PROVAT/ Manastirliu implikohet me kryebashkiakun e Pukës në vjedhjen e pronës publike, dega lokale e PD kërkon dorëheqjen e ministres

Me zotimin për të qenë një zë i mbrojtjes së interesave të qytetarëve, kreu i degës Pukë të PD, Ferit Ringaj, prej kohësh ka shënjestruar në denoncimet e tij publike, kryebashkiakun e Pukës dhe hallkat korruptive që i shërbejnë qëllimeve gllabëruese prej një të babëzituri që kryebashkiaku Gjonaj ka shfaqur që ditën e parë të uljes së tij në karrigen e blerë të zgjedhjeve të qershorit 2015.

Në serinë e denoncimeve të shumta, kryeopozitari Ringaj, ka demaskuar skemën inkriminuese të një grupi zyrtarësh, të cilët të strukturuar si një formacion kriminal me piramidë ministrore, që fillon me ministren Manasterliu e përfundon me zyrtarë vendorë,të cilët herë të mjeranizuar nga mjedisi poshtërues dhe shantazhues i kreut të bashkisë dhe herë të keqpërdorur skajshmërisht nga politika, janë vënë në shërbim të skenarit të tentativës për tjetërsim të pronës publike nga kryetari i bashkisë Gjonaj për qëllimet e biznesit të tij.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm
Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Duke qenë një nga çështjet më sensitive, por dhe më flagrantet e veprimtarisë administruese të kyebashkiakut të Pukës, tentativat e tij të shumta për shembjen e godinës së DSHP-së, me makinacione dhe mbështeje nga dikastere të ndryshme, kanë çuar në implikimin e shumë zyrtarëve vendorë dhe qendrorë, të cilët janë vënë kryekëput në shërbim qorrazi të ligësisë dhe babëzitjes së kryebashkiakut Gjonaj, duke nxjerrë akte dhe përpiluar ekspertiza, tërësisht të paligjshme dhe me pasoja të rënda.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Ky detaj, nuk i ka shpëtuar as medias qendrore, e cila ka arritur të vihet në gjurmët e këtij megaskandali, por “Gjoni i Zi”, i bashkisë Pukë, me fytyrën prej të tërbuari, me një fjalor turfullues dhe shantazhues, iu është hakërryer gazetarëve duke i kanosur. Për këtë, ka pamje filmike dhe prova të pakontestueshme, kur nga shpirti katran i kryetarit dhe nga goja e pisët e tij dilnin kërcënimet me “lidhje për konopi” në adresë të operatorëve dhe gazetarëve të një media të madhe kombëtare.

Me aktet e nxjerra në funksion të përmbushjes së qëllimit gllabërues, kryebashkiaku Gjonaj ka zhytur në paligjshmëri disa punonjës të bashkisë dhe struktura vendore, ku një pjesë prej tyre janë detyruar të lagohen nga “sytë-këmbët”, vetëm e vetëm që ti shpëtojnë pandëshkuemërisë ligjore. Këtë gjë e konfirmojnë ish-punonjës të tij, të emigruar përtej atlantikut, të cilët pohojnë fakte tronditëse mbi këtë skemë të ndjekur.

Se çfarë e shtyn kryebashkiakun e Pukës për të tjetërsuar pronat publike, veçanërisht shembjen e godinës së DSHP-së, e cila ka përfshirë në një paligjshmëri të llahtarshme edhe dikasterin ministror të shëndetësisë me ekspertiza dhe shkresa plot kontradiksione dhe të manipuluara, kjo shpjegohet me egon e tij të sëmurë për të zgjeruar sarajet e tij.

Kryeopozitari Ringaj, përmes denoncimit të sotëm, me prova dhe shkresa që kompromentojnë ministren Ogerta Manastirliu në manipulimin dhe bërjen palë me makutin Gjon Gjonaj, ka kërkuar dorëheqjen e ministres dhe nxjerrjen e saj para organeve të drejtësisë.

“Rikuperimi i dëmit të shkaktuar pronës publike duhet bërë me paratë e abuzuesve, për të siguruar rivënjen në punë të objektit dhe kthimin e punonjësve në godinën e tyre, si shprehje e forcës së ligjit dhe e dinjitetit qytetar të nëpërkëmbur“, – shprehet Ringaj duke paralajmëruar të tjera fakte tronditëse në zbardhejn e kësaj afere me përmasa kombëtare.

Ja reagimi i plote i kryetarit te deges Puke te PD

Në vijim të komunikimit me ju të nderuar qytetar, sot po publikoj pjesën e dytë të tentativës për shembjen e godinës së ish-DSHP-së Pukë. Janë përmendur disa fakte nga shumë shkresa që ne i disponojmë të të gjitha institucioneve të përfshira.

GODINA QE AKUZON

(Pjesa e dyte)

Në vazhdim po ju njohim me tentativën e dytë për shembjen e godinës së ish DSHP –së Pukë, veprime administrative në të cilat Kryetari i Bashkisë Pukë, është përfshirë në mënyrë të drejtperdrejtë me akte të nënshkruara, favorizime dhe shantazhe të cilat do të duhet të vërtetohet nga personat që kanë falsifikuar dokumentet zyrtare, sepse në kushte normale veprime të tilla nuk mund të kryhen.

Tashmë jeni në dijeni se Këshilli Bashkiak Pukë me datë, 30.07.2020, ka marrë vendim për prishjen e ndertesës tre katëshe të ish- Drejtorisë së Shendetit Publik Pukë. Shfaqja e neveritshme e momentit të votimit për çudinë që lidhet me vetësigurinë e të paligjshmëve të pandëshkuar, u bë publike, siç duket nga një nevojë e brendshme për ekuilibër psikologjik të abuzuesve në rrugën e tyre pakthim.

Në këtë komunikim do të keni mundësinë të njiheni me dokumente të falsifikuara, me grupe pune dhe akte të porositura për prishjen e ndertesës, me këshilltar bashkiak që në shkëmbim të favoreve nënshkruajnë një vendim për të cilin janë në dijeni nga mbledhjet e mëparshme se ai mbeshtetet në të dhëna të rreme dhe se objekti është pronë e Ministrisë së Shendetësise dhe Mbrojtjes Sociale Tiranë.

Në këtë paraqitje faktesh e ndjejmë për detyrë të publikojmë, qëndrimin dhe pergjegjësinë e zyrtarëve të ndryshëm deri në rang ministrie dhe që janë pjesë e këtij abuzimi. Por ndërkohë nuk mund të mos vlerësojmë qëndrimin dhe korrektesën e një pjese të administratës, sjellja ligjore e së cilës i ka ekspozuar abuzuesit përballë ligjit dhe publikut.

Gjithë ky angazhim antiligjor deri në nivelet me të larta të administratës publike, në shërbim të interesave të Kryetarit të Bashkise Pukë, pavarësisht dëmit që shkaktojnë në pronën publike dhe pavarësisht pasojave ligjore që i rezervojnë vetes, na tregon se drejtimi në Bashkinë Pukë, bëhet si në kodet e mafias, “Ndera lahet me nder”, se në të kundërt “hilexhinjtë” që i kujtojnë ligjin hiqen nga puna ose detyrohen të largohen “me deshirë”.

I pandëshkuar nga autoritetet ligjëzbatuese në vend, madje i mbrojtur dhe i perkrahur në kundërshtim me ligjin nga zyra dhe zyrtar të lartë, Kryetari i Bashkise Puke, ka krijuar iluzionin se ai mund të jetë pronar i jetëve tona, si në kohën e diktaturës, por me metodat e mafias.

Do të ndjeheni ligsht, për dinjitetin e ndonjë ministri, sekretari dhe drejtori të përgjithshëm apo grupi specialistësh që me veprimet apo mosveprimet e tyre vihen nën urdhërat e një batakçiu, duke falsifikuar akte, fakte dhe dispozita ligjore, për të justifikuar dhe hedh në erë pasuri publike disamilionëshe.

Projekt vendimi për prishjen e godines së ish- DSHP Pukë, ishte rrëzuar më parë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak Pukë të datës 23.10.2019 dhe këshilltarët kundërshtues që dominuan këtë mbledhje argumentuan: se projekt vendimi nuk ka bazueshmëri ligjore; se objekti është në pronësi të Ministrisë së Shendetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Tiranë; se ai mbeshtetet në dy akte të falsifikuara; dhe se projekt-vendimi e vinte kryetarin e bashkisë në kushtet e konfliktit faktik të interesit për shkak se godina ndodhet ngjitur me Hotel Turizmin Pukë, ku zotëria është bashkëpronar.

Pak ditë më pas, për këtë projekt vendim dhe abuzime të tjera me aktivet e njësive në vartësi të Ministrisë është vënë në dijeni zonja Ogerta Manastirliu, Ministre e Ministrisë së Shendetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Tiranë.

Zonja Ogerta Manastirliu, e kompromentuar në këtë çeshtje me akte të mëparshme të vartësit të saj në ministri, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim ligjor për ndalimin e prishjes se objektit të ish-DSHP Pukë, duke i lënë kohë dhe mundësi disa mujore, kryetarit të Bashkisë Pukë për shembjen e godinës dhe vënjen e organeve të ndryshme ligjzbatuese përballë faktit të kryer.

Mosveprimi i zonjës ministre, pasi ka marrë dijeni për tentativën e prishjes së objektit nga Bashkia Pukë, e bën atë personin e parë përgjegjës që edhe mund t’i ketë kërkuar vartësit të saj, Sekretarit të Përgjithshëm, zotit Arian Kraja, përmbushjen e kerkesës së Bashkise Pukë.

Në mbledhjen pasuese të Këshillit Bashkiak Pukë, projekt-vendimi për prishjen e ndërtesës rifutet në rendin e ditës dhe tërhiqet me që nuk siguronte numrin e votave.

Vendimi i Këshillit Bashkiak Pukë i datës 30.07.2020, nuk është konfirmuar nga Prefekti Shkodër dhe falë këtij qëndrimi ndërtesa e ish- DSHP Pukë, është sot në këmbë.

Të nderuar qytetarë të Bashkisë Pukë, së bashku me komentin tonë po ju njohim me aktet e falsifikuara, mbi të cilat është mbeshtetur projekt vendimi i miratuar në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të datës 30.07.2020, për prishjen e ndërtesës së ish- DSHP Pukë.

Dokumenti bazë që rezulton i falsifikuar, është çertifikata për vertetim pronësie 1688916 datë lëshimi 03.09.2019, e godinës së ish-DSHP- së Pukë, e cila na e paraqet objektin si pronë të Bashkisë Pukë.

Në kartelën e pasurisë të kësaj çertifikate, përshkruhet se kerkesa për regjistrimin e ndertesës në pronësi është bërë nga Bashkia Pukë, me shkresën Nr.2865 date 07.12.2016, bazuar ne VKM Nr.596 datë 23.07.2010. Referimi ligjor dhe regjistrimi i kësaj prone në pronësi të Bashkisë Pukë është abuziv sepse kalimi i pronave shtetërore të Ministrisë së Shendetësisë në pronësi të Bashkisë Pukë nuk mund të bëhet me VKM 596 datë 23.07.2010 qe miraton listat paraprake të pronave shtetërore objekt kalimi në këtë bashki, por me VKM Nr.140 datë 23.02.2011 që miraton listën përfundimtare të tyre. Ne VKM Nr.140 datë 23.02.2011, nuk është miratuar kalimi i godinës se ish-DSHP-së Pukë, në pronësi apo perdorim të Bashkisë Pukë.

Fakti i pronësisë së objektit në administrim të njësive vartëse të Ministrisë së Shendetësisë dihej shumë mirë nga Bashkia Pukë, mbasi prej një viti Gusht 2018 – Gusht 2019, ajo ka tentuar prishjen e objektit nga Ministria e Shendetësisë dhe Mbrotjes Sociale Tiranë. Përfshirja e Ministrisë në këtë skandal dhe me nje rol të dorës së parë, është përshkruar në komunikimin paraardhës që kemi pasur me Ju.

Akti i dytë i sponsorizuar i falsifikimit të të vërtetave me këtë pronë, është Raporti Teknik për shembjen e godinës i dates 14.10.2019, i mbajtur nga grupi i punës i Institutit të Ndërtimit në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë Tiranë, i përbërë nga Ark. Ermal Draçi, Ing. Lindita Gjergji, Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Ndërtimit ing. Agron Hysenlliu dhe grupi i shoqërimit i përbërë nga një anëtar i vetëm, kryetari i Bashkisë Pukë, Gjon Gjonaj. Se çfarë roli ka ky grupi i shoqërimit me një anëtar dhe kur ky antari është kryetari i Bashkisë Gjon Gjonaj dhe bashkepronar i godinës së Hotel Turizmit Pukë ngjitur me godinën e ish- DSHP-së Pukë që do shembej, dhe me profesion agronom, merret vesh nga të gjithë ne.

Mashtrimet në raportin teknik:

Ndryshe nga sa përshkruhet në raportin teknik, objekti nuk ndodhet në një zonë banimi me dendësi të konsiderueshme. Ndertesa ka pranë vetëm godinën e Hotel Turizmit që përdoret për aktivitet tregtar. Objektet e banimit janë në distancë të largët nga kjo ndertesë.

Në aktin e mësipërm, është lënë qëllimisht evazive, koha e ndërtimit të objektit, duke u shprehur se është ndërtuar para vitit 1990. Po sa para vitit 1990 do të thoni Ju !?. Fakt është se godina është ndërtuar në vitin 1989 në fundin e regjimit komunist duke qenë ndërtesa më e re publike në qytetin e Pukës dhe i është nënshtruar rikonstruksioneve të mëvonshme.

Grupi i punës ka arritur në përfundime, pa ju referuar asnjë të dhëne teknike apo kontabile të Bashkisë Pukë, mbi vlerën fillestare, rikonstruksionet, amortizimin progresiv, vlerën e mbetur, etj.. Gjithsesi këto të dhëna s’mund t’i konsultonin se objekti nuk eshte ne invetarin e Bashkisë Pukë.

Konkluzioni dhe rekomandimi per nxjerrjen jashtë përdorimi e shembjen e godinës se ish- DSH-së Pukë, si rrezik për qytetarët, është një mashtrim i hapur për gjendjen teknike të objektit. Aq solide është ajo ndërtse e cila edhe pse tash dy vjet e braktisur në mënyrë të qëllimshme, i ka rezistuar pa asnjë problem edhe tërmetit të Nëntorit 2019.

Ju paraqitem vetem, disa dokumenta fundore, që vertetojnë falsifikimin, kopjet e të cilave i disponojmë. Organe të tjera kanë për detyrë të sqarojnë të gjithë zingjirin e veprimeve dhe akteve administrative për të provuar pergjegjësine e personave të përfshirë në këtë skandal të pashoq në vendin tonë.

Paraprakisht, mendojmë se doreheqja e zonjës Ministre nuk është e mjaftueshme, ndërsa rikuperimi i dëmit të shkaktuar pronës publike duhet bërë me paratë e abuzuesve, për të siguruar rivënjen në punë të objektit dhe kthimin e punonjësve në godinën e tyre, si shprehje e forcës së ligjit dhe e dinjitetit qytetar të nëpërkëmbur.

Akti i tretë i këtij cikli shkrimesh në ditët në vijim, do të jetë një letër publike për shkundjen dhe ndërgjegjësimin e autoriteteve ligjëzbatuese për administrimin ligjor të situatës.

DEGA E PARTISE DEMOKRATIKE PUKE

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm
Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm
Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm
Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm
Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm