Mësohet se tema kryesore e diskutimit do të jetë: Anëtarësimet e reja që janë bërë në PD, deri më 31 tetor. Rreth një muaj më parë, kryedemokrati Basha porositi koordinatorët e shpërndarë në rrethe që deri në fund të muajt të kaluar të identifikonin votuesit besnik të tyre dhe kontaktimin e tyre.
Përveç këtyre, Basha u kërkoi edhe regjistrimin e anëtarësimeve të reja. Tashmë që kjo procedurë ka përfunduar, lideri i opozitës do të jetë sot në orën 17:00 në Elbasan, në kuadër të turit të ri të takimit me të rinjtë, për të diskutuar mbi arsyet e emigrimit dhe rigjetjen e shpresës në Shqipëri.
Basha do të diskutojë me ta për rreth një orë dhe më pas do të takohet me kryetarët dhe sekretarët e Qarkut të Elbasanit. Takimin e fundit në Elbasan, kreu i selisë blu e ka parashikuar me kryesinë e PD-së në Elbasan. Basha pritet të ketë të njëjtën axhendë edhe në Korçë, Shkodër, Vlorë dhe Krujë.
Me turin e takimeve me të rinjtë në rrethe, Basha synon që të masë edhe punën e kryetarëve dhe sekretarëve të PD-së.
Dëgjesën e parë me të rinjtë, ai e zhvilloi në selinë e PD-së, ku ishte i pranishëm edhe kryetari i forumit të të rinjve të partisë së Kancelares Angela Merkel. Kryetari i Forumit Rinor të CDU, Tilman Kuban, i bëri thirrje demokratëve të pranishëm në takim të ndihmonin Lulzim Bashën, që të bëhet kryeministër sa më shpejtë.