Nga Paulin MARKU
Ky është një produkt i kulturës së vjetër mes shqiptarëve, që e kanë jo vetëm shqiptarët, por në përgjithësi të gjitha vendet ballkanike.
Diktatura disa vjeçare e kultivoi këtë sistem më tej, kur ngriti në byronë politike ,çobanët e maleve dhe traktoristët e vendit, si një mënyrë për të shkatërruar inteligjencën e vendit dhe për të ngritur në poste drejtuese njerëz që nuk dinin as shkrim e as këndim, as aritmetikë, por dinin të brohorisnin për partinë, të betoheshin për idealin e partisë dhe të “realizonin planin 110%”.
Ky nuk është një fenomen i ri në shoqërinë shqiptare por është një fenomen i trashëguar në vite e në kulturën tonë të diktuar nga pushteti i kohës. Lideri politik më i përkushtuar dhe më i ndershëm nuk mund të sjellë dot ndryshim në një shoqëri që vuan nga një fenomen i tillë prej shekujsh. E them këtë, pasi shumë shqiptarë nuk e shohin realitetin shqiptar në sy, nuk e shohin moralin e jetës së tyre në pasqyrë, por besojnë qorrazi se mjafton që të zgjidhet një politikan në pushtet dhe ai do t’i japi zgjidhje të gjitha halleve dhe problemeve të çdo individi.
Politikanët dhe shtetarët mund të bëjnë vetëm tre gjëra:
1 .Të dëshmojnë me jetën e tyre dhe moralin e qëndrimeve të tyre moralin e drejtë që shqiptarët duhet të ndjekin dhe të ndërmarrin politika në qeverisjen e vendit që të luftojnë këtë fenomen direkt dhe indirekt.
2. Po flasim për një vend ku morali i shoqërisë është “pasurimi me çdo çmim e me çdo kusht”, ku bujqërit preferojnë të mbjellin hashash e jo drithëra dhe profesioni më i preferuar për të rinjtë shqiptarë është “korrier droge” brenda apo jashtë vendit.
3. Së treti, në Shqipëri nuk është pushtuar vetëm politika nga krimi i organizuar, është pushtuar gjithë shoqëria civile. Nuk është vetëm detyra e politikanëve që të flasin për këto fenomene negative në shoqëri, por është edhe detyrë e organizatave jo-qeveritare, edhe e mediave të vendit, por edhe të intelektualeve të vendit.
Aq shumë është injektuar mentaliteti i trashëguar i korrupsionit në gjakun e shqiptarëve, sa organizatat jo-qeveritare janë po aq të korruptuara sa politika. Këto organizata nuk e shohin misionin e tyre në mbrojtje të lirive e të drejtave të qytetarëve, por si një mënyrë për të vjedhur fondet që të huajt japin për këto organizata. Kurse situata me mediat në Shqipëri është akoma më e keqe.
Ky nuk është sekret në Shqipëri, të gjithë e dinë këtë gjë, por askënd nuk e shqetëson ky fakt dhe askush nuk e ngre zërin,përkundrazi, që nga Presidenti e deri tek njeriu që sapo fiton zgjedhjet, u thurin lavde mediave të cilat janë jashtë realitetit politik por në mbështetje të politikës edhe atëherë kur politika vepron në kundërshtim me interesat publike të qytetarëve.
A mendoni se ata gazetarë që shkruajnë në ato gazeta kanë lirinë që të shkruajnë për këto fenomene negative te shoqërisë shqiptare? Shpresa e vetme për ndryshimin e situatës është ndërgjegjësimi i shqiptarëve, sidomos i brezit të ri, në një nivel profesional dhe intelektual dhe të mirëarsimuar. Kur këtë gjë nuk e bën politika, nuk e bëjnë OJQ-të, nuk e bëjnë mediat, kjo përgjegjësi bie mbi qytetarët e thjeshtë, sidomos intelektualët e vendit.
Emigrantët shqiptarë që jetojnë, mësojnë, punojnë jashtë Shqipërisë, janë kontigjenti që duhet të japë kontributin më të madh në këtë drejtim. Secili nga ne ka detyrimin moral ,qytetar,politik,njerëzor të kontribuojë për të ardhmen tonë të përbashkët për një Shqipëri më të mirë dhe një të ardhme më europiane!