Tensionet me Turqinë, Greqia: Do të rritet periudha e shërbimit ushtarak nga 9 në 12 muaj

Ministria e Mbrojtjes në Greqi ka vendosur që të rrisë periudhën e ushtrisë nga 9 në 12 muaj duke filluar nga muaji maj i këtij viti.

“Arsyeja e rritjes së periudhës së shërbimit ushtarak, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, është plotësimi i nevojave urgjente për personel të njësive ushtarake.

Bazuar në modelin e ri, skenari më i mundshëm është që periudha 12-mujore do të fillojë të zbatohet majin e ardhshëm” shkruan “Ta Nea”.

Por ekziston një mundësi që një pjesë ta bëjnë 9 muaj shërbimin ushtarak, aq sa është aktualisht.

“Megjithatë ekziston një parashikim që të mbetet në 9 muaj periudha për ata që vendosin të kryejnë shërbimin ushtarak në kufi, në Evros ose në ishujt e Egjeut Lindor. Qëllimi është të motivojmë rekrutët” shkruan gazeta greke “Ta Nea”.

Por çfarë do të ndodhë me të pabindurit? “Në të njëjtën kohë, Ministria e Punëve të Jashtme po përgatit një marrëveshje për rreth 23,000 të pabindur.

Këta janë ata që studiojnë ose punojnë jashtë vendit dhe nuk duan të kthehen në Greqi” mbyllet shkrimi.

Në muajt e fundit Greqia ka fuqizuar kapacitetet ushtarake, që pas përshkallëzimit të konfliktit me Turqinë për kufirin detar.