Nga Elona Caslli
Zoti Qorri pata mundësinë të ndiqja intervistën tuaj në Top Channel. Ishit shumë i shqetësuar pasi Kryeministri kishte përdorur foton e fëmijëve tuaj në një nga postimet e tij, pa marrë miratimin tuaj për këtë të fundit.
Shqetësimi juaj është me vend, por në cilësinë e një anëtari të stafit akademik pranë Universitetit të Tiranës, pritej një ndjeshmëri më e lartë nga ana juaj shumë kohë më parë.
Ju u revoltuat kur në foto u shfaqën fëmijët tuaj, por në të vërtetë historia nuk fillon dhe nuk mbaron me fëmijët tuaj. Kjo histori ka mbi shtatë vite që ndodh çdo ditë nga Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj dhe nga i gjithë kabineti qeveritar i Rilindjes.
Shohim fëmijë të varfër që përdoren për propagande dhe përfshihen në atë proces që bota e qytetëruar e quan “porno me varfërinë”.
Për këtë proces ju nuk u shprehët zoti Qorri.
Në kontekstin e fotografive, do të doja të prekja edhe qëndrimin tuaj lidhur me shfaqjen e fotove të morgut në Tiranë.
Ju thatë se fotot mund të shfaqeshin, por duhet t’u vendosej një filtër. Nuk e di se ç’filtër mund t’i vendosësh një të vdekuri të mbuluar me çarçaf dhe të shtrirë mbi tokë, kur ky i fundit është krejt i paidentifikueshëm.
Unë mendoj se shfaqja e atyre fotove është thjesht denoncim i së vërtetës.
Megjithatë, në intervistën tuaj ju folët për gjithçka, përveç një çështjeje të vetme- Kush është personi përgjegjës për gjendjen aktuale në morgun e Tiranës?!
Kjo pyetje , për një “”::rastësi të mbrapshtë””” nuk e merr kurrë përgjigjen nga ata individë që përfaqësojnë një Lëvizje Politike në vend dhe që besojnë fort se të gjitha Partitë Aktuale nuk përbëjnë një ofertë të denjë për shqiptarët dhe asgjë nuk ndryshon me qëndrimin apo ikjen e tyre.
Post Scriptum- Lidhur me Lëvizjen Studentore, ju u shprehët se ishte një sukses. Kemi pikëpamje të ndryshme për çështjen e suksesit zoti Qorri.