Sot, drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Pavarësisht denoncimeve nga opozita se është përgjuar në dosjen “339” teksa ka komunikuar me kreun e bandës së Avdylajve nga Shijaku, Astrit Avdylaj në kohën kur drejtonte Prokurorinë e Durrësit, apo ndonëse u konstatuan problematika sa i takon blerjes së dy apartamenteve dhe pagës së padeklaruar të bashkëshortit, Prela është konfirmuar sërish nga KPK dhe ka kaluar me sukses “rrjetën” e vettingut.
Tre anëtarët e trupës gjykuese ishin Roland Ilia, Olsi Komici dhe Valbona Sanxhaktari. Ky të fundit, nëse verifikojmë CV-të e tyre online rezultojnë se ndoshta si për koincidencë kanë qenë më parë ish-vartësit e Edi Ramës në kryeministri.
Konkretisht, për Olsi Komicin shkruhet: Për dy vjet, z. Komici ka punuar në Kryeministri si ekspert ligjor, anëtar i Task-Forcës “Për verifikimin e ligjshmërisë dhe mënyrën e tjetërsimit të pronës së paluajtshme shtetërore në zonën Vlorë-Sarandë“. Ai ka ushtruar profesionin e avokatit në periudhën maj 2016 – maj 2017 dhe pas kësaj ka kryer detyrën e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të ALUIZNI-t deri në mandatimin e tij nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë si Komisioner në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Komisioneri Komici është njohës shumë i mirë i gjuhës angleze dhe italiane.

Për anëtaren Valbona Sanxhaktari: Nga viti 2014 deri në vitin 2017 ka ushtruar detyren e juristes në Njësinë e Legjislacionit dhe Akteve të Këshillit të Ministrave, në Kryeministri. Në qershor të vitit 2017, znj. Valbona Sanxhaktari u zgjodh nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë Komisionere në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Po ashtu, kujtojmë se PD u kërkoi para vendimit, komisionerëve të vettingut të verifikojnë informacionin për drejtuesen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda: “Të konfirmojë që Donika Prela, në konflikt të hapur interesi, është takuar gjatë periudhës që ishte nën veting me anëtaren e trupës së vetingut, Valbona Sanxhaktari. Për lehtësi pune, i sugjerojmë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të kërkojë kamerat e Sigurisë së Prokurorisë së Krimeve të Rënda në muajt nëntor dhjetor”.
Megjithatë, në seancën përmbyllëse KPK theksoi se pas verifikimeve nga trupa gjykuese nuk kishte indicie të mjaftueshme që të hapej hetimi administrativ ndaj Prelës./politiko.al











