Lartmadhëri,
Pasi lexova letrën Tuaj të katërt drejtuar Z. Basha, e gjej të udhës t’Ju risjell në kujtesë faktin se Kushtetuta nuk është çështje stinësh!
Nuk mund ta respektoni Kushtetutën në pranverë dhe ta shkelni në verë, ta citoni në vjeshtë apo ta harroni në dimër. Kushtetuta i përket çdo stine Lartmadhëri! Duket se Ju Lartmadhëri, keni filluar të kujtoheni për ekzistencën e një Kushtetute në Republikën e Shqipërisë vetëm ditët e fundit, teksa theksoni faktin se zgjedhjet nuk i keni caktuar Ju, po Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe nuk i keni në dorë Ju, por populli shqiptar.
A nuk ekzistonte Kushtetuta Lartmadhëri, ku krijuat – Ligjin e Posaçëm- për shembjen e Teatrit Kombëtar?! A nuk ekzistonte Kushtetuta Lartmadhëri, kur deputetët Tuaj e votuan plot dy herë atë ligj, ndonëse binte ndesh me Kushtetutën?! A nuk ekzistonte Kushtetuta Lartmadhëri, kur Kryebashkiaku grabiti shkronjat mbi godinën e Teatrit Kombëtar, kur drejtori Teatrit Kombëtar deklaroi se shkronjat nuk ishin grabitur, kur Ministrja e Kulturës pohoi se shkronjat ishin hequr se mund të dëmtonin njerëzit?!
Ku ishte Kushtetuta gjatë gjithë kësaj kohe Lartmadhëri?! Citimi i Kushtetutës nuk nënkupton detyrimisht respektimin e saj Lartmadhëri, sikundër respektimi i rregullave drejtshkrimore në letrën Tuaj , nuk nënkupton detyrimisht raportin e drejtë me të vërtetën.
Post Scriptum- Richard Bach do të shprehej- Mund t’i japim shumë mirë mësim dikujt për ato gjëra që kemi nevojë t’i nxëmë edhe vetë. Mos ndoshta është ky rasti Lartmadhëri?!
Sinqerisht,
Elona Caslli