurojë lirinë, ashtu si paaftësia skllavërinë. Besoj fort se demokracitë e shëndetshme janë pasojë e marrëdhënies së drejtë që një shoqëri ka me të vërtetën dhe me vetë të drejtën. Cili është raporti i çdo shqiptari me të drejtën?! A jemi ne në gjendje të kapërcejmë vetveten dhe të shkojmë përtej interesit personal dhe të zbresim tek interesi kombëtar?! Sa herë kemi protestuar ne kundër padrejtësive?! Sa protesta ka në jetëshkrimin përkatës çdo shqiptari?!
Ne që duam më të mirën për këtë vend, sa jemi përpjekur në emër të saj?! Një rishqyrtim i vetvetes do të ishte i dobishëm për çdo shqiptar në këtë kohë të çoroditur, për të kuptuar se protesta kundër një padrejtësie nuk duhet të frymëzohet nga Partia, por nga qytetaria. Çdo demokraci e shëndetshme ka një historik qëndrese kundër padrejtësisë.
Post Scriptum- Që e shkuara mos të jetë e ardhmja…..