Deri dje kemi parë të gjitha skandalet ku mund të degradojë një pushtet. Kemi parë sesi Parlamenti ka dalë jashtë funksionit dhe opozitë quhen një tufë guakësh që paguhen si deputetë, por votojnë gjithmonë si qeveritarë. Kemi parë sesi korrupsioni nga fenomen i izoluar është kthyer model qeverisje, ku nuk vidhet vetëm ndonjë lekë te tenderat, por grabitet gjithë tenderi. Kemi parë sesi pushteti, 30 vjet pas rënies së komunizmit, nuk e ka problem të bëjë zgjedhje moniste dhe të thotë se votimet ishin më demokratike se kurrë. Por të arrinte deri këtu sa të detyrojnë një femër kandidate që të shkojë të noteri për tu bërë anëtare e gjykatës kushtetuese, nuk e kishim menduar!
Deri dje të gjithë mendonin se këto vite kemi parë të gjitha skandalet ku mund të degradojë një pushtet. Kemi parë sesi Parlamenti ka dalë jashtë funksionit dhe opozitë quhen një tufë guakësh që paguhen si deputetë, por votojnë gjithmonë si qeveritarë. Kemi parë sesi korrupsioni nga fenomen i izoluar është kthyer model qeverisje, ku nuk vidhet vetëm ndonjë lekë te tenderat, por grabitet gjithë tenderi. Kemi parë sesi pushteti, 30 vjet pas rënies së komunizmit, nuk e ka problem të bëjë zgjedhje moniste dhe të thotë se votimet ishin më demokratike se kurrë. Kemi parë sesi parimet e demokracisë për qeverisje sa më afër interesave të qytetarëve, u kthyen në dhunë me shkopinj gome dhe gaz lotsjellës të një grupi njerëzish kundër gjithë shqiptarëve. U çuditëm kur pamë sesi dekretet e kreut të shtetit nuk vlerësohen më nga Gjykata Kushtetuese, por mjaftojnë ca biba në KQZ për të rrëzuar me një fjalë goje gjithë institucionet. Kur dukej se kjo mazhorancë dhe ky model qeverisje nuk ka çfarë të vjedhë më dhe nuk ka më as fantazi për të grabitur bukur, siç na premtuan dikur, vjen dhe çudia e padëgjuar kurrë më parë. Arta Vorpsi, një juriste e njohur, që PS i premtoi se do ta bënte anëtare të Gjykatës Kushtetuese duke i grabitur të drejtën kushtetuese Presidentit të Republikës për këtë procedurë, dje ka tejkaluar çdo parashikim. E nxitur sërish nga juristët e Rilindjes për marrë padrejtësisht postin e premtuar, Vorpsi shkoi dhe bëri betimin te noteri, si anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Një akt të tillë nuk është i shpjegueshëm as ligjërisht dhe as moralisht. Sepse pyetja e parë që i vjen në mendje një qytetari kur dëgjon këtë idiotësi është: ç’punë ka Gjykata Kushtetuese, institucioni më i lartë i drejtësisë në një vend, me një notere? Mbi të gjitha, një person që nuk figuron e zgjedhur në asnjë procedurë, me çfarë guximi shkon dhe betohet para një notereje si anëtare e Gjykatës Kushtetuese kur betimi është i vlefshëm vetëm para Presidentit të Republikës? Në bazë të ligjit, Presidenti zgjodhi Marsida Xhaferllarin si anëtare të kësaj gjykate dhe emri i Vorpsit u përmend vetëm nga PS në seancë të Kuvendit, por nuk hyri në votim. Emërimi i saj ishte i vlefshëm vetëm në ndonjë letër të brendshme të PS, por sipas ligjit, Kushtetutës dhe procedurave parlamentare Vorspi ishte vetëm një kandidate e futur në listë nga KED, jo nga Presidenti dhe as nga Kuvendi. Një gafe noteriale si kjo mund t’u falej, fjala bie, një qytetari të painformuar, por jo një kandidateje dhe juriste të njohur që paska bërë dhe ligjet e reformës në drejtësi.
Akti i djeshëm, më mirë sesa nga institucionet dhe ekspertët e drejtësisë e mori përgjigjen nga qindra mijëra reagime të qytetarëve. Nuk ka asnjë rast tjetër të ngjashëm në rrjetet sociale, mediat, madje dhe qytetarët në komunikimin e përditshëm janë tallur kanë përbuzur një procedurë të tillë. Sarkazma, ironia dhe neveria për aktin e djeshëm ishte më i fortë se çdo reagim institucional dhe kjo ishte përgjigja më e mirë, tallja masive e shqiptarëve me Rilindje. Megjithatë, Arta Vorpsi është një juriste dhe nuk do kishte guxuar të bënte një gabim të tillë profesional, pa u urdhëruar nga dikush tjetër. Ndonjë idiot i motorizuar si jurist në PS duket se i ka sugjeruar Vorpsit që me anë të një notereje të zëvendësojë aktin e ceremonisë së ligjshme të betimit te Presidenti i Republikës. Duke e urdhëruar të bëjë një gjest politik kundër kreut të shtetit, në mënyrë direkte dje socialistët eliminuan dhe profesionalisht Vorpsin duke e nxjerrë si një amatore, ndërkohë që realisht nuk është e tillë. Pas këtij akti sado respekt dhe vlerësim për një jurist që të kesh, natyrshëm thua, më mirë që nuk u zgjodh.
Por gjithsesi, akti i saj ishte një kalkulim politik i PS kundër Presidentit, vetëm se doli një kalkulim idiot dhe i çmendur. Pasi tentuan të sulmojnë me çdo mjet kreun e shtetit, pasi kanë ngritur komisione hetimore dhe brigada sulmi për linçim familjar dhe personal ndaj kreut të shteti, me qëllim për ta bërë të tërhiqet nga qëndrimet ligjore të tij, PS dje preku fundin duke bërë budallallëkun më të madh ligjor. Çdo socialisti i ka ardhur turp kur ka parë dje se kandidate e Gjykatës Kushtetutës, të dalë nga vettingu, monitorimi ndërkombëtar dhe 1 mijë filtrat e procesit të reformës, të bëjë idiotësira që edhe një analfabet juridik nuk i bënë.
Në fakt akti juridik i Arta Vorpsit, dje ka një vlerë që duhet t’ja njohim. Nga dje mund të themi me plot gojën që Rilindja është çmendur. Madje, ka një dokument noterial që e zyrtarizon këtë çmenduri.
Arta Vorpsin nëse PS-ja e don anëtare le ta zgjedhë nga numrat që i takojnë Kuvendit e jo ta turpërojë ashtu siç bëri dje me të, duke e çuar te noteri, sa nuk mbeti njeri në rrjetet sociale pa u tallur me atë veprim.
Mili Xhani