Masakër në Etiopi, vriten mbi 80 persona, mes tyre edhe fëmijë

Më shumë se 80 civilë, përfshirë fëmijët e moshës dy vjeçare, janë vrarë në sulmin e fundit në Etiopinë perëndimore, sipas komisionit kombëtar të të drejtave të njeriut.

Zëdhënësi dhe këshilltari i lartë për Komisionin Etiopian të të Drejtave të Njeriut (EHRC), Aaron Maasho i tha Al Jazeera-s se masakra ndodhi të martën midis orës 5 dhe 7 të mëngjesit në rajonin e Benishangul-Gumuz, i cili kufizohet me Sudanin dhe Sudanin e Jugut.

“Ne morëm informacion se mbi 80 njerëz vdiqën moshat e të cilëve variojnë nga 2 deri në 45 vjeç”, tha Maasho nga kryeqyteti, Addis Ababa.

Sulmi ndodhi në një zonë të quajtur Daletti, në Metekel të Benishangul-Gumuz, e cila është rrënuar nga dhuna e përsëritur në muajt e fundit që ka lënë të vdekur qindra njerëz.

Rreth 207 njerëz u vranë vetëm në një sulm më 23 dhjetor të vitit të kaluar në Etiopi.