Efektivi i SHÇBA konfliktohet me policët bashkiakë, pezullohet nga detyra

Një efektiv i Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave është konfliktuar me dy policë bashkiakë të Tiranës këtë të mërkurë.

Pas kësaj ngjarjeje, mësohet se efektivi i SHÇBA është pezulluar nga detyra. Ndërkohë, ndaj tij ka nisur një hetim disiplinor.

Efektivi  i SHÇBA do të qëndrojë i pezulluar deri në përfundim të hetimeve dhe zbardhjen e rrethanave të konfliktit mes tij dhe dy policëve bashkiakë.

Në njoftimin zyrtar, SHÇBA thotë: “Drejtoria e Përgjithshme e SHÇBA pas marrjes në dijeni të një konflikti të ndodhur mes një punonjësi të SHÇBA dhe disa punonjësve të Policisë Bashkiake Tiranë, vendosi pezullimin nga detyra, si edhe fillimin e ecurisë disiplinore për shkelje të rëndë ndaj Nd/specialistit të përfshirë në këtë konflikt, me detyrë Trupë Shërbimi pranë Drejtorisë së Përgjithshme të SHÇBA, deri në përfundim të hetimit dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”.