Nga Erl KODRA
Në rrethana hipotetike, domethënë në ato rrethana ku shteti punon si sahat, unë nuk do të shkruaja një shkrim të ngjashëm, por një roman me të njëjtin subjekt, që me siguri do të ishte best seller. Ku mund të gjesh një fabul më të jashtëzakonshme se sa një Kryeministër, që është edhe Kryemafioz, Kryeprokuror, Kryepolic, Kryehetues, Kryegjykatës, Kryediplomat, Kryeredaktor, Kryehajdut dhe Kryebatakçi, njëkohësisht?!
E pamundur të gjendet në faqe të dheut.
E pra, këtu nuk ka fantazi, nuk ka metafora, nuk ka alkimi artistike, por veçse një prozë të vrazhdë, të ndyet dhe përçudnuese, ndërsa përpiqem të gjejë fillin mendimit. E pamundur. E pamundur të konceptoj se këto gjëma ndodhin ashtu, si pa të keq. Dhe e gjitha kalon po njësoj, si pa të keq.
Më lejoni të jem i drejtëpërdrejtë.
Përpiqem të paramendoj të gjithë ata njerëz që e mbajnë veten për të drejtë, të ditur dhe dinjitarë. Atë ushtri me profesorë dhe doktorë, juristë të shquar dhe avokatë të ditur, gazetarë dhe redaktorë të mediave. Domethënë, të gjitha ata njerëz të arsimuar mirë, që janë në gjendje të konceptojnë të mirën dhe të keqen.
Nuk e di se si do të flenë sonte, se qysh do të mund të ngrihen nesër në mëngjes, dhe qetësisht të fillojnë ditën e tyre të punës, sikur asgjë nuk ka ndodhur.
Vërtetë nuk e di. Sinqerisht.
Një zgërhyell i gjatë, në një sallë të errët, të mbushur me eksponetë mafioz, me një stil açik, shoqëruar me muzikë sygjestionuse, po ha të gjallë lirinë tuaj. Televizionet transmetojnë non-stop sinjalin e ERTV-së me muzikë të errët dhe fjalë të rënda.
Liria juaj vdiq, e hëngri zgërhyelli i gjatë. Ditën për diell, në një sallë të errët, live në ERTV.
Qofshi vetë….