Luçiano BOÇI
Në mënyrën më të thjeshtë idenë e një mini Shengeni ballaknik e kam dëgjuar për herë të parë në një takim zyrtar, bërë në Kuvendin e Shqipërisë, nga presidenti i atëhershëm i Maqedonisë së veriut George Ivanov. Ishte koha kur Shqipëria kishte bërë hapa gjigande në raportet euroatlantike. Vendi ynë ishte tashmë anëtar i NATO-s dhe priste marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE. Vetë Maqedonia e sotme e Veriut, ishte në vend numëro. Serbia gjithashtu. Ndërsa Kosova zgjeronte ndërkohë njohjen e saj ndërkombëtare. Ekonomikisht Shqipëria po shfaqte shenjat e qarta të një dominance rajonale e favorizuar dhe nga rritja e ngadalshme, por e sigurtë e Kosovës.
Teza e Ivanov në takim dukej profane, por brenda kishte një reagim real për skepticizmin evropian ndaj vendit të tij. Ai kërkoi disa herë në kuadrin e rritjes së bashkëpunimit ekonomik rajonal ringjalljen e rrugëve të famshme tregëtare që vinin nga Euro-azia, të kohës së perandorisë osmane, ku Shkupi spikaste me rolin e tij si kryqëzim i rëndësishëm dhe brenda të cilit përfshihej Durrësi, por dhe i nënkuptuar Beogradi. Teza u përcoll me kortezi nga politika drejtuese shqiptare e kohës, pasi objektivat tona ishin më të larta dhe Shqipëria nuk mund të merrte atëhere përsipër të luante role karshillëqesh ndaj partnerëve ndërkombëtare falë përgjegjshmërisë së lidershipit prokombëtar e proeuroatlantik. Mos harrojmë që marrëdhënia e atëhershme me Serbinë ishte politikisht korrekte dhe jo si sot që është dashurisht korrekte.
Teza tanimë e këtij trekëndëshi që përjashtonte Prishtinën e papërmendur dhe Malin e Zi, është rishfaqur nën termin dhe iniciativën për një hapësirë ekonomike rajonale të tipit Shengen, e ndërmarrë nga dyshja Rama-Vuçiç. Rimarrja nuk është rastësore. Situata në raport me skepticizmin evropian, si kompleks faji, ka infektuar tashmë dhe politikën shqiptare. Dështimin e vet Rama ka interes ta paraqesë e ta shesë si dështim të politikës evropiane të zgjerimit në rajon, duke përmbushur njëkohësisht dhe detyrat ndaj padronëve të tij të nëntokës. Përpos kësaj, fijet duket qartë që lëvizin më lart dhe situata e bashkëpunimit të armiqve shekullorë, për hir të interesave të ngushta politike të ditës, thjeshtë i ka dhënë hov kësaj ideje rokamboleske. Për më tepër, gjërat kanë ndryshuar dukshëm në disfavor të faktorit shqiptar dhe momenti për t’i marrë atij erzin duket oportun për autorët e faktorët e rilindur. Serbia tani ka marrë rolin e lokomotivës ekonomike në rajon. Maqedonia e Veriut është bërë pjesë e NATO-s dhe ka gjetur paqen me Greqinë. Shqipëria ka dështuar prej gjashtë vitesh dhe sot është në pozita më inferiore se sa vendet e rajonit që dikur i tejkalonte, përsa i përket pozitës së saj në afërsinë më portën evropiane, por dhe përsa i përket performancës ekonomike dhe demokratike. Ndërsa Kosova gjendet në ankthin e debatit për shkëmbim territoresh e çuditërisht përkrahësit më të zjarrtë të shkëmbimit janë po të njëjtën persona që iniciojnë këtë mini Shengen. Në këtë pikë alarmi amerikan për rritjen e influecës ruse në rajon është legjitim dhe kritikat ndaj BE nuk janë aspak emocione ndaj liderve të korruptuar si Rama, por pjesë e një gjeopolitike më të gjerë. Përplasja SHBA-Rusi dukshëm ka kaluar në një stad të ri në rajon falë dhe lëvizjeve kaotike të lidershipit shqiptar, i cili sot nga një anë bërtet për rrezikun rus dhe nga ana tjetër flirton pa u fshehur me interesat e drejtpërdrejta që vijnë nga Rusia, ose që vijnë nëpërmjet motrës së saj në Ballkan, Serbisë. Bëhet fjalë për interesa miliarda euroshe dhe interesa pushteti të pista që drejtuesit autokratët aktualë të linjës Shqipëri-Serbi, po i lëvizin për hir të ruajtjes së dominancës personale politike. Jo më kot, në kulmin e një ndërmarrje të tillë, e pasuar më takime intensive pas dështimit spektakolar me negociatat, ndërmarrje që rrit influncën Serbe alias Ruse në Ballkan, në opinionin e brendshëm Rama po përdor të gjitha bateritë e tij institucionale të drejtësisë së komanduar politikisht dhe mediatike për të mbajtur në këmbë një fabul të rrëzuar. Atë të financimit rus të PD duke akuzuar krejt në formë të turpshme vetë liderin e opozitës Bashën. E gjitha kjo për të ngritur tymnajën para fakteve kokëforta dhe tronditëse. Rama me veprimet e tij ka përçmuar pozitën e Kosovës dhe e ka trajtuar atë, në të gjithë këtë iniciativë me partnerin e gjetur dhe të atashuar nga të tjerë padronë, Vuçiç, si shtet inferior. Jo vetëm këtu, por në gjitha veprimet e deklaratat e Ramës ka një fill të dukshëm pro serb dhe prosllavizmi i tij, jo vetëm ideologjik nostalgjik, ulëret fort. Tek e fundit vizitat e ndërsjella të tij me Beogradin nuk sollën gjë tjetër, veçse forcimin e pozitës europiane të lojtarit rus Vuçiç dhe anashkalim të faktorit drejtues në Kosovë. Marrëveshjet ekonomike të disfavorshme me Serbinë stimulojnë, veç të tjerash, “helmimim” me miell serb të tregut shqiptar dhe asgjë tjetër. Dhe mini Shengeni me gjasa do jetë një tren ekonomik serb që do pushtojë hapësirën mjerane gjysëm-ballkanike të hartës virtuale që kanë këta në xhep, por nëntoka e së cilës fsheh miliarda, sikurse fsheh ata që janë të interesuar drejtpërdrejtë për këto interesa, por që ndikim e tyre e ushtrojnë me “Titon” e ri të ballkanit. “Tito” i ri, i cili kërkon të realizojë jo si ëndërr, por si mekanizëm efikas Jugosllavinë e re. Vuçiç me imitimin që po i bën Titos me teorinë e re “të vendeve të paangazhuara (në Europë) të Ballkanit” po korr suksesin e vet, duke pasur në krah Ramën e shfazuar nga deliri e interesi personal, ose siç thotë populli nga okllaija e interesi dhe me një mbështetje historike nga mëma Rusi. Të dy janë në rolet e ngarkuara, por Vuçiç është kaluar, ndërsa Rama një ushtar i fëlliqur i perandorisë së ringjallur.
E përsa kohë ne si shoqëri e komb do vazhdojmë të dëgjojmë daullet që i bie Rama për gjoja rrezikun rus, serbi do vazhdojë të bëjë kërdi, me përkrahjen totale të tij për hir të atyre që e kanë vendosur aty ku është, duke tejkaluar faktorin dominant shqiptar në rajon dhe duke qenë mjeti i interesave të vërteta ruse në Shqipëri e Ballkan.