Nga Skender Doçi
Demokracia është një sistem kompleks dhe i larmishëm që funksionon brenda individit, shoqërisë dhe shtetit, si dhe marrëdhënjeve të ndërsjellta midis tre kategorive të mësipërme. E thënë ndryshe, është një “biovalë” e cila nxit fuqishëm vullnetin dhe të drejtën e secilit individ për të marrë pjesë dhe për të ndikuar në përcaktimin e çdo gjëje që lidhet me interesat e tij sociale, ekonomike, politike dhe shtetërore, si për kohën në të cilën jeton ashtu edhe për të ardhmen e tij.
Por, demokracia në brendësi të saj ka edhe disa nocione kufizuese, rregulla dhe detyrime ndaj individit dhe shoqërisë. Fjala bie, sjellja e individit dhe shoqërisë me natyrën, përgjithësisht është e sanksionuar me ligje. Pra, nuk mund të sillesh si të duash apo në bazë të vullnetit dhe mundësive dhe aftësive të tua.
Edhe sjellja e individit në shoqëri, lidhja e tij me shtetin dhe anasjelltas, ka në themel një tërësi ligjesh dhe rregullash ku në parim kanë atë se, çfarë s’duhet të bësh (po e bëre penalizohesh) dhe një pjesë tjetër e këtyre ligjeve dhe rregullave kanë në themel, çfarë je i detyruar të bësh, detyrimet fiskale, detyrimet publike, atdhetare, detyrimet ndaj korrektësisë në punë, detyrimi për të respektuar ligjet, rregullat, kontratat … etj.
Shumë herë më e madhe nga kufizimet e mësipërme është ajo që, ti je i lirë të bësh në saj të vullnetit dhe mundësive të tua, të cilat janë përcaktuese të suksesit, moralit, humbjes, fitores e dhjetëra treguesve të tjerë që lidhen me individin, integritetin, interesin, reputacionin dhe personalitetin e tij.
Dëshiroj të ndalem pak mbi konceptin e “personalitetit”.
Tërësia e sjelljeve, mendimeve, veprimeve, reagimeve, perceptimeve, qëndrimeve dhe shprehjes apo shfaqjes së tyre nga një person, përbëjnë atë që në kohët e sotme përmblidhen në një term të vetëm “Personaliteti i Njeriut”.
Deri ketu kemi të bëjmë me atë se, çfarë ka në brendësi të qenjen së tij një individ, tiparet, karakterin, cilësitë, formimin … etj, të cilat janë të lindura, të fituara, të vullnetshme apo jo, pjesë e koshiencës, rrethanave, punës, mjedisit, subkoshiencës së tij…etj.
Vlerësimi i personalitetit.
Raporti, marrëdhënja dhe ndikimi i ndërsjelltë pozitiv që një individ nëpërmjet personalitetit të tij, ndërton me: individët e tjerë, shoqërinë, familjen, punën, shtetin, natyrën … etj, përbën shkallën e vlerësimit të personalitetit.
Kur individi merr vlerësime pozitive në sajë të ndërveprimit me faktorët që thamë më lartë, themi, personalitet i mirë, personalitet i madh, personalitet i spikatur i fushës, personalitet kombëtar, botëror … etj . (Definicionet e mësipërme janë sipas koncepteve të mia).
Në zhargonin e përditshëm ne jemi mësuar ta përdorim fjalën “personalitet” për njerëzit e ngritur e të ditur, por nuk është kështu. Edhe i çmenduri ka personalitetin e vet prej të çmenduri, filani është personalitet i dyshimtë, personalitet i rrezikshëm, personalitet i dobët, personalitet i krimit, s’ka personalitet … etj.
U ndala në konceptin e personalitetit jo pa qëllim, pasi në saj të personalitetit që mendojnë se kanë krijuar, shumë individ të caktuar, shfaqin dëshirën për t’u bërë deputetë, politikanë, ministra apo drejtues të tjerë nëpër sektorë të ndryshëm. Si rezultat, duhet të kalojnë në rrugën e garimit për të fituar vullnetin e njerëzve të shprehur nëpërmjet votës së lirë.
Të vendosësh për të kandiduar, është shprehje e dëshirës personale e vlerësimit pozitiv që ke për veten, është shprehja e dëshirës së mirë për t’i çuar gjërat më përpara nga ata që ishin si dhe ata që janë aktualisht në garë, është një kurajo pozitive për t’u vlerësuar, merr përsipër një sfidë publike ndaj rivalëve të tjerë por, në të njëjtën kohë shfaqet në skenë edhe mundësia e “humbjes” ndaj kandidatëve të tjerë.
Pra, është një nismë e cila e bën garën interesante me një diapazon të gjerë të shprehjes së vullnetit dhe çlirimin e një energjie pozitive të garuesve dhe për më tepër të votuesve.
Flasim për çlirimin e energjive në një garë kur ka dy persona. Po sikur të ketë tre, katër apo pesë kanditatë, sa e madhe është analiza e votuesit për secilin kandidat, sa rritet përgjegjësia e tij, diapazoni dhe liria e shprehjes së vullnetit të votuesve, pjesëmarrja në debate dhe votime?
Po kur ka një kandidat, sikurse ishin një pjesë e madhe në zonat elektorale të zgjedhjeve lokale me 30 Qershor në vitin e kaluar. A quhet garë ajo? A funksionon demokracia në këtë rast?
A ka analizë dhe debat mes votuesve për kandidatin e preferuar? A ka emocione të kandidatëve rival dhe për më tepër emocion të votuesve?
Po mirë, “fitues” a ka?! Unë nuk di të quhet dikush i fituar kur nuk ka të paktën një humbës në mbyllje të garës. Kur në një ndeshje futbolli mungon njëra skuadër, thuhet e mori afrofe, s’di të thotë njeri “fitoi” ose ndonjë skuadër pretendente që thotë e“fitova”. Llogariteni një ndeshje boksi kur ka vetëm një boksier, çfarë kërkojnë spektatorët dhe çfarë “fitoi” ai që u paraqit i vetëm në ring, cilën“betejë” fitoi, cilat janë emocionet e spektatorëve para, gjatë dhe diskutimet pas ndeshjes së boksit? A dini ju të flitet për ndonjë luftë në histori ku nuk vendoseshin ushtritë ballë për ballë njëra – tjetrës, po të jetë kështu secili shtet paska qenë në luftë gjatë gjithë jetës, pasi secili e ka një ushtri të tijën, dhe kjo u quajka “luftë”?! Kjo është më se qesharake. Po sikur spektakli “Miss Albania” të zhvillohej vetëm me një vajzë, a do kishte emocion dhe ndjekës ky spektakël?!
Po në maratonën e vrapimit që zhvillon qyteti datë të cilën e ka shpallur me kohë dhe publikisht, të merrte pjesë një atlet i vetëm?!
Pra garë, ndeshje, zgjedhje apo votime quhen kur ka më së paku dy kandidat ( sa më shumë, më mirë) apo dy palë rivale dhe marrin pjesë shumica dërmuese ose spektatorëve që janë të interesuar, apo kur bëhet fjalë për zgjedhje një shumicë sa më e madhe e votuesve që kanë të drejtë vote në këtë rast.
A ka kandidat të humbur në një garë votimesh?!
Mendoj se në kuptimin e vërtetë të fjalës “humbje”, nuk ka. Koncepti i vërtetë i fjalës gjendet tek betejat ushtarake, në biznes, tregje financiare … etj, e thënë ndryshe, duhet të humbësh diçka materiale, morale ose jetën.
Nuk mund të thuash se nënkryetari i bashkisë (i zgjedhur nga kryetari) është njeri më publik dhe me reputacion më të madh sesa kandidati që nuk fitoi kryetarin e bashkisë. Personi i dytë i nderuar dhe i respektuar për krejt qytetin është kandidti që doli në vendin e dytë në garën e zgjedhjeve për kryetar.
Është përfaqësuesi i vullnetit të mijëra njerëzve që nuk votuan kandidatin fitues.
Njeriu në vetvete është një krijesë që e konsumon jeta, por është në të drejtën e Zotit dhe një ndër liritë themelore të tij që edhe ai të konsumojë jetën në mënyrën që dëshiron dhe në më të mirën e mundshme. Është jashtëzakonisht mëkatare t’i privosh për arsye të ndryshme njerëzit nga emocionet e garës, nga dëshira për t’u zgjedhur dhe shprehja e vullnetit nga masa e gjerë për të zgjedhur përfaqësuesin e tyre.
Është emocionale, demokratike dhe e shenjtë çdo lloj gare kur zhvillohet brenda formatit dhe konceptit të një gare të vërtetë. Njerëzit për të shkaktuar emocion për vete dhe për spektatorët që i ndjekin bëjnë duel me demat (në Spanjë), duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre.
LLogariteni sa emocione dhe energji pozitive çlirohet nga pjesëmarrësit dhe ndjekësit nga e gjithë bota kur zhvillohet kampionati botëror i futbollit apo lojërat olimpike, të cilat në themel kanë garën.
I njëjtë është edhe impakti i garave politike brenda një shteti.
E gjitha kjo ndodh në një proçes normal kandidimi, fushate dhe pastaj votimi. Ndoshta fushata dhe votimet për përfaqësuesit, po të jenë në një nivel demokratik të vërtetë, nëpërmjet emocionit që shkaktojnë për masën e gjerë të njerëzve, janë më çlodhëse dhe me emocionale sesa pushimet një mujore të përvitshme.
Aq e shenjtë është shprehja e vullnetit me votë sa, nëpërmjet një proçesi ku në bazë ka garën dhe votimin, zgjidhet edhe Papa i Romës.