Ishin nisur dje në mëngjes për në Durrës. Aty do të shkonin për disa ditë me qëllimin që t’i kryenin disa punë. Por, dy vëllezërit nga fshati Livoç i komunës së Gjilanit patën fatin e keq dhe mbetën nën gërmadhat e hotelit në Durrës ku po qëndronin pas tërmetit të tmerrshëm i cili e goditi mbrëmë Shqipërinë duke e gjetur kështu vdekjen. Familja Abazi për vite u përcoll nga histori tragjike. Asaj vite më parë iu shua edhe një djalë. Express iu sjellë rrëfimin e dhimbshëm nga Livoçi i Gjilanit. Mbijetesën po e siguronin nga punët që kohë pas kohe po i kryenin si mekanikë në Shqipëri. Me këto punë, dy vëllezërit tashmë të ndjerë Shemsedin e Isa Abazi, njëri 32 e tjetri 29 vjeçar po merreshin një kohë të gjatë.Gazeta Express, sot ka qëndruar në shtëpinë e këtyre dy vëllezërve në fshatin Livoç të Gjilanit. Ata janë të shokuar nga e gjithë kjo ngjarje e rëndë. “Nuk po duam të besojmë se ata janë djemtë tanë. Kjo nuk është e mundur. Thjeshtë nuk mund që të jenë ata”, flasin nën lot familjarët e dy vëllëzërve tashmë të ndjerë.Ata tregojnë se Shemsedini e Isai, kishin shkuar për punë në Durrës. Këta të dy kanë lënë pas edhe fëmijë, njëri katër tjetri dy.