Të dashur miq, Dua të ndaj me ju sonte diçka që e kam ndjerë thellë brenda meje sot. Ndodh shpesh që i dorëzohemi njëlloj trishtimi për jetën e cila shpesh është e vështirë. Justifikohemi dhe themi: “Kështu qenka jeta!”, ose “S’ke çfarë bën!”, ose “Të dalë ku të dalë!” etj etj.
Ndjehemi si të vetmuar, pa përkrahje a thua se gjithë botën e kemi mbi supe e nuk e mbajmë dot. Sa herë mund të ndjehen kështu prindër, funksionarë, politikanë, mësues, meshtarë, murgesha, punëtorë e biznesmenë, njerëz të thjeshtë, njerëz të njohur e të panjohur, te semure e te shendetshem.
E më erdhi ndërmend një histori e thjeshtë por kuptimplotë.
Një cift i ri po shikonin fëmijën e tyre të parë që dalënngadalë po fillonte të ngrhej në këmbë e të ecte. E lenin diku në gjysëm të dhomës e vetë rrinin diku në një cep e i thonin: “hajde te mami, hajde te babi!” Sa herë që fëmija rrëzohej e ëma shkonte me vrap e alarmuar dhe e ngrinte duke i fërkuar kokën apo atë pjesë të trupit që sipas saj ishte vrarë pak. Derisa në një moment bashkëshorti i tha: “Grua lëre të ecë, lëre të rrëzohet e të ngrihet vetë, edhe të vritet pak e t’i dhëmbë.

Nëse nuk bëjmë kështu nuk do të mësohet kurrë të ngrihet kur të rrëzohet. Ne nuk do të jemi gjithmonë me të. Por tani për tani me rëndësi për të është fakti që ne jemi të dy këtu në cep të dhomës e presim me duar hapur e i japim zemër të ecë drejt nesh. Detyra jonë është të jemi këtu e ta presim krahëhapur.” Ashtu bënë dhe fëmija mësoi më shpejt të ecë, të rrëzohet e të ngrihet vetë.
Zoti, të dashur miq, është si një prind që e di mirë se ne kemi veshtirësi të ecim, se ne rrëzohemi e kemi vështirësi të ngrihemi. Ai është aty në atë cep të dhomës së ekzistencës tonë, duke na dhënë zemër, duke na mësuar se duhet të ngrihemi pësëri e të vazhdojmë rrugëtimin tonë. Një gjë është e sigurtë: Ai është aty e nuk na len vetëm! Kjo ka rëndësi për ne, që në vetminë tonë, jemi me të.
Zemër miq! Ai është me ne.