Një ditë pas deklaratës së kreut të PD-së, Lulzim Basha për djegien e mandateve PD pritet të mbledhë grupin parlamentar. Deputetët e PD do të mblidhen sot në orën 10:00. Kryedemokrati Basha u shpreh dje se do t’i propozojë grupit parlamentar dhe forumeve më të larta të kësaj force djegien e mandateve të deputetëve si një mesazh i qartë i ardhur dje nga protesta e opozitës.
“Ndaj unë jam sot këtu për t’ju thënë me përgjegjësi të plotë se e kam lexuar vullnetin tuaj. Ndaj kam vendosur t’i propozoj grupit parlamentar dhe forumeve më të larta vendimmarrëse të Partisë Demokratike të Shqipërisë djegien e mandatave parlamentare në mbështetje të qëllimit dhe aspiratës që ju dje dëshmuat se është mbarëkombëtare, europiane dhe e pandalshme, mbrojtjen e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, Shqipërinë si gjithë Europa, qeverinë tranzitore dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme, parlament të popullit dhe jo të krimit”, u shpreh Basha.
/InfoPressAlbania/