DREJTUESI DHE VARTËSIT

Nga Skender Doçi

Njëri ndër raportet problematike në shoqërinë tonë është raporti midis drejtuesit dhe vartësve.

Kjo, si rezultat i mentalitetit që vjen nga dekadat e mëparshme, përse jo edhe nga shekujt e mëparshëm.

Për hir të së vërtetës, shoqëria jonë ka një kulturë të mangët në këtë drejtim, për më tepër e ka të keq-konceptuar dhe të ngatërruar me lloj-lloj mentalitetesh dhe kompleksesh të mishëruara dhe të demonstruara si nga drejtuesi ashtu edhe nga vartësit.

Gjithmonë më përgjegjës dhe më kontribues për keq në këtë marrëdhënje janë drejtuesit. E kam theksuar “krahasimin vertikal” midis drejtuesve, i cili konvergon në krahasimin e drejtuesit me para-ardhësit dhe pas-ardhësit e tij. Gjithashtu, është edhe “krahasimi horizontal”, i cili konvergon në krahasimin e një drejtuesi me drejtuesit e tjerë koherent nëpër dikastere të ndryshme.

Si rezultat, vlerësimi i drejtuesve bëhet nëpërmjet krahasimeve me modelet e tjera të drejtimit që kanë ekzistuar më parë ose me ato aktuale. Nëse i referohemi këtij standarti krahasimi, i bie që drejtuesit tanë të krahasohen me drejtuesit e këtyre 30 viteve demokraci dhe njëzet apo tridhjetë vite nga koha e diktaturës.

Tani secili e merr me mend se sa poshtë dhe për-dreq e kemi pasur ne drejtimin, ashtu kemi edhe krahasimin, vlerësimin dhe konceptin e drejtimit në shoqërinë tonë. Gjithmonë e kam fjalën për drejtimin në instancat shtetërore dhe publike, pasi ai në sektorin privat ka specifika të tjera.

Akoma më shqetësues është fakti se, quhet i huaj dhe i papërshtatshëm nga secili drejtues, drejtimi sipas një koncepti demokratik dhe perendimor.

Mund të jenë shumë të pakët ata drejtues që e njohin këtë standart drejtimi, i cili ka të bëjë me drejtimin nëpërmjet ndershmërisë dhe vlerave njerëzore dhe atyre profesionale.

Nga këta pak që thamë, prapë gjysma e tyre i dinë por nuk kanë besim në konceptet dhe vlerat e një drejtimi demokratik modern.

Ajo pjesë e vogël e drejtuesve që i dinë dhe ka besim në to, për më tepër fillon t’i zbatojë kur i jepet rasti, sulmohet rëndë nga opinioni politik militantesk, nga rrethi i drejtuesve të tjerë, deri edhe te varësit e tij me shprehjet “s’bëka gjë ky”, “do rregulloj Shqipërinë ky?”, “na tregoka ky” e dhjetëra shprehje të tjera që e vendosin para një pesimizmi, duke shkuar deri aty sa thonë –“Ky nuk bën për këtë punë”. Pastaj më vonë fillon edhe gruaja bashkë me rrethin familjar duke e këshilluar, -Më mirë rregullo ndonjë njeri tonin. – Shiko përfito ndonjë gjë se do vijë tjetri, nuk bëhet Shqipëria, aq më tepër e bëke ti?!…. etj.

Pra, shoqëria jonë, qoftë ajo politike apo sociale, nëpërmjet një mentaliteti që vetëm në shoqërinë tonë e gjejmë, arrin të asfiksoj çdo drejtues që përfaqëson një mentalitet ndryshe nga ai ekzistues, i cili për hir të së vërtetës është “beterr”.

Kemi rrëzuar sistemin komunist por jemi jo pak mbartës të mentalitetit të tij, tani në një sistem dhe kohë tjetër. – Kjo është e rrezikshme.

Në qoftë se nga njëra anë marrim institucionin dhe qëllimin për të cilin ekziston ai, dhe nga ana tjetër drejtuesin bashkë me punonjësit të cilët në gjuhën e përditshme i quajmë vartës të tij, përgjegjësi i vetëm për kredibilitetin dhe mirë-funksionimin e veprimtarisë së institucionit është drejtuesi dhe vetëm ai.

Për mua janë përralla politike të një nate dimri, përpjekjet për të klasifikuar partitë politike të ndershme dhe të pandershme, apo një etiketim i tillë për këtë ose atë institucion. E njëjta përrallë vazhdon edhe kur përgjithësojmë në masë punonjësit në administratën publike, qoftë për mirë apo për keq.

Për shoqërinë tonë kjo është provuar konkretisht, gjë e cila që në fillesa ka qenë qesharake.

Në fund të mandatit të parë justifikimi ishte se partia bashkëqeveriseëse nuk ishte e ndershme.

U largua partia e “pandershme”. Tani në fund të mandatit tjetër, a është ulur korrupsioni kur partia qeverisëse e ka të gjithë pushtetin vetë? Unë mendoj se karta elektorale që u përdor për të marrë mandatin e dytë ishte një fiasko e vërtetë.

Qeverive shqiptare nuk iu kërkohet të bëjnë “zap” në kuptimin e shpërdorimit publik, të korrupsionit aktiv dhe pasiv, atë të mit-marrjes dhe ryfshetit 80 apo 90 mijë njerëz në administratën publike.

I kërkohet të vendos para përgjegjësisë penale një dyzinë njerëzish që janë në drejtim, dhe pastaj për dyzinën tjetër nuk është më shqetësimi në ato nivele, pasi të tjerët e kanë vetë parasysh se çdo të thotë të marrësh guximin për të përfituar.

Nuk i kërkohet të gjejë 90 mijë njerëz të ndershëm, por i kërkohet të gjejë një apo maksimumi dy mijë drejtues të moralshëm dhe të përgjegjshëm, dhe sapo njëri të dal nga binarët të bëhet shembull edhe për të tjerët.

A i ka shoqëria jonë kaq njerëz, sa thamë më lart?

Ka shumë e më shumë por duhet t’u jepet krah e mbështetje.

Problem tjetër, është natyra e marrëdhënjes që krijojnë drejtuesit me varësit.

Çdo vartës i detyrohet shefit, respektin për sa i takon si titullar i institucionit, i cili është njeri normal biles fare normal.

I detyrohet kryerjen e punës për të cilën varësi është punonjës në institucion, as më shumë e as më pak sesa kryerjen e punës me korrektësi dhe ndershmëri për të cilën paguhet.

Nuk i detyrohet, t’i shpreh as t’i fitoj ndonjë lloj simpatie personale të njëanshme apo të ndërsjelltë.

Nuk është i detyruar ta informoj shefin për gjëra që mund t’i dijë lidhur me punën e kolegëve të tjerë, probleme të cilat nuk kanë lidhje me mbarëvajtjen e punës së pozicionit të tij.

Punonjësit (vartës) duhet ta kenë të qartë se nëpërmjet punës sigurohet përsosja e aftësive profesionale, komunikuese, aftësia për të punuar në grup, siguron të ardhurat personale për nevojat e veta dhe të familjes.

Për çështjet e identitetit, personalitetit dhe karakterit, puna është një provë e madhe që tregon se në cilin nivel i ke konsoliduar ti gjatë jetës familjare, personale dhe shoqërore.

Cili ështe kontributi që mund të japin vartësit në konsolidimin e personalitetit tek një drejtues.

Pikë së pari, drejtuesi është një njeri normal nga të gjitha pikëpamjet. Ajo për të cilën ai është aty, ka të bëj me atë se, presupozohet se është më punëtor ka një dhunti në aspektin e menaxhimit dhe drejtimit, është mbi nivelin mesatar të vartësve të tij, është me shpirtgjerë, është dashamirës i institucionit dhe i interesit publik, ka formim demokratik dhe atdhetar, nga pikëpamja profesionale nuk është e thënë të jetë në një nivel më të lartë se secili nga vartësit e tij. Njeri që çliron energji pozitive për punën, shpresë dhe siguri për punonjësit korrekt dhe të ndershëm. Mbi të gjitha duhet të jetë njeriu më i ndershëm në institucion.

A janë drejtuesit tanë të tillë?

Në pjesën më të madhe jo. Pasi ata caktohen nga struktura partiake, ku përzgjedhja e tyre nuk ka gjë të përbashkët me cilësitë e lartpërmendura. I përzgjedhuri është militant i sëmurë, shkon për të heq punonjësit ekzistues dhe për të marrë militantë të tjerë të cilët janë edhe më fanatike dhe primitive. Shkon për të zgjidhur hallet e veta në kurriz të institucionit dhe qëllimit të tij.

Fillon me shprehjet: – Varja këtu shtet është.

Interesin publik të institucionit, e kthen në një interes militantesk partiak gjë e cila i siguron imunitet për abuzimet e veta dhe të rrjetit që kryeson. Nga tjetra anë, partisë i jep siguri që po drejton sipas interesave të saj elektorale.

Në qoftë se themi drejtësinë do ta shpëtojmë nga korrupsioni nëpërmjet “vetingut” dhe përshtatjes së legjislacionit në këtë drejtim, duhet ta dini se të gjitha përpjekjet janë për ta ndarë një herë e mirë nga politika. Ajo ka qenë ushqyesja dhe dirigjuesja e drejtësisë sonë. Se si ishte e dimë të gjithë, se si do bëhet ta shohim?!.

Po drejtimin nëpër dikastere si do ta shpëtojmë nga politika???

Kurrë një njeri i ndershëm, një atdhetar dhe një profesionist i vërtetë nuk është militant i sëmurë.

Po s’je militant, në Shqipëri nuk mund të bëhesh drejtues.

Se si duhet, e dimë pjesa më e madhe e qytetarëve të këtij vendi, por nuk na pyet njeri, pasi ne jemi “viktimat” e gjithë kësaj meseleje që folëm, dhe po nuk pati njerëz të tillë (viktima), mentaliteti dhe veprimet që bëjnë instancat politike dhe drejtuese, detyrimisht do moralizoheshin e do ishin në interesin e qytetarëve dhe demokracisë sonë akoma të paftilluar mirë.

Ne si qytetarë, duhet të jemi në një mendje për pjesën më të madhe të problemeve, në unison me opinionet dhe sugjerimet e ndërkombëtarëve.

Duhej të ishim ngritur në protesta masive lidhur me pavarësinë, ndershmërinë dhe pa-anshmërinë e drejtësisë.

Duhet të ngriheshim në protesta që asnjëri nga kandidatët e zgjedhjeve të 2021-shit të mos lejohej pa kaluar testin e vetingut.

Duhet të ngrihemi që asnjëri nga drejtuesit e institucioneve të vogla e të mëdha mos të emroheshin pa kaluar me parë në veting. Dhe për mashtrimin më të vogël në proçesin e vetingut, dënimi të ishte jo më i vogël se tre vite heqje lirie.

Me të njëjtën llogjikë të dënohej edhe shtimi i pasurisë përgjatë gjithë jetës së tij. E thënë ndryshe po u bëre deputet, kryetar bashkie drejtues institucioni apo dikasteri, “Vetingu” duhet të të ndjekë gjithë jetën tënde. Kjo, nuk do të thotë aspak që ti të privohesh nga mundësia e pasurimit në mënyrë të ndershme dhe legale.

———————————————————————————-

Më poshtë, janë disa nga thënjet e mia për drejtuesin dhe vartësit:

– Shefi nuk ka mik të ngushtë ndonjërin nga varësit e tij.

– Femra që i vjen rrotull shefi ose pronari dhe i jepet, s’bëhet më.

– Kur drejtuesi i sapo emëruar ose i zgjedhur ka në vemëndje

kundërshtarët dhe ata që se duan, është shef i keq.

– Mos e ki frikë shefin, por bëj punën dhe respektoje për aq sa i

takon.

– Kur je frikacak apo servil, s’ngelet për të diskutuar gjë tjetër nga

cilësitë e tua.

– Fuksi, i fut duart në prapanicën e secilit, ndërsa tek bytha e shefit

fut kokën.

– Survejuesi, mbikëqyrësi dhe përndjekësi, prish karakterin e vet.

– Gjithmonë ti ke një çmim më të vogël, sesa ata që i shet ti.

– Shoku që ngrihet në post, e ka humbur gjysmën e shoqërisë me

ty.

– Kur të thërret shpesh shefi, e ka parë se nuk është gjë puna jote.

– Shefi i mirë iu thotë të tjerëve, përpiquni të punoni e të silleni si

unë.

– Arroganca e drejtuesit, është skopjimi i energjive të pakultivuara.

– Shefi i mirë ndërton respekt e punë, jo pushtet e frikë.

– Asnjëherë mos e vendos drejtuesin të dytin pas Zotit.

– Mos u rrëfe kurrrë për asnjëlloj arsyeje para shefit, sepse një ditë

të gjitha t’i nxjerr në pazar.

– Askush nuk mund të përdorë zyrën e shtetit, paratë publike,

funksionin që kryen për përfitime apo perversitetet e tij ose dikujt

tjetër.

– Kush të jep një ndihmë për të cilën s’ka harxhuar para, punë as

kohë, dhe ato t’i kërkon ty, është tregtar i pamoralshëm.

– Kujt i bëhen “hobi” vjedhja dhe seksi, nuk shërohet kurrë.

– Kur flitet për vjedhje, korrupsion, shpërdorim detyre atë e bën

qeveria me strukturat e saj dhe partia në pushtet, po ta bënte

opozita do të ishte futur në burg me kohë.

– Qeveria është përgjegjëse direkte, edhe për nënpunësin e saj në

pozicionet më të skajshme dhe periferike të vendit, kur ai nuk

kryen punën për të cilën paguhet apo për më tepër abuzon me të.

– Kur shefi të sjell rrotull presionin për arsye të ndryshme dhe që nuk kanë të bëjnë direkt me kryerjen normale të punës për të cilën ti je aty, po pate sadopak karakter ke rastin ideal ta vësh përpara një herë e mirë.

– Drejtuesi i mirë mund t’i pyesë të gjithë, por në pikëpamjen e drejtimit dhe të përgjegjësive që rrjedhin, është përgjegjësi i vetëm.

– Në përgjegjësinë e drejtuesit kryesor, futet edhe tharja e luleve apo mos rregullimi i një brave të prishur brenda institucionit apo kompanisë ku drejton.

– Mos vrapo të zësh shok apo mik drejtuesin.

– Ajo që të bën një skanim publik, të plotë e të pagabueshëm në aspektin e cilësive njerëzore dhe të aftësive të tua, është ngritja në një funksion publik.

– Kur shefi është surrat, surratëria në atë dikaster kthehet në model sjellje dhe metodë pune.

– Të vjedhësh do të thotë të marrësh para apo gjëra që s’të takojnë

– Mos harro atë që thua ti dhe bën para shefit ose sjelljen tënde në lidhje me të, mund ta kenë bërë edhe të tjerët kohë më parë, ndoshta edhe më mirë nga ti.

– Shefi ka rezymenë më të plotë për sjelljen, karakterin dhe interesin e secilit vartës dhe punonjës.

– Frika është kanceri që s’të vret, por jeton kot.

– Presioni, është një armë vrasëse me silenciator, të cilën e mbajnë pa leje kryesisht njerëz në mjediset politike, intelektuale dhe ata në drejtim. Sapo dikush ta drejton ty, duhet të bërtasësh me të madhe.

– E drejta e atij që të “qëllon” mbi kurriz, qenka më e madhe se e drejta jote për të bërtitur!!!

– Kur dëshiron të shesësh bythën, kokën ose shokët, më lirë se tek shefi s’besoj të ketë një vend ku mund t’i shesësh, sepse shefi është i ngopur me atë lloj tregu.

– Distanca me drejtuesin është e rëndësishme, kur ta krijon vetë ai e ke të zgjidhur, kur shefi e fshinë distancën komplet, është në interesin dhe përkujdesjen tënde që të mos fshihet fare.

– Eshtë fat-zi ai që, kur e “godasin në kurriz” nuk bërtet se mos iu prishë punë atyre që e “qëllojnë” dhe si rezultat mendon se do ta godasin edhe më fort.

– E drejta e atij që të paditë për gjërat që ti s’duhet t’i bëje, është në të gjitha rastet më e madhe se e drejta jote për t’i bërë ato gjëra.

– Të heshtësh, do të thotë të mos flasësh, kur flet nuk ke heshtur, dhe mirë ke bërë.

– Në një institucion apo kompani, secili është i rëndësishëm për punën që bën, ndërsa si njerëz janë të gjithë njëllojë të rëndësishëm, pavarësisht punës që bëjnë.

– Mjedisi i punës, është vendi ku kryhet puna, dhe asgjë tjetër më pak apo më shumë që nuk i shërben asaj.

– Kur dikujt i bën presion (pa të drejtë), për vendin e punës, i ke marrë peng fëmijët.

– Drejtuesi, që të dashurën e ka udhërrëfyese apo ndërmjetëse për punën, marëdhënjet me të tjerët, është më mirë që ta lirojë postin në favor të saj, e vetë të rrijë dashnori i shefes.

– Shtetarët e këqinjë, fëlliqin dynjanë.