“Safet Gjici më do në burg”/ Ish-kreu i Këshillit të Qarkut të Kukësit flet nga arratia dhe tregon konfliktet me kryebashkiakun

Ish-kreu i këshillit të qarkut të Kukësit, aktualisht anëtar i këshillit bashkiak në qytetin verilindor të vendit, Abedin Oruçi thotë se ndodhet në Kukës dhe se nuk është larguar jashtë vendit, pasi policia po e kërkon me akuzën e tre veprave penale të ngritura.

Sot ai u iku nga duart pesë efektivëve që shkuan ta arrestonin në hotelin e tij, ndërsa policia e akuzoi për lëndimin e tyre. Oruçi thotë se të gjitha akuzat janë politike duke drejtuar gishtin nga kryebashkiaku Safet Gjici dhe drejtuesja e prokurorisë së Kukësit.

“Nuk kam pse largohem. Jam në Kukës. U kam shkruar të gjitha instancave për këtë problem dhe pres përgjigje. Unë besoj në drejtësi dhe drejtësia në Shqipëri do të ketë një përgjigje për mua. Po të isha unë me tërë këto akuza që më bën PD, PS etj nuk do të isha i zgjedhur. Unë pranoj të dorëzohem në çdo prokurori tjetër përveç asaj të Kukësit”, tha ai.

Por përse është konfliktuar me Gjicin? “Kam qenë kandidat me zotin Gjici dhe kam qenë fitues në bashkinë e Kukësit por duke pasur të gjitha gjërat në dorë ai, me numëruar dhe votuar, i kanë mbushur kutitë dhe ky ishte debati kryesor, pastaj unë jam në këshillin bashkiak, jam zë ndryse dhe ia përplas të gjitha në fytyrë. Kam qenë dhe jam më i votuari në Kukës dhe kjo është e gjitha politike. Nuk kam bërë asnjë lloj gjuajtje me dorë apo me armë, kur vijnë fushatat mua duan të më largojnë” tha ai.

Akuza e re që iu shtua sot Oruçit është armëmbajtja pa leje, por si qëndron e vërteta sipas tij dhe përse e ka mbajtur armën, a ndihet ai i kërcënuar? “Po kam pasur gjithmonë probleme, se po të kesh zë ndryshe kundër kryetarit të bashkisë do të jesh i kërcënuar”.

Një përgjigje ai e kishte edhe për akuzat lidhur me ndalimin e tij disa vite më parë në Prizren dhe pasurinë. “Jam ndaluar në Prizren kam qëndruar tre ditë, kam marrë pafajësi kam qenë thjeshtë i dyshuar. Nuk ka asnjë lloj gjëje mbi mua. Jam rikthyer në punë nga gjykata Kushtetuese. Kam pasuri të vogla jo marramendëse. I kam vendosur se kam punuar një jetë me vëllezërit e mi. Janë prona të papërfillshme në Kukës” përfundoi ai.

ABC mëson se konflikti me kryebashkiakun ndodhi më 19 tetor të vitit të shkuar. Abedin Oruçi u konflikua dhe me bodigardët e Gjicit, sherr që ndodhi pak minuta pasi Gjici kishte përfunduar takimin me ambasadoren holandeze. Abedin Oruçi për 4 vite nga 2015 deri në 2019 ka qenë drejtuesi i qarkut të Kukësit, përfaqësues i PDIU-së. Aktualisht, ai është anëtar i këshillit bashkiak të Kukësit nën siglën e Bindjes Demokratike. /Abc/