Nga Besmir Doci
“ Një qeveri që vjedh Pjetrin për të paguar Palin, gjithmonë do të varet tek mbështetja e Palit.”
E reklamuar si “ Rilindja” dhe “ Shqipëria e gjeneratës së Re”, kështu filloi gjithçka për këtë qeveri. Tek të dyja emërtimet kuptohej qartë se do kishte nisje nga zero : lindje e re e një gjeneratë që do shuhej për t’i lënë stafetën perfektes. Me këtë frymë të propaganduar presupozohej që të ndodhte një rrugëtim i ri po aq madhështor sa shkërmoqja e së shkuarës.
Çfarë po shohim sot, pasi kanë kaluar thuajse 5 vite nga kjo fryma e re e shtetit dhe pushtetarëve ? Gërmadha. Vetëm gërmadha. “ Rilindja” dhe “ Shqipëria e gjeneratës së Re” shkatërruan gjendjen totale të një republike parlamentare demokratike duke lënë vetëm rrënojat.
Gërmadha të frikshme janë shëndetësia e arsimi. Gërmadhë po aq e frikshme është sot parlamenti. Gërmadhë tmerrësisht e shteruar është sistemi i drejtësisë. Gërmadhë frikshmërisht e patundshme është pakti narko- qeveritar. Gërmadhë e neveritshme është përfytyrimi i Enver Hoxhës në çdo komunist e bir/ bijë komunisti me pushtet duke filluar nga numri një i Parlamentit. Gërmadhë qesharake është dhe çdo njeri që pas 5 vitesh qeveri e re, bëzan : “ Fajin e ka Saliu !”. Gërmadha vrasëtare janë arroganca e cinizmi qeveritar.
Në një pikë të tillë, të gjithë kemi të drejtën e Zotit të pyesim veten po më shumë Edvin Kristaq Ramën : Në këtë vend, qeverisen njerëz apo sende ? Ju vetë, po qeverisni shtetin e rilindur dhe të ringritur nga ajo “ skëterra e Saliut” ? Po qeverisni gjeneratën e re të punëtorëve të thjeshtë, të familjeve larg skamjes, të rinisë se arsimuar, të qytetarëve të sigurtë, të drejtësisë së pakompromentueshme, të diplomacisë të paluhatshme, të shqiptarëve më pranë Evropës, të gjyqtarëve, prokurorëve, kryebashkiakëve, policëve, arsimtarëve, doktorëve plotësisht të ndershëm !?
… Apo, po qeverisni “ zot e shkop” gërmadhat e një sistemi ala- Rama ?
Për “ shëndetësinë falas” ngritët tendera pafund dhe ngelët aty; për “ policinë që duam” shkarkuat punonjës e vendosët Saimir Tahirin supervizor; për “arsimin që duam” u mjaftuat me zëvendësimin e “ malokëve” të PD-së me rilindasit tuaj e ligjin dështarak të arsimit të lartë dhe për të bërë të famshmen “ reformë në drejtësi”: Gjykatën Kushtetuese ia keni lënë në dorë fatit, kryeprokurorinë Kryeministrit e vullnetit të kartonave jeshilë të maxhorancës, anëtarët e KLP- së dhe KLGJ-së i zgjodhët me integritetin moral e profesional të barabartë me tuajin. Për ekonominë që do sfidonte dhe tregjet europiane vendosët në krye një mësues anglishteje. Gërmadha diplomatike s’ është aspak më e vogël se të tjerat, duke filluar që me marrëveshjen e pabarabartë me Greqinë, duke vazhduar me Trumpin si “ kërcënues i demokracisë amerikane” dhe së fundmi, me dështimin e hapjes së negociatave me BE- në.
Megjithatë, pakti narko- qeveritar mbetet dështimi më i madh i qeverisë Rama (1&2) qoftë dhe për të rilindur shpresën tek qytetarët, jo më për të rilindur një shtet në tërësi. Çdo ditë, me këtë pakt, Rama vjedh çdo Pjetër- qytetar të ndershëm në këtë vend për të ngopur etjen dhe urinë e pafundme të çdo Pali- narkotrafikanti ( krimineli) që vetë i ka rritur. Sa më shumë të vidhen të parët, aq më shumë shumohen të dytët e po aq shumëfishohen mandatet- shuplaka të Ramës, për sa kohë ekziston mbështetja reciproke.
Këtu krijohet një trini e favorshme për çdo autokrat : Një Pjetër që nuk reagon- gërmadhat e “ Rilindjes” së tij- Pali oportunist i dobësive sociale. Kush e ka fajin ? Ai që mbyll sytë për të mos pranuar fajtorin.
Pra, kjo qeveri po ushtron pushtet vetëm mbi sende : para, drogë, teatër, kartona jeshilë, territor,etj. Jemi aq të pavarur nga vullneti i saj, por aq të varur me sendet nën zotërimin e plotë të tyre. Për aq kohë sa do mbajmë sytë nga gërmadhat dhe jo tek vizioni i ndërtimit mbi to, do jemi NE- qytetarët vetë, mbështetësit primarë të shkatërrimit tonë.